Florenc Çapja

Dosja e Elbasanit/ E treta e vërteta! Florenc Çapja i pandehur në gjyq për atentatin ndaj Fadil Memës

11 Tetor 2019, 11:38| Përditesimi: 11 Tetor 2019, 12:18

  • Share

TIRANE - Kur janë mbushur 4 muaj nga arrestimi i Florenc Çapja në Elbasan, prokuroria e këtij qyteti ka vendosur të mbyllë procesin hetimor dhe çështjen penale kundër tij ta dërgojë për shqyrtim gjyqësor në gjykatën e Elbasanit. Pak ditë më parë Florenc Çapjas, i është komunikuar akuza e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të ish-efektivit të policisë rrugore Fadil Mema dhe akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve luftarake”. Çapja është marrë i pandehur për një krim të kryer në vitin 2006 në Elbasan, shumë pranë banesës së Fadil Memës, krim për të cilin është arrestuar dy herë dhe dy herët është liruar, për shkak të mungesës së provave dhe dëshmitarëve, pasi dëshmitari kryer Ardian Ibrahimi në atnetatit kundër Fadil Memës, është vrarë me 5 plumba në 26 maj 2006 në Elbasan. Tashmë është procesi i tretë që po zhvillohet kundër Florenc Çapjas, për këtë ngjarje kriminale në Elbasan. Ngjarje e cila u pasua me një seri vrasjes të tjera në këtë qytet, ku pjesa më e madhe e tyre nuk është zbardhur nga policia dhe prokuroria e Elbasanit. E treta e vërteta. Në ditët në vijim do ti duhet gjykatës së Elbasanit për të vendosur njëherë e përgjithmonë nëse Florenc Çapja është autor i tentativës së vrasjes kundër Fadil Memës ose jo.

Etja për të eliminuar fizikisht Fadil Memën, ka ardhur pasi në Elbasan është vrarë Sokol Çapja në dhjetor të 2005. Sokoli dhe Dritan Sheme, një killer me pagesë dhe mik nga ana e gruas me Fadilin, urdhërohet nga Çapja të vrasi Rezart Çelën në Elbasan. Kontrata e vdekjes ishte dakordësuar mes Shemes dhe Sokol Çapjas për 30 mijë euro, ku si parapagesë është bërë fillimisht shuma 15 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër pasi të ishte çuar deri në fund porosia, vrasja e Rezart Çelës. Sheme, si një killer profesionit, ekzekuton në tetor 2005 Rezart Çelën, dhe pas disa ditësh paraqitet tek Sokol Çapja, për të kërkuar diferencën prej 15 mijë euro. Mirëpo Sokoli, pasi u lirua nga konflikti për makinetat e lojrave të fatit që kishte me Rezart Çela, ka hyrë në një gjendje euforie dhe nuk donte t’ia jepte kusurin e shumës së rënë dakord me Dritan Shemen.

Mes killerit me pagesë Sheme dhe Sokol Çapja, mes dy shokëve dhe mes dy njerëzve që kishin përgatitur vrasjen e Çelës, hapet një konflikt i ri, ku pati disa tentative vrasje nga të dyja palët. Në këtë konflikt hyri spontanisht dhe pa dashje Fadil Mema, ish-efektiv i policisë rrugore Elbasan, i cili teksa kishte shkuar tek lokali i Çapjave  “Univers”, për të festuar 50-vjetorin e ditëlindjes, u ndesh me veton dhe rezistencën e Sokol Çapjas, që njeriu Dritan Sheme që ishte përfshirë në listën e të ftuarve të Fadil Memës, nuk duhet të ishte në atë lokal. Më tej konflikti mes Shemes dhe Sokol Çapjas u përshkallëzua. Më 26 dhjetor 2005, Sokol Çapja ka qenë në lokalin “Acuario” në qytetin e Elbasanit, i shoqëruar nga dy vajza, Juliana Jolla e Marsela Beqo. Rreth orës 19:00, papritmas në lokal janë futur tre persona me maska, të armatosur dhe pasi kanë bërtitur “…largohuni…”, janë drejtuar te tavolina ku ishte Sokoli dhe e kanë qëlluar atë me armë zjarri me breshëri. Pasi Sokoli është rrëzuar në tokë, ata janë larguan me një makinë “Golf 3” në një rrugicë ku ndodhet “Tv Skampa”. Sokol Çapja është ndihmuar nga Ermal Tafaj dhe Gentian Likrama që të dërgohej në Spitalin e Elbasanit, por ka gjetur vdekjen rrugës. Vrasja e Sokol Çapjas ka sjellë tërbimin e anëtarëve të fisit Çapja, të cilët pas kësaj vrasje vendosin të hidhen në sulm. Në atë periudhë policia shpalli në kërkim Dritan Shemen, ndërkohë arrestoi dy bashkëpuntorët e tij Gentian Beqirin dhe Armando Hasanin. Ndërkohë mllefi i fisit Çapja ishte shtuar dhe kërkonin shpagim tek Fadil Mema, njeriut të cilit më vonë pas goditjes me 11 plumba i kanë kërkuar falje. Sipas dëshmisë së Fadil Memës, më 30 janar 2006 së bashku me vëllezërit dhe kunatin e tij Ardian Ibrahimi ka shkuar tek një komshi për ngushëllim. Rrugës në kthim ka parë një deputet të asaj kohe në Elbasan, që ishte në shoqërinë e Kujtim Hazbiun, me të cilët u përshëndetën. Pas një ose dy minuta dëgjoi kunatin e tij Ardianin që të bërtasë “…na vranë…”.

Në këto moment ka parë një person të veshur me kombinoshe, që në dorë mbante një automatik me silenciator dhe në një distancë të afërt dy apo tre metra ka qëlluar në drejtimin e Fadilit, duke i shpuar pardesynë. “…në këtë moment e pashë që i ngeci automatiku dhe e pashë që po e mbushte sërish dhe e njoha që ishte Florenc Çapja. Në këtë moment i kam thënë “...o Lenci çfarë borxhi ju kam, çfarë ju kam bërë…ndërkohë ai më shau dhe më tha do të masakrojmë dhe e mbushi sërish armën….” Ndërkohë Ardiani filloi ta qëllojë me gurët e rrugës, dhe Florenci e qëlloi me breshëri. Në këtë moment Fadil Mema tregon se Florenc Çapja, e ka qëlluar sërish në ikje e sipër Fadilin, ku një plumb e ka kapur në këmbë dhe e ka rrëzuar në derë të shtëpisë. Tek shtëpia e tij, ka marë një pistoletë “Mauzer” dhe ka qëlluar në drejtim të Florencit,disa herë për tu vetëmbrojtur pasi po afrohej të më vriste, tregon ai. Në rrobat e mia të trupit kam konstatuar 11 vrima të shkaktuara nga plumbat. Po këtë ditë mora vesh se ishte ndaluar nga policia e Elbasanit Florenc Çapja. Fadil Mema, megjithëse u largua nga Elbasani dhe u zhvendos në Itali, nuk mundi ti shpëtojë sagës së vrasjeve seriale pasi në u ekzekutua disa vite më vonë në Itali.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?