Gjyqtari Tom Ndreca

Dosja e kontrollit/ Lidhja e fshehtë që rrëzoi gjyqtarin Tom Ndreca

18 Gusht 2018, 07:08| Përditesimi: 18 Gusht 2018, 15:25

  • Share

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar vendimin për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, i lakuar si gjyqtari që mbylli dosjen e 21 Janarit si dhe për certifikimin e përmbysjes së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, në 2011, duke shpallur fitues Lulzim Bashën pas fitores së Edi Ramës me një diferencë prej 10 votash. Dy janë shkaqet që rrëzuan Tom Ndrecën nga maja e sistemit të drejtësisë, fshehja e arrestimit të kunatit për mbajtjen e një sasie droge për përdorim vetjak si dhe disa probleme me pasurinë.

Komisioni i Vetingut ka bërë një hetim të thelluar të raportit të Tom Ndrecës me kunatin si dhe arsyet e mosreflektimit të këtij raporti në formularin e kontrollit të figurës. Komisioni thotë se kunati i Ndrecës është proceduar penalisht sipas nenit 283 të K. Penal, jo vetëm si përdorues i lëndëve narkotike për sasinë prej 0.435 gr., por edhe për mbajtje të sasisë prej 6 kg e 134 gr., lëndë narkotike. “Në datën 11.07.2012 është lidhur kontrata e shitjes së mjetit me midis shitësit N. N. Gj., dhe blerëses K. N. G., e cila është bashkëshortja e subjektit Tom Ndreca. Duke qenë se shtetasi N. G., është kunati i subjektit të rivlerësimit, sipas formularit të deklarimit ai është “anëtar familjeje” me subjektin. Për shtetasin N. G., ka pasur informacion se është person me precedent kriminal. Lidhur me këtë fakt Komisioni ka kryer disa kërkime.

Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se për shtetasin N. G., i cili është arrestuar në datën 09.11.2011 dhe është liruar nga burgu në datën 05.12.2011, ka filluar procedimi penal me nr. 1197 i vitit 2011, dhe në datën 20.03.2012 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër është marrë vendimi për pushimin e hetimeve në ngarkim tij, për veprën penale të parashikuar nga neni 283/1 të K. Penal “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, thuhet në vendim. 

( Kliko këtu ) për vendimin e plotë të KPK për Tom Ndrecën

Fshehja e faktit 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në konkluzionin se Tom Ndreca ka fshehur faktin se kunati që arrestuar, çka sipas komisionit kjo e bën gjyqtarin të papërshtatshëm për të qëndruar në sistemin e drejtësisë. “Sipas nenit 3 pika 15 e ligjit nr. 84/2016, shtetasi N. Gjeci hyn në rrethin e personave të përfshirë në krimin e organizuar, dhe subjekti nuk e ka deklaruar këtë fakt gjatë plotësimit të formularit për kontrollin e figurës. Informacionet që disponohen në ngarkim të shtetasit N. G., evidentojnë rrethanat e konstatimit të faktit se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar, sipas përcaktimit të pikës 15 të nenit 3 të ligjit nr. 84/2016. Në përfundim, DSIK, institucioni kompetent për vlerësimin e figurës së subjekteve të rivlerësimit, për përmbushje të procedurave ligjore sipas neneve 34 - 39 të ligjit nr. 84/2016, ka konstatuar papërshtatshmërinë e subjektit të rivlerësimit Tom Ndreca për vijimin e ushtrimit të detyrës”, thuhet në vendim. 

Gjyqtari ishte në dijeni  

Komisioni i Vetingut thotë se subjekti nuk mohon që ka qenë në dijeni të faktit se kunati i tij është arrestuar në vitin 2011, për shkak se i është gjetur një sasi lëndësh narkotike për përdorim vetjak, por, pretendon se nuk ka qenë në dijeni të rrethanave procedurale të organit procedues. “Nga aktet rezulton se për shtetasin N. G., ka filluar procedimi penal me nr. 1197 të vitit 2011, për veprën penale të parashikuar në nenin 283 të K. Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”, procedim i cili është pushuar në datën 20.03.2012 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ndërkohë, në po të njëjtën datë (20.03.2012) organi i akuzës, ka pezulluar hetimin për të njëjtin procedim penal, atë me numër 1197 të vitit 2011, për shkak se nuk janë gjetur autorët e veprës penale. Si rrjedhim, duke qenë se shtetasi N. G., është proceduar penalisht për veprën penale të parashikuar nga neni 283 i K. Penal, hyn në rrethin e personave të përfshirë në krimin e organizuar, parashikuar nga pika 15 e ligjit nr. 84/2016, dhe subjekti i rivlerësimit ka pasur detyrimin ligjor për ta deklaruar këtë fakt”, vijon arsyetimi i komisionit. 

Bie alibia 

Komisioni ka rrëzuar pretendimet e Tom Ndrecës se marrëdhëniet me kunatin i kishte të largëta. “Lidhur me këtë pretendim, komisioni konstatoi se, ndërkohë që marrëdhënien me shtetasin N. G., vëllai i bashkëshortes së tij, subjekti e ka konsideruar të largët, në parashtresën e tij lidhur me huatë e marra nga motrat dhe vëllezërit e tij67, këto lloj marrëdhëniesh i ka konsideruar “kaq të posaçme” dhe “tejskajshmërisht të mira”. Përkundrazi, gjatë hetimit administrativ, ka rezultuar se në datën 11.07.2012, rreth katër muaj nga dita që janë pushuar hetimet në ngarkim të shtetasit N. G., ky i fundit ka lidhur një kontratë shitje automjeti me motrën e tij dhe bashkëshorten e subjektit znj. K. N., gjë që bie në kundërshtim me pretendimet e subjektit për marrëdhënie të largëta e të rralla midis tyre, thuhet në vendimin e shkarkimit. 

Vendimi 

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arsyetuar vendimin për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, i lakuar si gjyqtari që mbylli dosjen e 21 Janarit si dhe për certifikimin e përmbysjes së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, në 2011.

Paradoksi 

“Komisioni konstatoi se, ndërkohë që marrëdhënien me shtetasin N. G., vëllai i bashkëshortes së tij, subjekti e ka konsideruar të largët, në parashtresën e tij lidhur me huatë e marra nga motrat dhe vëllezërit e tij67, këto lloj marrëdhëniesh i ka konsideruar “kaq të posaçme” dhe “tejskajshmërisht të mira””. 

Kolonë 
Konkluzionet e KPK për pasurinë e Tom Ndrecës 

1. Ka deklarime të pamjaftueshme, deklarime të pasakta, si dhe disa mospërputhje me deklaratën për Vetting, të përmendura më sipër në këtë vendim. Sipas nenit 32 pika 5 e ligjit nr. 84/2016, pasaktësitë e konstatuara në deklarimet periodike konsiderohen si prova nga Komisioni, me anë të të cilave vërtetohet fakti se subjekti në çdo rast të deklarimeve të pasakta apo mosdeklarimeve, ka vepruar (ose mosvepruar) në kundërshtim me ligjin nr. 9049 datë 10.04.2003.

-Bashkëshortja dhe dy fëmijët, të cilët kanë pasur pasuri të regjistruar veçmas në emër të tyre, kanë plotësuar vetëm autorizimin për kontrollin e deklaratës së interesave, duke deklaruar dhe nënshkruar se nuk disponojnë pasuri veçmas, (deklarim i rremë) ndërkohë që kanë pasur detyrimin për të plotësuar secili deklaratën e pasurive, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur ligjit nr. 84/2016, parashikuar nga neni 31 i tij. Si rrjedhim, ka deklarim të pamjaftueshëm dhe deklarim të pasaktë në kundërshtim me ligjin nr. 9049 datë 10.04.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa nëpunësve publikë” i ndryshuar, dhe ligjin nr. 84/2016. 

-Deklarim të pamjaftueshëm dhe deklarim të pasaktë për shkak të mosdeklarimit të likuiditeteve në shumën totale prej 113.254 lekësh, (në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve) në kundërshtim me ligjin nr. 9040 datë 10.04.2003, i ndryshuar dhe ligjin nr. 84/2016. 
-Ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar likuiditetetin në shumën prej 1.393.336 lekësh. 
-Fshehje pasurie, autoveturë me targë TR 8172 F. (neni 33, pika 5 germa “c” e ligjit). 
-Deklarim i rremë lidhur me çmimin e blerjes së garazhit. (neni 33, pika 5, germa “ç” e ligjit).

Kolonë 
Pretendimet e gjyqtarit Tom Ndreca për pasurinë 

-Subjekti pretendon se apartamenti i deklaruar dy herë në vitin 2003, një herë me çmimin 3.000.000 lekë dhe një herë në çmimin e shitjes prej 2.400.000 lekë, është i njëjti apartament, sot pasuria me nr... Gjithashtu pranon se janë bërë lapsuse gjatë llogaritjes së çmimit të blerjes së apartamentit dhe garazhit.

-Subjekti pretendon se mospërputhja lidhur me çmimin e blerjes së banesës në Rrëshen, në deklaratën për Veting (550.000 lekë) dhe në atë të vitit 2003, (800.000 lekë), ka ardhur si rezultat se në deklaratën për Veting nuk është përfshirë çmimi i shitjes së orendive shtëpiake prej 250.000 lekësh, fakt për të cilin ai nuk ka mundur të sigurojë dokumentacion.

-Për sa i përket huasë së marrë nga motrat dhe vëllezërit në shumën prej 800.000 lekësh, e deklaruar prej 900.000 lekësh në vitin 2003, subjekti pranon mospërputhje në deklarime të cilat janë bërë me aq sa mbante mend.

-Për sa i përket pasaktësisë lidhur me mënyrën e likuidimit të çmimit të shitjes së pasurisë me nr..., me vlerë 6.000.000 lekë, subjekti pranon që nuk mund të vërtetojë me dokument shkresor likuidimin e shumës prej 500.000 lekësh në vitin 2015, por është përcaktuar në kontratën e shitjes likuidimi total i çmimit të shitjes.

-Për sa i përket kredisë për të cilën ka aplikuar me statusin e të pastrehut, subjekti pretendon se është bërë kërkesë për zgjerim të sipërfaqes së banimit për shkak se ka pasur dy djem të rritur, njëri prej të cilëve E., donte të martohej.

-Për sa i përket mosdeklarimit të kursimeve për vitin 2016, sipas ligjit nr. 9049, datë 10.04.2003, subjekti deklaron se kjo ka ndodhur për shkak se ky fakt është deklaruar në deklaratën e dorëzuar për Veting në janar të vitit 2017. 

-Për sa i përket mosdeklarimit të llogarive bankare të bashkëshortes K. N., djalit E. N., dhe djalit tjetër E. N., subjekti pretendon se këto janë llogari rrjedhëse nga pagat, duke pranuar mosdeklarimin si gabim njerëzor.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?