Dosja e plotë e familjes 'Cafi', prona,resort, hotele, makina e firmë peshku Si u pushua hetimi për pasurinë nga prokuroria e Shkodrës

15 Maj 2020, 21:12| Përditesimi: 15 Maj 2020, 21:50

  • Share

Zbardhet dosja e plotë për pasurinë e familjes “Cafi” në Shkodër, për të cilën oficerët e operacionit “Forca e Ligjit” në Policinë e Shtetit, kërkuan tre ditë më parë që dy vëllezërit Cafi, të vetëdeklarojë dhe justifikojë pasurinë e tyre. Kjo që po publikojmë sot është një dosje e cila ka pasur në qendër të vëmendjes asetet financiare dhe kapitale, të anëtarët të kësaj familje, si Bledar Cafi, Astrit Cafi, Gëzim Cafi, Violeta Cafi dhe Griseldo Cafi.

Dosja hetimore që përbëhej nga dy procedime të ndryshme për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, është hetuar nga prokuroria e Shkodrës qysh prej vitit 2018, por siç na rezulton nga dokumentacioni që disponojmë, të dyja këto çështje janë pushuar nga prokurorja, Shqiponja Mille. Kjo e fundit është vajza e tezes së ish-kryeprokurores Arta Marku dhe në muajin nëntor-dhjetor 2019, ka bërë kërkesën në gjykatë për pushimin e ndjekjes penale.

Kërkesa e prokurores Mille, është pranuar nga gjykata dhe për Bledar Cafin, Gëzim Cafin dhe Griseldo Cafin është pushuar ndjekja penale për pastrim parash. Sipas prokurores Mille, e vetmja pasuri e paluajtshme që ndodhet në emër të Bledar Cafit është në bashkëpronësi me 7 trashëgimtarë të tjerë, e fituar me dëshmi trashëgimie nga babai i tij Asllani, e legalizuar në vitin 2011 dhe e kaluar në bashkëpronësi në vitin 2017. Mbi këtë pasuri është ngritur resorti “Prince Of Lake”, i cili përbëhet nga disa biznese si lavazh, Bar-Kafe, Restorant dhe hotel. Ndërkohë që një biznes tjetër në emër të Bledar Cafit, është zbuluar në Shkodër dhe bën fjalë për tregtinë e peshkut. Cafi zotëron 45% të aksioneve në kompaninë e peshkimit “Dajlani” në Shkodër.

Objekti i kësaj kompanie është zënie dhe tregti të peshkut në ujërat e liqenit të Shkodrës dhe në lumin Buna. Gjithashtu sipas prokurorisë së Shkodrës pasuri të Bledar Cafit janë dhe dy automjete me vlerë 9500 euro në total. Ndërsa për sa i përket llogarive bankare që prokuroria ka verifikuar te anëtarët e familjes Cafi, rezulton se nuk ka pasur vlera monetare. Vetëm në dy llogari janë gjetur shuma qesharake prej 100 dhe 200 mijë lekë të vjetra, në një bankë të nivelit të dytë, llogari të cilat i përkasin Gëzim dhe Violeta Cafit. Në dosje thuhet se në emër të Gëzim Cafit, është në pronësi një automjet me targë AA395RT e blerë në Janar 2018 me vlerën 4 milion e 700 mijë lekë të vjetra.

Ndërsa në emër të djalit të tij, Griseldo Cafi, janë të regjistruara dy automjete të blera në vitin 2016 me vlerën 3 milion e 500 mijë lekë të vjetra dhe në gusht 2018 të blerë kundrejt vlerës 3 mijë euro. Për sa i përket bizneseve Griseldo Cafi, disponon bar-kafe dhe shezllone me qira në Velipojë, ndërsa nëna e tij Violeta, rezulton se disponon aktivitet tregtar si Bar-Kafe, Restorant dhe Hotel në rrugën nacionale Zues-Shkodër. Sipas drejtorisë së tatimeve kjo shtetase ka deklaruar zero fitim për vitet 2015-2016, ndërsa në vitin 2017 deklaron një fitim prej 134 mijë lek të vjetra dhe në vitin 2018 një vitim prej 6 milion e 420 mijë lekë të vjetra.

Mirëpo tashmë kur ky hetim është pushuar në Shkodër, OFL-ja ka kërkuar nga Bledar Cafi dhe Gëzim Cafi, që të vetë deklarojnë pasurinë, pasi në ditët në vijim do jetë prokuroria e Posaçme SPAK, ajo që do nisë një hetime për pasuritë që disponon kjo familje. Në dosjen hetimore që “Shqiptarja.com” disponon thuhet se Bledar Asllan Cafi, është subjekt i përfshirë në veprimtari kriminale, shantazhe, gjobë-vënie dhe pjesë e Grupeve të Strukturuara Kriminale, në qytetin e Shkodrës.

Sipas një dokumenti, Cafi në vitin 2008 rezulton se ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej se ishte pjesemarrës, në një vrasje në bashkëpunim. Nga kërkimi ky person është hequr vetëm pas arrestimit dhe për këtë vrasje të kryer në Shkodër, Bledar Cafi, është shpallur i pafajshëm në vitin 2009. Sipas informacioneve policore, rezulton se Bledar Cafi disponon automjete të shtrenjta dhe se ka dyshime se kryen pastrim parash në Shkodër, duke investuar në biznese të ndryshme që ndodhen në këtë qytet. Nga verifikimet e kryera Bledar Cafi, ka të regjistruara dy automjete tip “Volvo” të blerë në janar 2017 me shumën 4 mijë euro tek një shtetas Italian. Ndërsa makina e dytë në emër të tij është një “Land Rover” e blerë në vitin 2018, të cilën Bledar Cafi e ka marë kundrejt 6 mijë euro tek, Erlind Lulaj. Ndërsa nëna e tij Vehibe Cafi ka rezultuar se nuk ka asnjë automjet të regjistruar në emrin e saj.

Në dosjen hetimore që padyshim e disponon dhe OFL-ja, konstatohet se në emër të Bledar Cafit, dhe 7 anëtarë të tjerë të familjes Cafi është një truall prej 300 metra katror, nga të cilat 140 metra katror është ndërtim. Kjo pasuri ndodhet buzë bregut të lumit Buna në Shkodër, dhe objekti i ndërtuar pa lejë, rezulton se është legalizuar në datën 21 nëntor 2011. Në dosjen hetimore thuhet se kjo pasuri rrjedh nga një “Dëshmi Trashëgimie” nga babai i Bledarit, Asllan Cafi, i cili besohet se e ka privatizuar këtë sipërfaqe toke, që dikur mendohet se ka qenë ish-lokali i punëtorëve të Fabrikës së Çimentos në Shkodër. Hipoteka e përgjithshme në Tiranë ka konfirmuar se veç pasurive të paluajtshme në Shkodër, familja Cafi nuk ka asnjë pasuri tjetër në qytetet e tjera jashtë Shkodrës.

 Rezulton se Bledar Cafi, që prej prillit 2018 disponon një aktivitet tregtar në lagjen “Sulo Halili” me objekt “Tregtim artikuj ushqimorë me shumicë dhe pakicë”. Sipas xhiros vjetore të përllogaritur nga prokuroria e Shkodrës rezulton se ky biznes ka xhiruar 55 milion lekë të vjetra, nga të cilat janë fituar 6 milion lekë të vjetra. Ndërkohë në dosjen hetimore evidentohet një dokument i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë se ky biznes në pronësi të Bledar Cafit deri në datën 17 qershor 2019, rezulton me detyrime tatimore të papaguara në vlerën prej 354 mijë lekë të vjetra dhe tepricë kreditore prej 6 milion e 225 mijë lekë të vjetra.

Gjithashtu në një dokument tjetër që mban datën 15 qershor 2019, i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve në Tiranë thuhet se Bledar Cafi, rezulton i padënuar dhe në kartelën e këtij personi nuk ka asnjë shënim tjetër, që të dëshmojë ndonjë dënim të mëparshëm nga i cili mund të jetë rehabilituar. Por në një shkresë të Interpol Tiranës dërguar prokurorisë thuhet se Bledar Cafi prej datës 29 shtator 2008  deri në 4 dhjetor 2009 ka qenë person në kërkim me masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai ka fituar në datën 23 nëntor 2009 betejën ligjore për akuzën e “Vrasjes në bashkëpunim”. Ndërkohë e njëjta shkresë e Interpol Tirana, tregon se Bledar Cafi në vitin 2012 njihet në databazën e policisë Gjermane me emrin Lulzim Halilaj, dhe është njohur më Vjedhje e rrëmbime të kryera gjatë vitit 1998, por nuk jepen të dhëna të tjera për arrestimin ose dënimin e tij në Gjermani.

Ndërsa Interpol Zagrebi ka njoftuar policinë Shqiptare, se për Bledar Cafin nuk ka të dhëna për aktivitet kriminal. Po kështu ka njoftuar dhe Interpol Brukseli,i cili tregon se Bledar Cafi njihet në databazën e policisë Belge për çështje droge të kryera në vitin 2012. Një tjetër informacion për Bledar Cafin, të “fortin” e Shkodrës, ka mbëritur për policinë Shqiptare dhe nga Interpol Parisi. Kjo zyrë policore tregon në vitin 2012 se Bledar Cafi ka banuar në Lyon të Francë dhe kishte në pronësi një mjet tip “Renault Laguna” dhe një “Opel Corsa”. Interpol Parisi i tregon policisë Shqiptare se Bledar Cafi gjatë kohës që ka qëndruar në Francë, në datën 7 tetor 2009 është marrë në pyetje nga policia Franceze për një hetim me objekt “Shfrytëzim prostitucioni”. Njëherësh kjo zyrë policore në Francë tregon se Bledar Cafi rezulton i regjistruar në listën e personave të kërkuar me shënimin “I detyruar të largohet nga vendi”, shënim ky që rezulton të jetë bërë nga policia në datën 4 korrik 2011. Ndërsa sipas një dokumenti të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve Gëzim Cafi, vëllai i Bledar Cafit është dënuar me 17 vite burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda për akuzën e “Vrasjes me paramendim” të kryer në bashkëpunim. Ndërsa djali i tij Griseld Cafi, nuk ka asnjë dënim penal.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?