Në fillimin e nëntorit të vitit 1982, vetëm pak ditë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehu, ‘Grupi special’ hetimor, me në krye Drejtorin e Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht zv/ministër i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizin, që u formua me urdhrin e Hekuran Isait, (sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së, që në shkurt 1982, sapo ishte caktuar në krye të Ministrisë së Brendshme), në kuadrin e hetimit dhe zbulimit të “veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut si bashkëpunëtorë të ngushtë të poli-agjentit Mehmet Shehu”, veç të tjerash, mori në shqyrtim edhe një numër të madh dosjesh voluminoze që i përkisnin një periudhe kohe të gjatë (nga viti 1945, deri në 1982-in), duke i studiuar me vëmendje të madhe, me qëllim për të parë implikimin e mundshëm të Hazbiut dhe Feçor Shehut, me ngjarje dhe procese të ndryshme hetimore e gjyqësore, të zhvilluara në atë periudhë kohe prej afro katër dekadash.
Në këtë kuadër, grupi special me në krye Zylyftar Ramizin dhe dy ndihmësat e tij, Enver Zeneli dhe Hasan Ulqinaku, tërhoqi nga Kartoteka dhe Arkivi i Ministrisë së Brendshme edhe dosjen voluminoze të “agjenteve polake”, që ishin arrestuar dhe dënuar me burg në vitet 1960-1970-të, me në krye Barbara Orgocka (bashkëshortja e Vaskë Orgocka nga Korça, vëllai i aktorit të njohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Dhimitër Orgocka), si dhe bashkë atdhetares së saj polake, Barbara Mullaj, e martuar dhe ajo me një shtetas shqiptar, ish student në Poloni ne fundin e viteve ’50-të. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, që po publikojmë më poshtë, Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Hasan Ulqinaku, i ngarkuar për studimin e saj, i shpreh dyshimet eprorëve të tij, (Zylyftar Ramizi dhe Hekuran Isai), se Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, kanë lejuar riatdhesimin në Poloni, të “dy agjenteve”, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj. Arrestimi dhe dënimi me burg politik i dy shtetaseve polake, ishte në vijim të goditjes që Sigurimi i Shtetit u kishte bërë një grupi të madh ish-studentësh shqiptarë, që kishin mbaruar studimet dhe ishin diplomuar në Poloni në fundin e viteve ’50-të dhe shërbenin në profesionet e tyre apo në nivele drejtuese (si; Ylli Alibali, Faik Gojani, Vedat Buzi, Sofokli Lulo, Xhevat Alibali, Spiro Nikolla, Adem Nurja, Dhimitër Stramarko, etj), të cilët në vitin 1974-’75, u dënuan me vite të gjata burgimi, të akuzuar si “agjentë polakë”. E gjitha kjo, thuhej se vinte si shenjë hakmarrje e Enver Hoxhës, ndaj Vlladislav Gomulkës, ish-sekretarit të përgjithshëm i Partisë Komuniste të Polonisë, i cili në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë në vitin 1960, e cilësoi Enverin, si një rrugaç ordiner.
Në këtë kuadër, pra në goditjen ndaj të gjitha shtetasve polake që ndodheshin në Shqipëri, u arrestuan dhe Barbara Orgockaa dhe Barbara Mullaj, të cilat pasi vuajtën vite të gjata burgu politik, pas protestave të shumta të qeverisë polake, regjimi komunist, u detyrua që t’i riatdhesonte ato për në atdheun e tyre, ndonëse Barbara Orgocka, ishte shkatërruar nga shëndeti mendor, duke qenë e papërgjegjshme, gjë e cila konfirmohet edhe nga dokumenti në fjalë, ku bëhet e ditur se ajo nuk pranonte të fliste, gjatë seancave gjyqësore të gjyqit të saj, por vetëm godiste me grusht tavolinën ku e kishin ulur, aq sa trupi gjykues vendosi largimin e saj. Po kështu ndër të tjera, në këtë dokument, bëhet e ditur edhe mbi deponimet në gjyq të bashkëshortit të Barbara Orgocka, (Vaskë Orgocka), i cili ka thënë aty, se gjithçka që ai ka firmosur në procesin hetimor ndaj tij, ka qenë nën presionin dhe torturat që i kanë bërë atij, hetuesit me në krye Koço Josifin. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, që është nxjerrë nga dosja voluminoze që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë edhe e fondit që disponon Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), i cili publikohet për herë të parë dhe bashkë me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al.
DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT – INFORMACIONIN E FUNKSIONARIT TË LARTË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, HASAN ULQINAKU, DËRGUAR ZV/MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME ZYLYFTAR RAMIZI, MBI “IMPLIKIMIN” E KADRI HAZBIUT DHE FEÇOR SHEHUT, TË CILËT URDHËRUAN RIATDHESIMIN E DY AGJENTEVE POLAKE, BARBARA ORGOCKA DHE BARBARA MULLAJ
Sekret
Ekzemplar i vetëm
Tiranë 13.6.1983
I N F O R M A C I O N
“Mbi Barbara Orgocka dhe disa lidhje të saja”
Barbara Orgocka (Gluc) është e bija e Vlladisllav dhe e J_______, Gluc, me kombësi e shtetësi polake, e datëlindjes 1936, lindur në qytetin Kreshenko të Polonisë. Barbara mbasi ka mbaruar shkollën e mesme, ka hyrë si sekretare në komitetin e Partisë Fshatare polake. Më vonë është veshur oficere dhe ka filluar punë në Ministrinë e Punëve të Brendshme Polake, ku ka ndruar disa sektorë e konkretisht, si referente në degën social kulturore, e cila merrej me të gjithë vizitorët që vinin në Poloni, sekretare e ministrit të Punëve të Brendshme të Polonisë dhe në fund në degën e pasaportave.
Në vitin 1954, është njohur me studentin shqiptar Vasillaq Orgocka, i cili vazhdonte studimet në Poloni dhe janë fejuar. Në Shtator të vitit 1956 vjen në Shqipëri ku martohet më Vasillaq Orgocka, me të cilin kanë dy fëmijë. Në Shqipëri, Barbara ka jetuar në qytetin e Korçës deri në ditën që është arrestuar.
Barbara është marrë në përpunim paraprak, me datë 2.8.1962 dhe me 15.2.1963, merret në përpunim aktiv 2/A si agjente e Zbulimit polak; ndërsa me datë 26.2.1969 arrestohet. Hetuesit e kësaj të pandehure kane qenë: Q______M______, Q________P_______ e Koço Josifi, ndërsa hetues asistues kanë qenë M______ N_______(për një kohë të gjatë). J_______T_______e S______ Dh_______.
Fillimisht në hetuesi Barbara ka deponuar, mbi veprimtarinë armiqësore e keqbërëse në formën e agjitacionit dhe të propagandës (edhe të përgatitjes për arratisje) si dhe të kontrabandës së gjithanshme të zhvilluar nga ana e saj. Pasi zbërthehet për këto krime hetuesi Odise Porodini, ka filluar ta zbërthejë për krimin e spiunazhit e konkretisht (në faqen 221 të dosjes së saj) deponimi i saj është i tillë:” …. Pas kësaj njerëzit e sigurimit polak më thanë nëse mund të punoja me sigurimin polak në Shqipëri.
Po u thashë unë (Barbara) mund të punoj. Pastaj ata më thanë që unë, pasi të kthehesha në Shqipëri të mbaja lidhje me sekretarin e ambasadës polake nga i cili do të marrësh udhëzime si do të veprosh dhe çfarë çështje na intereson neve për ta na dhënë atje….”.
Me datën 12.5.1969, fillon ta marrë në pyetje hetuesi Koço Josifi, i cili nuk arrin të marrë ndonjë proçes por sipas rekomandimit të mjekut, e shtron në spital; nga data 18.5.1969, deri me datë 31.5.1969, observohet nga komisioni i mjekëve ekspert të Psikiatrisë Ligjore të Spitalit Nr.2, komision i cili e nxjerr të përgjegjshme, karshi ligjës për krimet e kryera.
Me datë 8.7.1969, hetuesi Koço Josifi, e merr Barbarën në proçes për spiunazh, proçes i cili është i fundit pasi kjo e pandehur nuk pranon më të përgjigjet dhe qëndron në pozita mohimi. Deponimi i saj në këtë proçes (faqe 245 e dosjes së saj) del i tillë; “…Po, jam takuar me K________P________ në shtëpinë e Barbara Mullaj në muajin Qershor 1968….!
I dhashë letrën K______ P_____ për t’ja dërguar e dorëzuar polakëve të Durrësit. Letra brenda kishte informata me karakter ekonomik e ushtarak nga rrethi i Korçës…! Në vitin 1966, kur kam qenë në plazhin e Durrësit, së bashku me Vasillaqin i kemi dorëzuar një nëpunësi të ambasadës polake në Tiranë, me të cilin u takuam në plazh, një letër me informacion për ta dorëzuar në ambasadën polake…”!
- Vaskë Orgocka (i shoqi i Barbara Orgocka, arrestohet me datë 7.12.1968. Nga data 7.12.1969, hetohet nga Odhise Porodini. Gjatë kësaj kohe Vaska zbërthehet për agjitacion e propagandë (edhe për përgatitje për arratisje) dhe kontrabandë. Pas kësaj periudhe, hetohet nga Koço Josifi, i cili mbyll hetimin me datë 7.7.1969 duke e zbërthyer edhe për krimin e spiunazhit (shih dy proçes verbale te te pandehurit Vaskë Orgocka, që i bashkëngjiten këtij informacioni).
- Nga data 18.8.1969, deri me datë 22.8.1969, në Tiranë është zhvilluar gjyqi kundër të pandehurve Vaskë Orgocka, K_____ P______, Barbara Orgocka, Barbara Mullaj (polake) etj., gjithsej 11 persona). Të gjithë të akuzuarit kanë pranuar akt-akuzën dhe e kanë firmosur (shih akt-akuzën që i bashkëngjitet këtij informacioni). Të katër të akuzuarit e mësipërm, akuzohen për krimin e spiunazhit, agjitacionit e propagandës dhe të kontrabandës së cilësuar.
Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore Barbara Orgocka ka prishur qetësinë; për këtë është paralajmëruar dhe meqenëse vazhdonte të prishte qetësinë, gjykata mori vendim ta nxjerrë nga salla e gjyqit.
I pandehuri K_______ P________ deponon përveç të tjerave, se ka dhënë informata zbulimit polak nëpërmjet Vaskë dhe Barbara Orgocka se dhe Barbara Mullaj.
Në gjyq, Barbara Mullaj deponon se; “Unë, Vaskë Orgocka e Barbara Orgocka, ishim vënë në shërbim të zbulimit polak. Vaskë Orgocka, ka deponuar që së bashku me gruan e tij Barbara Orgocka, kanë qenë vënë në shërbim të Zbulimit polak se dhe ka qenë në dijeni për veprimtarinë e spiunazhit në favor të zbulimit polak të zhvilluar nga Barbara Mullaj.
Meqenëse Barbara Orgocka nuk ishte e pranishme në gjyq, lexohen deponimet e saj. Për këto deponime i shoqi i saj Vasillaq Orgocka, deponon se; “… Jam dakord me deponimet e saj, për veprimtarinë e saj jam i bindur sepse dhe unë nëpërmjet saj jam futur në rrugën e armiqësisë”.
Ndërsa në fjalën e fundit, i pandehuri Vaskë Orgocka thotë: “… deri në vitin 1965, kisha një ndërgjegje të molepsur nga mbeturinat e ndyra borgjeze dhe kur u vura në dijeni nga gruaja se ishte agjente e vënë në shërbim të Zbulimit polak, në vend që ta denoncoja, duke mos patur forcë ta bëj këtë dhe duke humbur besimin te ajo. Pra rashë dhe unë në rrjetin e këtij zbulimi…!
Nuk kam qenë i detyruar të deponoi, sepse hetuesit nuk më bënë asnjë detyrim, por me gjithë ndyrësirat që isha future e duke patur në deje gjak shqiptari, deponova për ta zhveshur një herë e mirë këtë gazhup me ndyrësira…! Kam qenë një vegël qorre në duart e një spiuneje të regjur polake…”!
Fjala e fundit e të pandehurës Barbara Mullaj dhe (faqe 8 e dosjes): – “… Tjetër shkak është shoqëria ime me K________P______dhe agjenten e regjur polake Barbara Orgocka, oficere e Sigurimit polak dhe sekretare personale e ministrit të Punëve të Brendshme të Polonisë, e cila edhe në seancë gjyqësore, qëndroi armike e betuar, duke përdorur lodrat e mësuara nga Zbulimi Polak, duke mbajtur qëndrim mohues. Këto lodra Zbulimi Polak m’i mësoi edhe mua, por unë nuk i përdora…”!
Zgjerimi i problemit të Vaskë Orgocka, në këtë informacion, është bërë për faktin se kohët e fundit, ky na është drejtuar me një letër, ku, në mënyrë të përmbledhur, shkruan se:
- Nga dhuna që i kanë ushtruar në hetuesi, ka firmosur proçese pa i lexuar, gjatë ballafaqimeve ka folur çfarë i është diktuar paraprakisht nga hetuesi Koço Josifi, ai dhe meqenëse nuk ka zhvilluar aktivitet armiqësor në formën e spiunazhit, kërkon t’i hiqet ky krim”.
Nga leximi me vëmendje i deponimeve të Vaskë Orgocka gjatë seancës gjyqësore (të cilat janë nxjerrë më sipër) nxirret konkluzioni se pretendimet e këtij të burgosuri nuk qëndrojnë.
- “_______ ________ dhe Barbara Mullaj, i është bërë hetuesi e dytë në shtator të vitit 1969, pastaj u larguan në Poloni, dhe në vazhdim shtron problemin; pse ata që ishin koka u liruan dhe unë vuaj dënimin”?!
Nga faktet e mësipërme, nxjerrë nga studimi i dokumenteve, del se: Barbara e Vaskë Orgocka dhe Barbara Mullaj kanë qenë agjente të Zbulimit polak. (Për dijeni në muajin Shtator 1969, dy Barbarat u sollën në hetuesinë e Degës së Punëve të Brendshme në Tiranë, për t’i përgatitur në takimet që do të bënin me përfaqësuesit e ambasadës polake në Tiranë – Këtë problem më hollësisht, do ta trajtojmë më poshtë).
Se çfarë fshihet pas lirimit para kohe nga burgu dhe riatdhesimit të agjentëve polakë, Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj për në Poloni, do të japin shpjegime në hetuesi armiqtë Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu. Por nga ana tjetër, sipas këtij, Vasillaq Orgocka, duhet që ne të bimë në pozitat e këtyre armiqve e, të bëjmë përjashtim për të dhe ta lirojmë këtë agjent! Kam mendimin se; në asnjë mënyrë.
4. Përfaqësuesit e ambasadës polake në Tiranë, kërkuan disa herë që të takonin Barbara Orgockën, por meqenëse kjo kishte mbajtur qëndrim negativ në hetuesi, po ashtu vazhdonte të mbante këtë qëndrim edhe në burg, nuk u lejua që ta takonin me pretekstin se ajo ishte e sëmurë. Polakeve ju tha se; mund të takoheni me Barbara Mullaj, për të cilin dihej nga ana e jonë se kishte dhe vazhdonte të mbante qëndrim të mirë. Polaket pranuan.
Për pasojë, me datë 16.9.1969, në një nga dhomat e pritjes të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u organizua takimi midis përfaqësuesve të ambasadës polake dhe të dënuarës, polake Barbara Mullaj.
Takimi u bë në prezencë të Kadri Gojashit dhe përkthyesit Osman Kraja. Përfaqësuesit polakë i ngritën këto çështje Barbarës: “Nëse në gjykimin e çështjes është siguruar zbatimi I ligjshmërisë, ambasada e saj interesohet për shtetasen e saj, prandaj kërkojmë të dimë nëse, Barbara ka nevojë për ndihmë konsullore etj. Barbara nga ana e saj, mbajti qëndrim pozitiv, duke akuzuar polakët që e futën në rrugën e spiunazhit.
Në fund, përfaqësuesi polak, Zavacki kërkoi nëse mund të takohej edhe me polaken tjetër Barbara Orgocka (materiali i këtij takimi i bashkëngjitet këtij informacioni).
Nëse është takuar Barbara Orgockat me polakët, në dokumenta nuk del, por shoku K________S________ kujton se është bërë një takim i tillë. Para se të organizohej takimi i saj me polakët, e morëm Barbara Orgockën dhe e dërguam në hetuesinë e Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë dhe aty filluam të punojmë me të, për ta bindur që gjatë takimit, të mbante një qëndrim të mirë.
Më në fund arritëm që ta bindim dhe gjatë takimit të saj me polakët, mbajti qëndrim shumë pozitiv, duke i diskretituar ata, për veprimtarinë e spiunazhit që zhvillonin kundër Shqipërisë. Këtë qëndrim të saj, nuk e kishim parashikuar edhe ne. Pas dy a tre ditëve, shkova për ta takuar, kujton shoku K_______ S_________, Barbara Orgocka ishte e egërsuar me ne dhe ishte penduar, që u kishte folur në atë mënyrë polakëve.
Këto takime të përfaqësuesve të ambasadës polake me të dënuarat Barbara Orgocka dhe Barbara Mullaj, janë bërë me dijeninë e armiqve Kadri Hazbiu e Feçor Shehu (sipas bisedës me K________S_________)
- Nga studimi i dokumenteve në ngarkim të Barbara Orgockës, gjendet informacioni i bërë nga Manol Milo (ish-kryetar i Degës së II-të) me datë 6.5.1970 (kohë në të cilën kjo polake ishte duke vuajtur dënimin në burg) del se Barbara i ka dërguar tre letra Vlladisllav Gluc, nga të cilat është kapur letra e tretë.
Në letrën e fundit drejtuar Vlladisllav Gluc, në mes të tjerave kjo polake shkruan: “…Më i shtrenjti, më i dashuri babai i im … është e treta letër që po ju shkruaj juve në Poloni … këtu nuk e besojnë se ju jeni babai im, të cilin e dua më shumë. Akoma edhe një herë në emër të këtyre fjalëve, që të interesoheni për mua. Këtu mua nuk më don njeri përveç se fëmijëve të mi. Të bije në këmbë, ju puth dorën tuaj. Me nderime e respekt Barbara Orgocka me fëmijët.
Në këtë informacion me datë 15.5.1970, armiku Feçor Shehu ka vënë shënim: “V.O. Të organizojmë përpunimin e Barbarës, për të zbuluar personin që ka dërguar letrën. Për këtë të merret vetë dega e II”.
Më datë 15.8.1970 Barbara Orgocka i dërgon përsëri nga burgu, një letër Vlladisllav Gluc, letër e cila u kap nga organet e Sigurimit. Në këtë letër thuhet: “… I shtrenjti dhe i dashuri babai im … na shpëto që këtej nga ferri, nga shfrenimin i vitit 1970… pse nuk jep ultimatum për mua dhe fëmijët e mi … kaq shumë ju dua që të gjithëve. Të puthura për mamanë … Bija juaj Barbara Orgocka me fëmijë” (këto materiale i bashkëngjiten këtij informacioni).
6. Në dosjen e Barbara Orgocka, gjendet një letër e nënës së saj, polakes J________Gluc, dërguar komandantit (Enver Hoxhës), e cila ndërmjet të tjerash i kërkon t’i lirohet vajza e saj nga burgu dhe t’ia dërgojnë në Poloni.
Në faqen 417 të dosjes operative Nr.291/IV, gjendet shkresa Nr.13 date 18.2.1971 e Komitetit Qendror drejtuar Ministrisë Punëve të Brendshme në të cilën thuhet: “Me porosi të shokut Hysni, ju dorëzojmë për njoftim kopjen e letrës që i drejton shokut Enver e quajtura J_______ Gluc nga Polonia”. Kjo shkresë firmoset nga i ngarkuari me punën e letrave dhe ankesave, V_______ S________”.
Në këtë letër, të J________ Gluc-it, armiku Feçor Shehu me datë 22.2.1971, ka bërë këto shënime: “Kjo letër është e diktuar dhe me qëllime të ulta. Çudi! Si nuk ua merr mendja, megjithëse të gjitha i kanë bërë vetë, për kontrabandën di vetë “nëna”. Ta bisedoni me shokun ministër”.
Ndërsa me datë 1.3.1971, po në këtë letër, ky armik bën këtë shënim: “Drejtorisë së Parë (degës së II). Të bëhet informacion shokëve lart, ku të përshkruhet ç’është kjo dhe ajo tjetra çfarë qëndrimi mbajnë dhe pastaj propozimi, që të kthehen në Poloni”.
Nga këto dy shënime, nxirret një konkluzion: se armiku Feçor Shehu, duhet ta ketë biseduar këtë problem, me armikun tjetër Kadri Hazbiu dhe mbasi janë konsultuar me njeri-tjetrin, kanë rënë dakord që të propozonin për t’i riatdhesuar këto dy polake, agjente të Zbulimit polak të cilat vuanin dënimin në repartin Nr.318 në Qytetin-Stalin.
Jemi duke punuar për sqarime të mëtejshme, për problemin e polakeve./Memorie.al
Punëtori Operativ
Hasan Ulqinaku