Dosja ekskluzive/ Ja çfarë ndodhi para e pas sulmit me 2 kallashë ndaj Plaurent Dervishaj

29 Qershor 2019, 07:40| Përditesimi: 29 Qershor 2019, 15:25

  • Share

Në sulmin me armë të 20 qershorit 2019 në Durrës, Plaurent Dervishaj, Julian Meçen dhe mikun e tyre Bashkim Haxhija, i ka shpëtuar vetëm zoti dhe askush tjetër. Kjo pasi dy persona, që momentalisht ende nuk janë identifikuar nga policia e Durrësit, kanë lëshuar mbi ta, nga një distancë shumë e afërt, plot 43 plumba nga dy kallanikovë dhe sërisht ata, nuk kanë mundur ta çojnë deri në fund porosinë e marë, ekzekutimin e Plaurent Dervishaj. Këtë herë zoti ka qënë me Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçen e Bashkim Haxhiaj. Ky i fundit mund të konsiderohet “heroi” i këtij atentati, pasi ka qënë i vetmi që ka reaguar me armë dhe ka shpëtuar nga vdekja Julian Mecen, duke e transportuar me urgjencë dhe makinën e bërë shoshë,drejt e në spital. Të tre personazhet shumë të njohur në Durrës dhe me probleme me drejtësinë Shqiptare, kanë mundur ti shpëtojnë paq një superatentati të mirëorganizuar dhe përgatitur në çdo detaj.

Në dosjen hetimore që ka mundur të sigurojë “Shqiptarja.com”, tregohet qartë dinamika se si ka rrjedhur ngjarja, lëvizjet e tre personazheve objekt sulmi, nga kalata e portit të Durrësit deri në Maminas, aty ku Dervishaj kishte shkuar së bashku me dy shokët e tij, për të parë hedhjen e themeleve të banesës së tij të re. Por në kthim, teksa ndodheshin në afërsi të qëndrës shëndetësore në fshatin Koxhas, makina ku udhëtonin tre personazhet e mësipërm, është bërë tabelë qitje, nga dy persona me kallashnikovë, duke bërë shoshë mjetin. Të dy personat, kanë kapur në befasi dhe në një pozicion ballor objektivin, duke hapur zjarr të menjëhershëm. Atentatori me kapele të zezë që shihet në pamjet filmike, ka zbrazur të gjithë karikatorin e automatikut, ndërsa atentatori me kapele të bardhë ka qëlluar fillimisht disa plumba, por më pas arma i është bllokuar, dhe efektivisht nuk ka qëlluar më. Me bindjen se kishin ekzekutuar Plaurent Dervishaj dhe dy miqtë e tij, të ndihmuar dhe nga një person tjetër, shofer, janë larguar me shpejtësi me një automjet tip BMW. Sipas dosjes së prokurorisë i vetmi nga të pranishmit në makinë që ka pasur guximin të reagojë pas largimit të autorëve, ka qënë Bashkim Haxhiaj, që ndodhej në pjesën e pasme të mjetit, i cili u është vënë nga pas makinës së autorëve duk i qëlluar plot 6 herë me një pistoletë kalibër 9 m.m. Në pamundësi për ti ndalur autorët, Bashkim Haxhija është kthyer tek automjeti me targë AA005MJ, e ka gjetur të plagosur shokun e tij, drejtuesin e mjetit Juljan Meçe,ndërsa miku tjetër Plaurent Dervishaj, kishte dalë nga makina dhe ishte shtritë në tokë.

Bashkim Haxhija ka marrë drejtimin e makinës tip “Range Rover”, dhe ashtu siç ishte e bërë shoshë nga plumbat, është nisur për ta çuar në Spitalin Rajonal Durrës për ndihmë mjekësore mikun e tij Julian Meçe. Mirëpo tek rreth-rrotullimi në afërsi të “Rojal-Gaz” në hyrje të Durrësit automjeti tip “Range Rover” është fikur dhe ka ndaluar. Në këto momente Bashkim Haxhija, ka kërkuar ndihmë dhe me një automjet tjetër të plagosurin Juljan Meçe, e ka çuar në Spitalin Rajonal Durrës e pas mjekimeve të para është dërguar për ndihmë më të specializuar mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Po kështu rezulton se i plagosuri tjetër Plaurent Dervishi me një automjet të rastit nga vendi i ngjarjes është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës për ndihmë mjekësore.

Nga porti i Durrësit tek mbikqyrja e punimeve
Në dosjen hetimore të hapur për akuzën e “Vrasjes në rrethana të cilësuara” e kryer ndaj dy ose më shumë personave në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e prodhimi i armëve dhe armëve shpërthyese e municionit”, jepen detaje konkrete mbi atentatin me armë të ndodhur në 20 qershor 2019. Pikërisht në këtë datë, rreth orës 09:00 Juljan Meçe, Plaurent Dervishi dhe Bashkim Haxhija, janë futur në ambientet e Portit Detar Durrës dhe kanë qëndruar për një kohë tek kalata e peshkimit. Më pas ata, me automjetin tip “Range Rover” me targë AA 005 MJ,kanë udhëtuar për në drejtim të fshatit Koxhas të Shijakut, pasi Plaurent Dervishi kishte filluar punimet për hedhjen e themeleve dhe ndërtimin e një banesë private aty. Rezulton se rreth orës 13:00, të datës 20 qershor 2019, Plaurent Dervishi (Dervishaj),Juljan Meçe dhe Bashkim Haxhija me automjetin e mësipërm, janë nisur për t’u kthyer duke ndjekur interarin e rrugës nga fshati Koxhas-Maminas për të dalë në rrugën e Maminasit, e për të vazhduar për në Durrës.

Sulmi i befasishëm
Automjeti drejtohej nga Juljan Meçe dhe në kohën që kanë mbërritur në dalje të rrugës nacionale në afërsi të ambulancës së fshatit Koxhas, persona të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimeve paraprake me armë zjarri me breshëri kanë qëlluar shumë herë në drejtim të automjetit tip “Rang-Rover” me targë AA005MJ, për të realizuar vrasjen e tyre. Drejtuesi i automjetit, Juljan Meçe i ka dhënë gaz automjetit duke e devijuar atë, por breshëria e plumbave, ka përshkruar pjesë të ndryshme të automjetit. Nga të shtënat e shumta me breshëri me armë zjarri është plagosur, Plaurent Dervishi që ndodhej në automjet, e ndodhej i ulur poshtë kroskotit, të pjesës së brendshme të automjetit. Ai ka mundur të dalë nga njëra prej dyerve të makinës dhe për një kohë, ka qëndruar i shtrirë në tokë i plagosur. Po kështu nga të shtënat e shumta me breshëri me armë zjarri është plagosur në trup dhe drejtuesi i automjetit tip “Range-Rover” me targë AA005MJ, Juljan Meçe, ndërsa shoku i tij, Bashkim Haxhija ka zbritur nga automjeti dhe me një armë zjarri tip pistoletë që mbante me vete, pa leje të organeve shtetërore kompetente ka qëlluar në drejtimin nga vinin të shtënat me breshëri prej autorëve që u kishin zënë pritë për t’i ekzekutuar.

Haxhija me makinën shoshë, niset me Meçen e plagosur në spital
Ndërkohë të shtënat me armë zjarri janë ndërprerë dhe autorët që kishin organizuar pritën janë larguar me automjet, ndërsa Bashkim Haxhija është kthyer tek automjeti me targë AA005MJ, e ka gjetur të plagosur shokun e tij, drejtuesin e mjetit Juljan Meçe, e është nisur për ta çuar në Spitalin Rajonal Durrës për ndihmë mjekësore. Mirëpo tek rreth-rrotullimi në afërsi të “Rojal-Gaz” në hyrje të Durrësit automjeti tip “Rang Rover” është fikur dhe ka ndaluar, e personi nën hetim Bashkim Haxhija me një automjet tjetër të plagosurin Juljan Meçe, e ka çuar në Spitalin Rajonal Durrës e pas mjekimeve të para është dërguar për ndihmë më të specializuar mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Po kështu rezultoi se i plagosuri tjetër Plaurent Dervishi me një automjet të rastit nga vendi i ngjarjes, është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës për ndihmë mjekësore.

43 gëzhoja kallashi e gjashtë pistolete
Policia e Durrësit, ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe të automjetit tip “Rang Rover” me targë AA005MJ. Nga proces-verbali i këqyrjes del se në vendin ku shtetasve, të dëmtuarve Plaurent Dervishi, Juljan Meçe e Bashkim Haxhija, autorët kishin zënë pritë për t’i vrarë, janë gjetur të shpërndara 43 copë gëzhoja model 56 kalibër dhe 6 gëzhoja kalibër 9 mm dhe një aparat telefonik tip “Samsung”. Ndërsa tek automjeti tip “Rang Rover” me targë AA 005 MJ, janë konstatuar dëmtime, 42 vrima nga jashtë brenda të shkaktuara nga të shtënat me breshëri me armë zjarri. Në automjet janë gjetur sende e materiale të ndryshme të Juljan Meçe, Plaurent Dervishi e Bashkim Haxhija. Policia e Durrësit, për sqarimin e rrethanave të çështjes ka marrë në pyetje Ahmet Masha, Miri Cenaj, Ridvan Dibra e Geri Koliqi, si dhe është realizuar këqyrja e të dëmtuarve Plaurent Dervishi, Bashkim Haxhija e është vendosur kryerja e ekspertimeve përkatëse balistike, teknike, mjeko-ligjor, etj.

Makina BMW dhe 2 kallashët e djegur
Në vazhdim të hetimeve, policia Durrës ka gjetur në autostradën Durrës-Tiranë, në rrugën dytësore, pranë subjektit “Meshkurti” një automjet veturë tip “B.M.Ë.” i djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët që qëlluan me armë zjarri me breshëri, në drejtim të automjetit me targë AA005MJ, për të vrarë Juljan Meçe, Plaurent Dervishi e Bashkim Haxhija. Gjatë këqyrjes ka rezultuar se në automjetin e mësipërm të djegur ndodheshin dhe dy armë zjarri, automatik tip “Kallashnikov” të djegur e në hetim është marrë një copë xhami të automjetit me disa shënime të fabrikuara me cilësinë e provës materiale. Pas këqyrjes fizike të dëmtuarve Juljan Meçe e Plaurent Dervishi është realizuar dhe këqyrja e personit nën hetim Bashkim Haxhija.

Haxhija me gjurmë baruti
Ndërkohë nga proces-verbali i marrjes së faktorëve plotësues të qitjes, i datës 20 qershor 2019, ora 16:00, del që në rrobat që mbante të veshur personi nën hetim Bashkim Haxhija, konkretisht pantallonat janë gjetur gjurmë plotësues dhe për këtë shkak është vendosur kryerja ekspertimit kimik i tyre, ku ka rezultuar se është evidentuar prania e nitrateve dhe nitriteve, të cilat janë të pranishme dhe tek mbetjet e qitjes me armë zjarri. Nisur nga ky konkluzjon por edhe nga pamjet filmike, është kryer arrestimi në flagrancë i Bashkim Haxhiaj për akuzën e “mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”, akuzë për të cilën gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Analizimi i pamjeve filmike
Policia e Durrësit, për sqarimin e rrethanave të ngjarjes ka realizuar dhe këqyrjen e pamjeve të rregjistruara nga kamerat e sigurisë nga N.V.R. të banesës së P.G, e ndodhur në afërsi të vendit të ngjarjes. Nga proces-verbali i datës 20 qershor 2019, i këqyrjes së pamjeve filmike të kamerave të sigurisë i shoqëruar me fotografitë përkatëse, del se në automjetin tip “B.M.Ë.” që kishte qëndruar në krah të qendrës shëndetësore në Koxhas, kanë qenë dy persona me kapele, me armë zjarri automatik që qëllojnë mbi automjetin tip “Rang Rover” ku ndodheshin Julian Meçe, Plaurent Dervishi e Bashkim Haxhija. Për pak sekonda automjeti tip “B.M.Ë.” është nisur për t’u larguar dhe në këtë kohë nga mjeti “Rang Rover” del një person me bluzë të bardhë që nga hetimet del se ka qenë personi nën hetim Bashkim Haxhija, që qëllon në drejtim të automjetit tip “B.M.Ë.” me një armë të ngjashme me ato të llojit-pistoletë. Më pas personi i mësipërm kthehet tek automjeti tip “Range Rover” të ndaluar tek muri i qëndrës shëndetësore dhe largohet. Po kështu del se camera nr. 1, e banesës së P.G në orën 11:56, ka fiksuar veprimet e Plaurent Dervishaj, që më parë kishte mundur të dalë nga automjeti i plagosur. Mbi bazën e provave të mësipërme organi i Prokurorisë ka konkluduar se në vendin e ngjarjes dhe personi nën hetim Bashkim Haxhija, ka patur me vete armë tip pistoletë, me të cilën ka qëlluar mbi autorët që u kishin zënë pritë për t’i vrarë gjatë kohës që ata janë larguar me automjetin tip “B.M.Ë.”. Ky automjet më pas është gjetur i djegur dhe në të gjendeshin dy armë zjarri tip “Kallashnikov” të djegur, të përdorur nga autorët që kanë vepruar për të realizuar vrasjen e Plaurent Dervishi, Juljan Meçe e Bashkim Haxhija.

Haxhija: Nuk kam pasur me vete armë
Personi nën hetim Bashkim Haxhija, nuk ka pranuar që të ketë patur me vete armë zjarri pistoletë në vendin e ngjarjes dhe ka shtuar se në vendin, ku u kishin zënë pritë për t’i vrarë, ka arritur të shikojë si hije vetëm një person me mjekër, pranë murit të qëndrës shëndetësor në Koxhas, të Shijakut, në kohën që në drejtim të automjetit ku ndodhej bashkë më të dëmtuarit Plaurent Dervishi e Juljan Meçe, është qëlluar me armë zjarri me breshëri për t’i vrarë.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • www.youngtribune.com: 29/06/2019 12:30

    Drejtesia I liron. Vetegjygjesia I denon.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?