Plot 20 plumba janë derdhur mbi Bujar Hasanin,'Lika' dhe biznesmenin e kazinove Paulin Gjergji, 'Markaj', në atentatin e organizuar në hotelin “A&A” në Mamuras të Kurbinit. I pari që ka qëlluar me armë ka qenë Bujar Hasani, i cili në pamundësi për të mbajtur në vend Eduart Lamaj, i veshur si polic dhe me kallashnikov në dorë , ky është qëlluar i fundit me dhjetëra plumba.
Në vendimin e gjykatës së Kurbinit, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për të arrestuarin e parë si të dyshuar në këtë ngjarje Kreshnik Tusha, jepet një tablo e qartë se si ka ndodhur krimi, ku evidentohet se Lika ka qëlluar me një pistoletë tip “Glock” pa numër serie dhe që në krehrin e saj janë gjendur 7 fishekë. Prokuroria dhe policia në këtë ngjarje i referohen vetëm analizës së pamjeve filmike ku duket qartë se vrasja e Paulin Markaj dhe Bujar Hasanit ka ndodhur në 1 minutë e 40 sekonda.
Personi që ka hyrë i pari në lokal dhe që mendohet se është Eduard Lama, ka marrë një plumb në kupën e gjurit të këmbës së majtë dhe ashtu i shtrirë siç ishte ka qëlluar me automatik. Nga kqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se personi i maskuar i cili ka hapur zjarr në drejtim të tavolinës ku ishin ulur Bujar Hasani (Lika) dhe Paulin Gjergji (Markaj) ka mbetur i plagosur.
Dëmtimet e shkaktuara nga të shtënat e armës së llojit pistoletë të përdorur nga Bujar Hasani Lika, i ka marrë në këmbën e majtë. “…kjo sepse autori këtë këmbë e tërheq tokazi në dyshemenë e bar kafesë. Edhe kur personat e tjerë të armatosur i japin ndihmë duke e tërhequr, vihet re se ky person këmbën e majtë e tërheq tokazi, zvarrë…”, thuhet në vendimin e gjykatës së Kurbinit. Ndërkohë një tjetër fakt interesant dhe që shërben për zbardhjen e këtij atentati është dhe dëshmia e kamarierit të lokalit, i cili nga pamjet filmike tregohet qartë se ka parë të gjithë ngjarjen, megjithëse në një moment ka hyrë brenda banakut dhe është fshehur.
Kjo pasi në lokal kanë hyrë brenda dhe dy persona të tjerë të armatosur. Pavarësisht se ngjarja tashmë është zbardhur dhe policia në bashkëpunim me prokurorinë e Laçit kanë arrestuar Eduart Lamaj dhe dy mjekët Viktor Marku dhe Besim Lama, por sërisht Kreshnik Tusha vijon të qëndrojë në burg si i dyshuar për këtë ngjarje.
Tusha, rezulton se ka shkuar në orën 22:00 të po asaj nate në spitalin e Laçit dhe në orën 03:00 të mesnatës i është komunikuar urdhri i arrestit nga policia. Momentalisht për këtë ngjarje vijojnë të jenë në kërkim 33-vjeçari Ilir Xhepaj (Likaj), 31- vjeçari Elson (Oltion) Alija (Vlashi) dhe 21-vjeçari Klaudio Perkola. Ky i fundit djali i një efektivi policie në qytetin e Laçit.
Pjesë nga dosja
Në vijim të hetimeve të para për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë në Laç, policia dhe prokuroria e Kurbinit ka marrë në pyetje kamarierin e lokalit, A.H. Ky i fundit është njeriu i vetëm që ka parë të gjithë skemën e krimit dhe personi që ka vënë re i pari praninë e makinës, por ka menduar se janë klientë dhe është pozicionuar në banakun e recepsionit. Kamarieri tregon se pas ikjes së autorëve ka ndihmuar dy djemtë e Paulin Gjergjit të hipin babain e tyre të plagosur në makinë dhe mandej ka shkulur pajisjen DVR, që shërben për ruajtjen e pamjeve filmike. Ai tregon se ka njoftuar dhe policinë e Laçit, por linja 129 ka qenë e zënë.
Sipas tij policia ka mbërritur në vendngjarje me 30 minuta me vonesë. Në dëshminë e dhënë para grupit të hetimit A.H. tregon se ”…isha në banak kur kam parë një automjet që ka kaluar në rrugë, përpara hotelit. Pasi ka kaluar pak metra është ndaluar dhe ka ecur mbrapsht, duke hyrë në parkimin e hotelit. Pasi ka kaluar pak metra është ndalur, duke lëvizur mandej mbrapsht dhe hyrë në parkimin e hotelit. Kam menduar se mund të ishte ndonjë klient, për ndonjë dhomë hoteli dhe kam shkuar për tek recepsioni. Sapo jam afruar kam parë dy persona të maskuar dhe me rroba me mbishkrimin “Policia”, të cilët kishin armë automatike në dorë, të cilët kanë hyrë te “Bar-Kafeja” e hotelit. Mandej kam dëgjuar të shtëna armësh…”-rrëfen kamarieri.
Ai ka pohuar se është shtrirë tek recepsioni dhe nuk ka lëvizur për rreth dy ose tre minuta, derisa kanë përfunduar të shtënat e armëve. Ai ka treguar në polici se ka dëgjuar shumë të shtëna me breshëri, por nuk i ka parë personat që kanë qëlluar.
“…Më pas kanë ardhur dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve po bërtiste dhe po shante…kuptohej se ishte djali i njërit prej klientëve që ishin plagosur…”-thotë kamarieri. Ky i fundit thotë se ka ndihmuar dy djemtë e Paulin Gjergjit, që të hipnin në makinë “Range-Rover” babain e tyre, ndërsa personi tjetër nuk kishte asnjë shenjë jete. Kamarieri thotë se ka telefonuar pronaren e hotelit duke njoftuar se çfarë kishte ndodhur. Sipas tij, pronari i ka lënë porosi që të shkulte aparaturën e pamjeve filmike DVR-në, pasi kishin frikë se mos autorët ktheheshin dhe merrnin aparaturën e ruajtjes së pamjeve filmike dhe zhduknin provat. DVR-ja është marrë nga pronarja e cila është marrë në pyetje dhe ka treguar momentin e orientimit të kamarierit që të shkulte DVR e pamjeve filmike, dhe pasi në hotel është paraqitur një oficer policie ajo DVR-në, ja ka dorëzuar policisë.
Kreshnik Tusha, njeriu që kishte vetëm një ditë që sapo kishte dalë nga burgu i Fushë-Krujës, pas përfundimit të një dënimi me 1 vit burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, rezulton të jetë qëlluar me katër plumba automatiku, shumë pranë banesës së tij. Ai ka qenë nën shoqërinë e mikut të tij Ermal Leka, me të cilin pasi kishin pirë kafe dhe mbushur ujë të pijshëm pranë një çezme tek shinat e trenit, janë larguar në banesë. Tusha ka treguar se menjëherë sa ka zbritur nga makina, një person që nuk ka mundur ta identifikojë e ka thirrur“…Policia e Shtetit…” dhe ka qëlluar me armë duke e plagosur në këmbë. Prokuroria thotë se ka gjetur në vendngjarje 4 gëzhoja. Thëniet e tij konfirmohen dhe nga shoku, Ermal Lika, i cili ka treguar në polici se ishte një person që thërriti “…Policia e Shtetit…” dhe ka qëlluar me armë. Ai tregon se në këtë moment ka ulur kokën dhe është strukur brenda në makinë, ndërsa nuk ka parë fare se nga cila ana kishte ikur shoku i tij, Kreshnik Tusha. Vetëm pak më vonë ka mësuar se ai ishte plagosur me një plumb në këmbë.