Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërkuar një takim me Ghislaine Maxwell, ish-aleaten e biznesmenit Jeffrey Epstein, për të diskutuar rreth çështjes.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Todd Blanche tha se prokurorët do të kërkojnë të dinë "çfarë di ajo".
Avokatët e Maxwell thanë për BBC-në se ata janë në diskutime me qeverinë dhe se Maxwell do të "dëshmojë gjithmonë në mënyrë të vërtetë".
Kërkesat për më shumë transparencë rreth çështjes Epstein janë shtuar në javët e fundit, përfshirë edhe nga mbështetës të Presidentit Donald Trump.
Megjithatë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, deklaroi se kjo dhomë nuk do të votojë për publikimin e më shumë dosjeve deri në shtator.
Ndërkohë, Presidenti Trump, në një deklaratë nga Zyra Ovale, tha se marrja në pyetje e Maxwell është "diçka e arsyeshme".
Epstein, i dënuar për krime seksuale, vdiq në qelinë e tij të burgut në New York në vitin 2019, gjatë kohës që priste gjyqin për akuzat e ngritura ndaj tij.
Më herët këtë javë, Trump kërkoi që Prokurori i Përgjithshëm Pam Bondi të drejtojë një kërkesë në gjykatë për publikimin e dëshmive të gjyqit të madh të lidhura me çështjen Epstein.
Maxwell u dënua me 20 vjet burg në qershor të vitit 2022 për ndihmën që i dha Epstein në abuzimin seksual të vajzave të reja.
Maxwell gjithashtu kërkoi më herët gjatë këtij viti që Gjykata e Lartë të shqyrtonte apelimin e saj, por Departamenti i Drejtësisë kërkoi refuzimin e këtij kërkese javën e kaluar.
Komente
