Organizata kriminale shqiptare e trafikut të drogës që drejtohej nga Franc Çopja dhe Ervis Çela rezulton të ketë qarkulluar miliona euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Sipas dosjes së SPAK prej 282 faqesh të siguruar nga Report Tv, anëtarët e kësaj organizate të fuqishme kriminale që diktonte çmimin e kokainës në Evropë, flitet për sasi të mëdha eurosh cash që transportoheshin në Shqipëri.
Dy anëtarët kryesorë të organizatës ishin Franc Çopja alias Franc Gergely, i cili është arrestuar disa kohë më parë në Belgjikë. Ai e drejtonte prej andej aktivitetin ku kujdesej për pritjen e lëndës narkotike që vinte nga Amerika Latine në Evropë si dhe akumulonte paratë. Më pas shumat e eurove i dërgonte në Shqipëri, ku pritësi kryesor dhe që kujdesej për to ishte Ervis Çela.
Rrjeti është zbuluar nga SPAK falë bashkëpunimit me Europol dhe agjenci të tjera ligjzbatuese europiane, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e koduar Sky ECC.
Në bazë të këtyre komunikimeve mes anëtarëve të grupit, janë evidentuar biseda të plota për transferimin e parave në Shqipëri. Këto biseda janë përfshirë në dosjen e SPAK që disponon Report Tv. Gjithashtu pasqyrohen edhe foto të shumta të tufave me euro që anëtarët e grupit i dërgonin njëri-tjetrit.
Në një komunikim të Dhjetorit 2020 në orën 12:05, mes Ervis Çelës dhe Franc Çopjas, thuhet se eurot do të groposeshin në Shqipëri poshtë rrënjëve të ullinjve.
Këtë e pohonte Ervis Çela, ndërsa Franc Çopja e këshillonte t’i investonte në lingota ari pasi nën tokë paratë do të shkatërrohen.
“Ervis Çela i shkruan se disponon 200 rrënjë ullinj dhe për secilin ulli do të bëjë një gropë për fshehjen e parave. Franc Gergely këshillon Ervis Çelës që paratë cash të akumuluara t’i investojë në lingota ari dhe të mos i groposë sepse rrezikojnë të dëmtohen”, thuhet në dosjen e SPAK.
Pjesë nga biseda e Ervis Çelës me Franc Çopja:
Ervis Çela: Kam 200 ullinj në mal duhet fut naj qyp atyre. Se ullijt rrojnë shumë.
Franc Çopja: Aahaha...kthej flori. Mos fut lek n tokë. Më dëgjo mu...
Ervis Çela: S’ka flori...Duhet me grabit naj bank..Duhet me porosit nga Afrika...
Franc Çopja: E di që ska..Do flas un ktu me njanin mos na i sajo ky...Po mblidhi avash avash...Por mos fut lek n tok... Se t prishen..
Ervis Çela: E di që prishen lekët.
Në datë 13 Dhjetor 2020, në orën 21:07, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Ardjan Çela me të cilin dyshohet se bisedojnë në lidhje me fshehjen e parave cash dhe sasinë e parave të akumuluara prej tyre.
Ervis Çela: Marove tu bo gropa?
Ardjan Çela: Tani po mbaroj duke i përgatit..filloj dhe shiu tani...
Ervis Çela: Do ja kalosh lales?
Ardjan Çela: Po të mbaroj fuçin dhe të shkoj ti mbyll...Ahahaha...
Ervis Çela: Ahahaha...i bone 10?
Ardjan Çela: Lala ka më shumë...Po
Ervis Çela: Të nis dhe 4/5M ktë javë që vjen...Ahahaha...
Ardjan Çela: Flasim më vonë...
Më datë 14.12.2020, në orën 17:03 Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Riza Çela të cilit i shkruan se ka akumuluar një vlerë monetare prej më shumë se 100 milionë euro.
Më datë 2 Shkurt 2021 në orën 21:03, Ervis Çela komunikon me Franc Gergely (Çopja) të cilit i shkruan: “Nuk dijm ku me çu lekët”.
Ervis Çela i përgjigjet: Flori shok...Do t jap un kontakt..Do ti kthej të gjitha shqipri.
Franc Çopja: 20/30 kile çdo dit..Bani 1000 kile flori...
Ervis Çela: Po merr nja 200/300 kile për mu..
Franc Çopja: Ësht me 55 tani..Un vet kam arrit ke 100 kile deri tani...
Në megaoperacionin e SPAK për goditjen e kësaj organizate kriminale, u arrestuan 10 persona, ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim.
GJKKO ka konfirmuar masën “arrest në burg” për Ervis Çelën edhe për 6 të arrestuarit e tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela.
I vetmi me masën sigurie më të butë është Riza Çela, i cili u la në “arrest në shtëpi” dhe “detyrim paraqitje” për dy shoferët e autobusëve, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa, të cilët sillnin paratë në Shqipëri. I arrestuar më herët në Belgjikë është Franc Çopja.
Me dy episode në vitet 2020-2021, bosët e kokainës Franc Çopja dhe Ervis Çela, që u goditën nga SPAK javën e kaluar, arritën që të trafikonin nga Amerika Latine në Evropë 28 ton kokainë, 17 prej të cilave ju kapën.
Por mesa duket halli më i madh i kësaj organizate shqiptare, që sikurse e cilësoi SPAK kishte fuqinë të diktonte çmimin e kokainës në Evropë, ishte ku të fshihnin milionat e shumta të eurove që vinin në Shqipëri e pastroheshin këtu.
Ervis Çela dhe vëllezërit e tij kishin hapur gropa në rrënjët e ullinjve për të fshehur tufat e eurove. Ndërsa Franc Çopja, nga Belgjika, i sugjeronte që të investonte në lingota ari.
Në dosjen që Report Tv ka siguruar, evidentohet një tjetër komunikim ku bie në sy sasia e madhe e eurove që ka akumuluar çdo anëtar i kësaj organizate.
Sipas dosjes së SPAK, më 6 Shkurt 2021, në orën 21:33, Albin Çela shkruan me vëllain e tij Ervis Çela në aplikacionin Sky ECC, duke i thënë: “Bona i grop sonte...”
Ervis Çela: Hë sa fute?
Albin Çela: 4 cop...6 milion..I futa atje ke magazinat. Do i hedh beton përsipër...Po kam frikë knej për baçe se marrin lagështi...Mos u mërzit se i rregulloj unë...Do blej 500 kile flori...Nuk mahen lekët në gropë gjithë jetën.
Në këtë bisedë, vëllezërit Çela flasin për hapjen e gropave në rrënjët e ullirit për të fshehur eurot e kokainës dhe merakut të tyre se mos u prishen nën tokë dhe investimit të tyre në lingota ari ose flori.
Rreth 3 orë më vonë të së njëjtës datës, Ervis Çela i shkruan sërish vëllait të tij Albin Çela të cilin e pyet nëse është akumuluar shuma e parave prej 60 milionë euro për të “rregulluar kalamajtë”.
Ervis Çela: I bone 60 milionë?
Albin Çela: Jo nuk i kam bo.
Ervis Çela: Ok se do i bosh...Të rregullosh kalamojt’....
EUROPOL ka njoftuar zyrtarisht goditjen e organizatës kriminale të Franc Çopjas të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës përmes dy episodeve nga Amerika Latine drejt Evropës, që ka qarkulluar miliona euro.
Në datat 7 dhe 8 gusht 2025, një seri kontrollesh në Shqipëri me urdhër të SPAK dhe GJKKO çuan në arrestimin e 10 personave të përfshirë në trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të kokainës dhe pastrim parash.
“Operacioni u zhvillua nga autoritetet shqiptare të rendit në bashkëpunim të ngushtë me kolegët e tyre nga Belgjika, Franca, Gjermania, Italia dhe Holanda, me mbështetjen e Europol, duke goditur një rrjet kriminal me bazë klanore. Hetimet kanë zbuluar se ky rrjet kishte lidhje me organizata të tjera kriminale ndërkombëtare me rrezikshmëri të lartë, aktive në mbarë BE-në dhe më gjerë”, njofton Europol.
Gjatë operacionit u sekuestruan një resort turistik, vila, apartamente, toka, automjete dhe aksione në kompani me vlerë prej disa milionë eurosh; 111 800 euro, 4 000 dollarë amerikanë dhe 880 000 lekë shqiptare (rreth 9 048 euro) në cash.
Përkundër faktit se platforma e komunikimit të enkriptuar Sky ECC u çmontua mbi katër vite më parë, analizimi i përmbajtjes së saj nga Europol vazhdon të japë rezultate operacionale.
Operacioni i drejtuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte në qendër një shtetas shqiptar të përfshirë në trafik ndërkombëtar të kokainës dhe pastrim parash.
Hetues nga Shqipëria, Belgjika, Franca dhe Holanda, së bashku me ekspertët e Europol, analizuan të dhënat e komunikimeve të enkriptuara nga platforma Sky ECC.
Midis episodeve të dokumentuara kriminale ishin dërgesa të shumta me tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun dhe Roterdamin.
Vetëm në një nga këto ngarkesa, organizata dyshohet se ka përfituar mbi 40 milionë dollarë.
Kreu i organizatës kriminale ishte përgjegjës për organizimin e dërgesave dhe investimin në sasi të mëdha kokainë, duke i koordinuar aktivitetet kriminale edhe nga vende të largëta përmes mjeteve të enkriptuara të komunikimit.
Ai ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pas një vendimi për njohjen e një dënimi me 21 vite burg të dhënë nga një gjykatë italiane për vrasje, privim të lirisë, fshehje të kufomës, kërcënime, posedim të paligjshëm të lëndëve plasëse dhe armëve si dhe pengim të drejtësisë.
Europol i referohet dy vëllezërve Ervis dhe Ardjan Çela, të dënuar me burg në Itali për vrasje. Ata kanë qenë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana me kartelë “të kuqe” pasi autoritetet italiane kishin lëshuar urdhër-arresti për vrasje dhe rrëmbim personi.
Ervis Çela është i dënuar me 30 vite burg në Itali, nga të cilat i kanë mbetur 25 vite e 10 muaj.
Ky rrjet kriminal shqiptar vepronte në shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera që mundësonin transportet drejt porteve evropiane. Fitimet e mëdha, të cilat kapnin dhjetëra miliona euro, investoheshin në prona dhe biznese në Shqipëri dhe vende të tjera të Europës.
Europol thotë se ofroi ekspertizë të gjerë në lidhje me strukturat e krimit të organizuar, trafikun e drogës në shkallë të gjerë dhe pastrimin e parave.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Shqipëri, një agjent i krimit të organizuar të Europol ishte i pranishëm në terren.
Komente

Katundarë të trashë!! Nuk dinë as të fshehin paratë!!
Përgjigju