Tiranë- Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e grupit të të pandehurve për operacionin dhe dosjen e koduar “Flakë në det”, për t’u gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Kërkesa u pranua nga trupa e gjykimit, e përbërë nga; Erjon Bani dhe Rudina Palloj, teksa në datën 23 prill Prokuroria e Posaçme do të lexojë konkluzionet përfundimtare për 12 pjesëtarët e këtij grupi.
Mes të akuzuarve është edhe ish-anëtari i forcave speciale, njëkohësisht i cilësuar si 'Baroni i drogës' nga autoritetet italianë shumë vite më parë, Gëzim Çela. mes të pandehurve edhe ish-komisari i Kurbinit, Dritan Metaj.
Arlind Ismailukaj, Gëzim Çelaj, Nerim Çela, Armando Mema, Dritan Metaj, Besnik Brokeri, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Armando Papa, si dhe dy shtetasit ukrainas Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon, në seancën e kësaj të mërkure (9 prill), i qëndruan kërkesës paraprake për gjykim të shkurtuar.
Operacioni “Flakë në det” u zhvillua nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në muajin gusht të vitit 2023, ku të arrestuarit dyshohen nga organi i akuzës se kanë kryer trafik të lëndëve narkotike nëpërmjet rrugës detare.
SPAK dhe Policia kishin informacione për një shkëmbim të mundshëm të drogës në det të hapur, në zonën e Patokut (Kurbin), përmes gomoneve, të cilat u përdorën për të shkëmbyer hashashin me kokainë në det. Droga u soll nga dy ukrainasit.
Më 1 korrik 2024, SPAK çoi për gjykim grupin kriminal.
Sipas SPAK, është e provuar se Gëzim Çela dhe Arlind Ismailukaj janë drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që morën përsipër dhe organizuan trafikun e 41 kg heroinë, e cila u sekuestrua më 31 mars 2023, në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë. Gjithashtu konsiderohen si drejtuesit e grupit kriminal që më 14 Gusht 2023, është tentuar që nëpërmjet detit duke përdorur mjete lundruese të trafikohen sasi të mëdha të lëndëve narkotike, i njohur si operacioni policor “Flakë në det”.
Komente
