Kanë kaluar 17 vjet nga data 15 mars 2008, kur në fshatin Gërdec shpërtheu fabrika e demontimit, duke lënë të vrarë 26 banorë të Gërdecit e punëtorë të fabrikës, ndër të cilët Muhamet Hoxha, baxhanaku i kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Makineria e propagandës së pushtetit fillimisht tentoi të manipulojë ngjarjen duke e cilësuar si fatkeqësi natyrore, por shpejt dolën dokumente kompromentuese që implikonin familjarët më të afërt të kryeministrit, ndër të cilët edhe të birin, Shkëlzen Berisha.
TemA risjell në vëmendjen e publikut pjesë nga dosja e korrupsionit shtetëror që vrau 26 qytetarë, plagosi qindra të tjerë dhe rrafshoi banesat e fshatrave përreth. Një ndër dokumentet më kompromentues është ai që tregon lidhjen e kompanisë Delijorgji me familjarët e Berishës dhe njerëzit e tij më të afërt, siç ishte Fari Balliu. Fëmijët e Berishës dhe Balliut shfaqen nëpër tabulatet telefonike duke folur me pronarët e kompanisë së demontimit të armëve në Gërdec, si një provë e pakundërshtueshme e implikimit të tyre në skandalin e korrupsionit që vrau dhjetëra qytetarë.
Lidhja e Delijorgjit me familjarët e Fahri Balliut vërtetohet në dokumentin e themelimit të kompanisë së demontimit të armëve, ku ndër bashkëaksionerët me Delijorgjin ishte edhe Fahri Balliu, i përfaqësuar nga Henris Balliu.
Ndërkohë që Berisha gënjente publikisht për emrin e baxhanakut të tij, duke shpresuar se shqiptarët nuk do ta mësonin këtë të vërtetë, i biri i tij, Shkëlzen Berisha, fliste në telefon me Mihal Delijorgjin. Tabulati i zbardhur prej Prokurorisë provon se Shkëlzen Berisha ka folur në orën 12:48 minuta në telefon me Mihal Delijorgjin. Biles nëse i hedh një sy tabulateve të Mihal Delijorgjit, shikon se njerëzit më të afërt me të cilët ai ka ndarë shqetësimin për tragjedinë që ndodhi në tridhjetë minutat e para janë gruaja e tij, kunati, dhe Shkëlzen Berisha.
Shkëlzen Berisha mohoi në fillim se ka pasur telefonata apo njohje me Delijorgjin, por pas publikimit të tabulatit, nuk bëri më komente.
Pra, siç shihet, në orët e para të tragjedisë kemi pasur një përfshirje direkte të familjes së kryeministrit për të fshehur rrethanat që lidhnin ata me këtë histori.
Në dosjen e hetimeve për Gërdecin shfaqet gjithashtu numri i telefonit të Shkëlzen Berishës. Telefonatat e Shkëlzenit me pronarët e kompanive të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec mbetën një ndër provat e përfshirjes së të birit të kryeministrit të kohës në këtë ngjarje kriminale. Në listën e tabulateve telefonike shfaqen pronarët e kompanisë dhe administratorët, por edhe emra të tjerë të familjarëve dhe vetë politikanëve, si p.sh. Ilir Meta.
Dosja e Gërdecit, bashkë me këto prova të pakundërshtueshme, mbeti e pahetuar për shkak të influencës së pushtetit. Çështja u mbyll me disa dënime të vogla të pronarëve dhe administratorëve, por shpëtuan ministra e zyrtarë të tjerë të përshirë, bashkë me bijtë e pushtetarëve. Do të kalonin më shumë se 15 vite deri në momentin që nëna e njërit prej fëmijëve viktima në ngjarjen e Gërdecit të vazhdonte betejën e saj deri në Strasburg, ku ajo fitoi të drejtën e rihapjes së çështjes Gërdeci.
SPAK ka në proces hetimi çështjen Gërdeci dhe, për këtë, është thirrur disa herë në SPAK ish-ministri Mediu dhe politikanë të tjerë të përshirë, por edhe i biri i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha./TemA
Vendimi i Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e shoqërisë 'Trans Digging Construction' sh.p.k., me administrator Ervin Mata dhe aksioner Delijorgji e Balliu, datë 22 mars 2006.
Komente
