Kronikë

Dosja / Ja si biznesmeni Helidon Gjikoka vodhi kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi, mori me qira pasurinë 1 vit pasi kishte nisur lëvizjet për ta legalizuar në emrin e tij

6 Prill 2021, 16:30| Përditesimi: 7 Prill 2021, 00:17

  • Share

Një ditë zgjohesh dhe mëson se dikush tjetër është bërë pronar i pasurisë tënde. Report Tv dhe Shqiptarja.com, duke iu referuar dosjes penale prej 500 faqesh, sjellin detaje të reja mbi manovrat e biznesmenit Helidon Gjikoka, i cili arriti të përvetësojë kompleksin e njohur turistik “Ambel Beach”, duke e kaluar nga emri i pronarit të vërtetë Ilir Koka në emrin e tij. Për të kaluar në emrin e tij kompleksin me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2, Helidon Gjikoka ka bashkëpunuar me avokatin Artion Kasaj, si dhe me 8 zyrtarë të legalizimeve dhe kadastrës, që të gjithë të pandehur për shpërdorim detyre, falsifikime dhe mashtrim me pasoja të rënda.

Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së tjetrit në emrin e tij, ndërsa në vitin 2018, pra një vit më pas, Gjikoka e kishte marrë me qira të njëjtën pasuri tek pronari Ilir Koka. Ky fakt, sipas Prokurorisë, tregon se Ilir Koka ka qenë pronar i kompleksit, por prona i është vjedhur përmes falsifikimeve nga Helidon Gjikoka në bashkëpunim me avokatit Artion Kasaj, që vepronte në emër të Ilir Kokës. Nëse prona do të ishte e Gjikokës, ky i fundit nuk kishte pse t’ia merrte me qira Kokës.

Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës. Po si arriti Helidon Gjikoka të bëhej pronar i kompleksit turistik të Ilir Kokës?

Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në Greqi, ka autorizuar me prokurë Helidon Gjikokën, të cilin e kishte djalë halle, për të ndërtuar, rrethuar dhe administruar kompleksin “Ambel Beach”, në pronën e tij që i kishte lënë trashëgim babai. Gjikoka i jepte me qira 12 shtëpitë gjatë sezonit turistik, duke i dhënë një tarifë Kokës. Nga shtatori 2017, Ilir Koka ka autorizuar avokatin Ariton Kasajn, për të përfaqësuar interesat e tij me të tretët. Në vijim, avokati Ariton Kasaj ka kryer veprime juridike me Helidon Gjikokën, në emër të Ilir Kokës, sipas prokurorisë, në kundërshtim me vullnetin e Kokës.

Në dosje thuhet se Helidon Gjikoka, në bashkëpunim me avokatin Ariton Kasaj, ka falsifikuar të dhënat e formularit të legalizimit, me qëllim për të marrë pronën e Ilir Kokës. Nga hetimi ka rezultuar, se Gjikoka ka gjetur momentin që Iliri ka qenë me probleme dhe ka vepruar më pas në fshehtësi, për të marrë pronën e Ilirit nëpërmjet falsifikimit të formularëve të legalizimit. Më pas, edhe kontratën e energjisë elektrike, Gjikoka e ka kaluar në emrin e tij.

Një vit pas aplikimit për legalizimin e pronës së Ilir Kokës, me formular të falsifikuar dhe në emër të Adiseldo Rrapaj, në 20 shtator të vitit 2018, shefi i legalizimeve Adiseldo Rrapaj, ka miratuar legalizimin në emër të Gjikokës, edhe pse ishte në dijeni se prona i përkiste Ilir Kokës. Punonjësi Ardian Musta ka shqyrtuar praktikën e legalizimit të pasurisë, edhe pjesë është njohur me lejen e ndërtimit të vitit 2010, që ishte në emrin e Ilir Kokës. Pjesë e skemës janë bërë edhe punonjësit Erdet Mandi, Arber Jaupaj dhe Denis Metaj, të cilët kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e përpiluara nga ana e tyre, në funksion të vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Në dosje del në pah edhe roli i Jonida Hallvaxhiut dhe Enida Bukuroshit, juriste pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, të cilat kanë rrëzuar ankimin e pronarit të grabitur, i cili kundërshtonte kalimin e pronës së tij në emër të Gjikolës. Ankimimi është rrëzua për shkak të tejkalimit të afatit, por sipas prokurorisë, dy juristet duhet të kallëzonin krimin e vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Helidon Gjikoka dhe kompleksi 'Ambel Beach'

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?