Ilir Myteveli ishte 4 vjeç kur mamaja e tij Valentina mori motrën e tij të madhe dhe u nis drejt vendilindjes së saj, Rusisë.
Ai e përcolli në aeroport me 3 karafila të kuq dhe ajo i premtoi që do kthehej shpejt se po shkonte për të vizituar babain e sëmurë, por mamaja e tij nuk u kthye më kurrë sepse Shqipëria nën regjimin e Enver Hoxhës shkëputi marrëdhëniet me Ish-Bashkimin Sovjetik dhe mbylli kufinjtë e çdo mënyrë komunikimi mes dy vendeve.
Historia e Ilirit vjen e rrëfyer bashkë me historinë e grave të tjera ruse që në vitet 1950-1960 u martuan me djemtë shqiptarë që studionin në Rusi në atë kohë në dokumentarin “Për hir të Dashurisë” prodhim i fondacionit “Kujto” me skenar të gazetares Blerina Gjoka.
Në këtë dokumentar, që shënoi premierën televizive në ekranin e Report TV, vajzat e Ilirit, Valentina dhe Katerina, tregojnë dramën e të atit të rritur pa nënë dhe me ëndrrën për ta ritakuar sërish duke dëgjuar radion në rusisht e duke parë avionët në qiell.
Valentina tregon se i ati Iliri ishte rritur çdo ditë me dy ndjenja të forta që i shenjuan jetnë: dashurinë dhe mungesën që ndjente për nënën që iku aq larg.
“U rrit me pritjen e saj sepse e dinte gjithmonë që ishte gjallë, por nuk ka pasur mundësinë e komunikimit me të, as me letra, as nëpërmjet telefonit, as për t’u takuar”, tregon në dokumentar Valentina Myteveli.
Dokumentari sjell të gërshetuara disa dëshmi rreth historive të grave ruse që u burgosën, iu përndoqën nga regjimi komunist vetëm sepse dashuruan burrat e tyre dhe qëndruan pranë familjeve të tyre.
Njëra prej tyre ishte edhe Nina Pumo e martuar me Muntaz Pumon kur ishin studentë në Moskë. Ajo nuk pranoi të largohej si dhjetra gra të tjera ruse, por ky vendim pati për të një çmim të madh. U arrestua dhe u dënua me 11 vjet burg me akuzën: “Agjitacion, propagandë dhe spiunazh”.
Djali i Ninës, Misha Pumo tregon: “... neve blinim sheqer, miell, vaj, dmth. i kërkonte mamaja këto ushqime që mundësisht t’ia dërgonim, dhe ne i çonim këto ushqime që lejoheshin, se aty nuk lejohej gjithçka, lejoheshin vetëm këto ushqimet bazë. Ajo, pasi merrte këto ushqimet prej nesh, herën tjetër me këto ushqime ajo përgatiste biskotat që na i jepte neve mbrapsht për t’i ngrënë, se ne ishim të uritur, si ujqër të vegjël”.
Po ashtu dokumentari sjell dëshminë e Valentina Bucit e martuar me Pandi Bucin, pilot, i cili u arrestua vetëm sepse nuk pranoi të ndahej nga gruaja e tij ruse dhe vuajti burgjeve, kurse Valentina jetoi me frikën se do arrestohej një ditë.
Vajza e çiftit Buci, Elena Agushi (Buci) thotë: “…. Kur shkonte mamaja në mëngjes më linte një copë letër mbi tavolinë dhe më thoshte; “Lamtumirë Elena! Kij kujdes motrën duhet të bëhesh e fortë.” Pra, këto ishin të përditshmet që mua m’i shkruante mamaja në letër. Dhe prisja orarin kur mbaronte punën dhe thosha me vete “a do më kthehet apo s’do më kthehet?”
Deri në fund të tij, dokumentari mbahet mbi shtylla të tilla emocionesh që vijnë tek publiku si të ishin përjetime reale të para pak orëve, dhe i tillë mbetet deri tek historia, me të cilën mbyllet, ajo e Lutfi Shehut, i cili u martua me rusen Livia Pavllovan kur ishte student ushtarak në Letoni, por ajo u largua me djalin 2 vjeç në 1961 dhe ai e pa të birin vetëm pas 30 vitesh kur ra regjimi komunist.
Komente
