Tirane- Një histori arratisjeje në kufi, në ditët e fundit të diktaturës. Kjo është historia e rrëfyer në puntatën e sotme të emisionit "Dosja K' në Report Tv të gazetares Admirina Peçi.
Bashkëshortja e Nikollë Vushajt, Xhuljana dhe vajza Nikoleta atëkohë 9-vjeçe tregon si u arratis familja me katër fëmijë të vegjël nga Vermoshi dejt Malit të Zi.
Ishte nëntori i vitit 1990 në Shkodër. Ishte caku i fundit i diktaturës. Ende dëgjoheshin lajme të hidhura. Vrasjet në kufi kishin tmerruar popullsinë në zonat kufitare, e megjithatë shqiptarët kishin nisur të iknin në të gjithë drejtimet. Ishte një valë që s’mund të ndërpritej pavarësisht ngjarjeve të përgjakshme që i prodhonte vetë regjimi në ikje, për ti frikësuar e frenuar njerëzit.
Në këtë valë largimesh, vendos të arratiset edhe familja e Nikollë Vushajt. I vëllai i tij ishte arratisur pak kohë më herët e po ashtu edhe disa prej kushërinjve të tyre. Të gjithë ata ishin vendosur në Amerikë. Nikolla me bashkëshorten e tij Xhuljanën dhe katër fëmijët e tyre të vegjël, do ta ndërmerrnin aventurën e arratisë, edhe pse kishin dëgjuar dhjetra raste makabre vrasjesh në kufi.
Ai prej më shumë se dy dekadash nuk i kishte shkelur ato male në Vermosh. Terreni nuk ishte më ai që kishte eksploruar dikur kur ishte I ri. Fëmijët ishin të vegjël, më vogla prej tyre ishte 5 vjeç, po ashtu e rruga ishte shumë e mundimshme.
Sot bashkëshortja e tij Xhuljana dhe vajza Nikoleta që në kohën e arratise ishte vetëm 9 vjeç i tregojnë me emocion orët e gjata e të vështira të asaj arratie. Shikoni videon.