Shkodër, dhjetor 1944. Në këtë qytet të sapodalë nga lufta, ishin konfiskuar brenda pak ditëve mbi 26 shtëpi dhe po brenda pak ditëve ato ishin shndërruar të gjitha në burgje. Në dy tre vitet në vijim në këto burgje të improvizuara do të izoloheshin e torturoheshin mbi 1 134 banorë të këtij qyteti dhe zonave përreth tij.
Ky fenomen i burgjeve të improvizuar ishte shtrirë pothuajse në të gjithë Shqipërinë në muajt e para të instalimit të regjimit komunist në Shqipëri, por në Shkodër po ndodhte një fenomen, që nuk ngjante me asnjë qytet tjetër.
Klima e terrorit në këtë qytet ishte shumëfish më e lartë se kudo tjetër në Shqipëri. Burimet arkivore dëshmojnë se në vitin 1945 në gjithë Shqipërinë ishin burgosur 4500 vetë të konsideruar si kundërshtarë të komunizmit. Nga kjo shifër, 1134 të burgosur ishin vetëm në Shkodër. Kjo e shpjegonte edhe numrin kaq të lartë të burgjeve të hapura në këtë qytet dhe shkallën aq të lartë të terrorin aty. Por si ishte së brendshmi kjo atmosferë terrori në qytetin e Shkodrës në fund të vitit 1944 dhe gjatë vitit 1945? Si vijoi ajo më tej? Si ishin përshtatur në burgje këto shtëpi, që dikur i përkisnin tregtarëve dhe aristokracisë së qytetit? Si përshkruhen këto burgje nga ish- të burgosurit e atyre viteve dhe si jetonin të burgosurit aty?
Një prej tyre ishte pikërisht në ambientet ku sot ngrihet muzeu “Vendi i dëshmisë dhe i kujtesës”, e ku historiani Xherardo Nikjari do të na e zbërthejë këtë fenomen të viteve të para të diktaturës në këtë qytet.
“Kemi arrit të veçojmë një dukuri tejet të pangjashme të qytetit të Shkodrës gjatë viteve të para të instalimit të pushtetit komunist, që ka qënë ai i ndërtimit të një sistemi të madh shtëpish-burgje, të cilat faktikisht kanë qenë godina, ndërtesa private, por edhe godina institucionesh, godina institucionesh publike, të cilat menjëhere pasi komunistët hynë në qytetin e Shkodrës në nëntorin e vitit 1944, konfiskohen dhe konvertohen rishtasi në burgje”, thotë Nikjari për “Dosja K”.
Duke u bazuar në një varg dokumentesh arkivore, ai thotë se Shkodra në 20 vitet e para të instalimit të pushtetit komunist ka pasur përafërsisht 26-27 burgje dhe nuk ishte rastësi, që dukuri ishte në këtë shkallë, pikërisht në këtë qytet.
“Këtu kemi një përshkallëzim më të madh të konfiskimit dhe të konvertimit të burgjeve. Konkretisht kanë qenë shtëpi private të tregëtarëve shkodranë, të parisë së qytetit, të qytetatërëve të mesëm shkodranë, por gjithashtu edhe objekte fetare. Nga këto 26 shtëpi burgje, ose godina pra që kthehen në burgje, ne mund të veçojmë Kolegjin Françeskan, ku jemi edhe ne sot këtu sepse Vend i Dëshmisë dhe Kujtesës që para viteve ’90-të, ka qënë Dega e Punëve të Brendshme, përpara se të ishte e tillë, u konfiskua në mars të ’46-ës me firmën personale të Enver Hoxhës, si kolegja e Fretëve, e Fretëve minorë. Kjo është dhe godina le të themi më përfaqësuese e këtij sistemi dhe nuk besoj se të ketë godinë më kryesore që e përfaqëson këtë lloj tipologjie sesa vet muzeu ynë. Pastaj kemi edhe shtëpi private, si shtëpia e Pjetër Çurçisë, shtëpia e Faslli Ademit, shtëpia e Bebit Mishiçit , kemi Kuvendin e Fretërve pranë Kishës së Shën Françeskut, e cila nga dhjetori i ’46-ës, deri në 1948, shërbente kryesisht si një qendër hetuesie, si një qendër torturash, por gjithashtu edhe si një burg. Mund të përmendim Kuvendin e Motrave Stigmatine, mund të përmendim gjithashtu edhe burgun e Çekës, ose “Burgun e ri”, që ka qënë një nga dy burgjet kryesore që ka pasur Shkodra në dy dekadat e para të montimit të diktaturës. Po ashtu kemi “Burgun e madh”, i cili ka qenë burgu kryesor që ka pas Shkodra në atë kohë dhe burgu i vetëm le të themi zyrtar, i ndërtum në gjysmën e dytë të shek. XIX, dhe i përdorur nga komunistet deri në vitet 1960-të, kur edhe mbyllet si burg. Dhe më vonë me mbylljen e këtij burgu mund të themi se shembet edhe ky sistemi i shtëpi burgjeve të cilat u ndaluan”, thotë Nikjari për “Dosja K”.
Në këtë varg pronash të rrëmbyera e të kthyera më pas në burgje, pothuajse në shumicën dërrmuese të dëshmive të mbledhura pas rënies së diktaturës përmenden dhe përshkruhen imtësisht dy burgjet kryesore, ai i quajtur si “Burgu i madh”, dhe “Burgu i ri”.
Burgu i madh i Shkodrës ka qenë edhe burgu kryesor i këtij qyteti, i cili ka funksionuar si i tillë që në ditët e para të instalimit të regjimit komunist.
“Ka kënë një godinë tepër e thjeshtë nga ana e ndërtimtarisë. Ka pas dy kate me një oborr të madh prej afro 200 metrash katrorë. Në të gjitha përshkrimet evidentohet një element i përbashkët që ka qenë njëlloj çezme në qendër të qytetit ku të burgosurit furnizoheshin me ujë. Sigurisht kushtet këtu kanë qenë tëpër të tmerrshme, ka kenë një mjerim tepër i madh”, thotë historiani Nikjari.
Për ambientet e këtij burgu, dhe gjendjen e vështirë të jetës së të burgosurve politik aty, na vijnë sot dy dëshmi të rralla, nga dy të burgosur që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre në këtë burg, Myfit Bushati dhe Gjovalin Zezaj.
Në kujtimet e tij ish i burgosuri Gjovalin Zezaj shkruan:“…Tre ditë mbas ditës ugurzezë të pushkatimit të shokëve tonë, na dërguan, siç quhej atëherë, në burgun e madh i ndërtuar një shekull më parë. Porsa arritëm u hap dera e jashtme ku shtrihej oborri i madh i burgut. Komanada e burgut kishte marrë të gjitha masat e sigurimit, meqë ishim rreth 28 të burgosur si armiq të rrezikshëm "të pushtetit popullor", pra ishin dublu. Në krahun e majtë të hyrjes qëndronte ndërtesa e bur-gut të madh katërkëndëshe dykatëshe, në fasadën e oborrit të madh ishte e vendosur drejtoria me administratën e burgut dhe forcat e policisë.
Brenda kësaj ndërtese katërkëndëshe ishte një oborr rreth 200 m² e në mes të këtij oborri të brendshëm ishte vendosur një trumë që shërbente për të furnizuar të burgosurit me ujë. Ndërtesa kishte katër dhoma të mëdhaja të shtruara me një dysheme me dërrasa të kalbura, secila dhomë merrte rreth 80 vetë, por edhe më shumë, të sistemuar në katër rreshta, ku ndonjëherë hapësira e fjetejes ishte jo më shumë se 30 cm. Në katin e dytë përveç dy dhomave të mëdhaja kishte edhe 4 dhoma të vogla (dy majtas e dy djathtas ndërtesës). Këta përdoreshin për të sëmurët pothuaj si dhoma të infermierie, pa kurrfarë shërbimi mjekësor.
Në katin përdhes përballë derës së hyrjes me kafaz me hekura ishte banjoja krejt primitive e hapur, pa ndarje. Në dy anët e oborrit, nën shkallë ishin nga dy biruca të cilat shërbenin për të dënuar të burgosurit e "pabindur" ose për të dënuarit me vdekje të lidhur këmbë e duar në pritje ndoshta edhe për disa muaj të ekzekutimit…”.
Ndërsa ish i burgosuri i këtij burgu, Myfit Bushati shkruan në kujtimet e tij se “Burgu i madh” ishte emëruar me këtë emër për vetë faktin se ishte më i madhi në qytet.
“…Gjindesh ngjitur me ish Prefekturën dhe ka pas qenë ndërtuar në kohën e okupacionit turk në mes të qytetit. Në këtë burg, me ardhjen e qeverisë komuniste ishin vendosur vetëm të burgosur politikë, kundërshtarë të regjimit në fuqi.
Ky burg ishte një ndërtesë dykatëshe në formë katërkëndëshi kënddrejtë, në tri anët e tij ishin dhomat e të burgosurve, ndërsa në njërën anë bëhesh edhe hyrja nëpër dy dyer hekurash. Në katin e dytë, ishin dhoma të tjera ku ishin instalue rojet e policisë dhe drejtoria e burgut, në mënyrë që kjo e fundit ta kishte të lehtë të kontrollonte lëvizjet e të burgosurve, sidomos kur këta dilnin në oborrin e brendshëm të burgut”, shkruan në kujtmet e tij Myfit Bushati.
Siç përshkruan më tej në kujtimet e tij Myfit Bushati, kushtet e këtij burgu ishin shumë të papërshtatshme për jetesë, pasi vetëm qëndrimi fizikisht ishte një torturë e veçantë.
“Popullimi i tij me të burgosur, që u rritte herë pas here duke arritur jashtë kapacitetit të tij deri 700 apo 800 të burgosur që do të kalonin vite të tëra këtu, bëhesh shumë i paduruar. Pjesa kryesore e këtij burgu përbehesh nga dhoma të mëdha, ku vendoseshin deri në 130 veta, ku sejcilit i takonte vetëm 40-42 cm vend për të qëndruar dhe fjetur. Kështu, kuptohet qartë se çfarë kushtesh higjienike krijoheshin në ambiente të tilla, ku dhe ajri ishte aq i rëndë sa që shpesh herë ndër të burgosurit krijohesh asfiksi. Edhe koha e pushimit dhe fjetja ishin një torturë më vehte. Kur arrinte koha e pushimit u detyronim të shtriheshim në mënyrë tërthore me kokë dhe këmbë të ndërthurura me njeri-tjetrin, por ajo që e bënte më torturuese natën ishin ushtritë e pafund të parazitëve të ndryshëm që vizitonin trupat tanë dhe, në kohën e stinës së verës këtyre parazitëve iu vinin në ndihmë edhe çimkat gjakpirëse”, shkruan në kujtmet e tij Myfit Bushati.
“Burgu i ri” ose “Burgu i Çekës”…
Siç shpjegon historian Xherardo Nikjari, “Burgu i Çekës” ishte një shtëpi tradicionale shkodrane, e cila i përkiste pra borgjezisë së lartë të qytetit të Shkodrës e karakterizume nga shumë elementë arkitektonikë të shtëpive tradicionale të Shkodrës.
“Ekziston një dëshmi mjaft e mirë dhe e pasur me përshkrime autentike të tipologjisë së ndërtimit të brendshëm të kësaj shtëpie në momentin kur u konvertua si burg. Dhe kjo na vjen nga nji prej ish të burgosurve aty dhe një prej personave të cilët ka qënë një nga premotorët kryesorë të ruajtjes së kujtesës kolektive në Shkodër pas viteve 1990-të që është Ahmet Bushati”, thotë Nikjari.
Ish i dënuari Ahmet Bushati në dëshminë e tij për këtë burg shkruan: “Në krye të nja njiqind metrave rrugë, pak mbasi këputëm rrugën Serreq-Perash, u futëm në nji si rrugicë e shkurtë e shumë shpejt u ndodhëm para nji dere të madhe e karakteristike shkodrane, mbas së cilës na u shfaq përnjiherë nji oborr relativisht i gjatë, por jo i gjanë, në fundin e të cilit u ngrinte nji godinë dykatëshe,e cila ç'prej dy vjetësh shërbente si burg e u quente "Burgu i Ri”, që për nga madhësia vinte i dyti mbas Burgut të Madh. Shumë shpejt do të mësojshim se ajo ndërtesë në të kaluemen kishte qenë shtëpi e familjes Çeka e disa të tjerë, kushedi se për ç'shkak, do ta quejshin edhe "Burgu i Sumës", kështu që ai burg simbas rastit do t'u quente, herë Burgu i Ri, herë i Çekëse ndoshta edhe ma shpesh, i "Sumës. "
Mbas portës së hymjes, vinte nji koridor me gjanësi rreth 3 metra, mbrenda të cilit ishte sajue nji si dhomëz për policin e sherbimit, tue shfrytëzue për atë qëllim dy faqet ekzistuese me mur të vetë koridorit, kurse dy faqet e tjera, do t'u përbajshin prej dy parete hekurash të trashë, që shkojshin nalt deri në tavan. Në të dy paretet prej hekurash kishte nga nji "deriçkë” për lëvizjen e policit të shërbimit, si dhe për lëvizjet e mundshme të të burgosunve politikë të të tri dhomave poshtë.
Drejtoria e burgut dhe të burgosunit ordinerë, qëndrojshin sipër, në katin mbi ne. Edhe takimet e të burgosunve të tri dhomave poshtë, nji herë në pesëmbëdhetë ditësh - këtu do t'u bajshin: i burgosuni do të qëndronte mbas njenit paret me hekura e në paretin tjetër përballë, familjarët e tij, kurse polici mes dy palëve, i ulun në nji karrigë me tryezë të vogël para. Mbrenda kësaj dhomëze atë natë të pare, mbasi na banë nga nji fotografi për shoq e po ashtu na morën edhe gjurmët e gishtave, na zgjidhën duersh, për të na kalue në pjesën e mbetun të koridorit, që ishte me dy dyer anash e nji të tretë në ballë, sipër të cilave përkatësisht u shënojshin numrat 1 djathtas, 2 majtas e 3 ajo para…”
Por cila ishte procedura e marrjes së këtyre pronave nga regjimi komunist dhe si ata u shndërruan më pas në burgje? Materialet arkivore mbi këtë temë nuk janë shumë të pasura, por siç thotë historian Xherardo Nikjari, ka raste si ky grup dokumentesh mbi konfiskimin e një shtëpie të Guljelm Sumës, e cila më vonë është kthyer në burg, që dëshmojnë pak a shumë mënyrën se si u kthyen këto banesa në burgje.
“Është një rast tepër klasik po themi në rast se ne e marrim si rast studimor dhe hulumtojmë të dhëna, që ne kemi për konfisikimin e kësaj shtëpie dhe konvertimin e mëvonshëm të saj në burg. Me rastin e kësaj shtëpie ne mund të ndjekim në rend diakronik sesi një qytetari të thjeshtë shkodran i konfiskohej shtëpia dhe kthehej ne burg.
Ne këtu kemi disa dokumente të cilat dëftojnë sesi procesi po themi nisi fillimisht me deklarimin e pasurisë private, pra qytetari duhet të deklaronte çfarë kishte në magazinën e shtëpisë, çfarë kishte në inventarin e biznesit e lokalit, të punishteve apo të fabrikave të ndryshme që zotëronte dhe më pas vinte ajo çfarë quhej njëlloj marrje në dorëzim nga punonjësit e autoriteteve komuniste të kohës. Ne kemi këtu një dokument që është një procesverbal ku qytetari detyrohej të dorëzonte pasurinë e tij.
Më pas krahas konfiskimit që ju ba pasurisë së tij të lujtshme siç ishin rrobat, teshat, objektet të tjera tepër të kushtueshme psh, ne këtu kena dhe një dokument që nga shtëpia e tij janë marrë elektropompa uji që në atë kohë ishin luks, se po flasim për Shqipërinë e viteve ’44-të. Dhe më pas kemi të dhëna, të cilat janë botu që i konfiskohet edhe shtëpia qytetarit Guljem Suma”, thotë historian Nikjari, duke treguar më ej se përveç rrëmbimit të pronës edhe ia vetë do të arrestohej nga regjimi dhe do të ekzekutohej.
Në hyrje të muzeut “Vendi i dëshmisë dhe i kujtesës” ndodhet edhe një hartë e qytetit, ku pas shumë kërkimesh është arritur të saktësohet vendndodhja e këtyre 26 burgjeve komunistë në qytetin e Shkodrës. Sipas kësaj harte vendndodhja e tyre është e përqendruar kryesisht në qendër të qytetit dhe kjo siç duket jo pa qëllim, pasi ky numër i lartë burgjesh, ku regjimi kishte izoluar dhe torturonte mbi 1134 të burgosur vetëm në 1945, mbillte terror dhe dhunë psikologjike në radhët e popullsisë civile.
Komente

PO MIRË MORE DIHET QË ATA SEKUESTRUAN,NUK PRITËN QË TË NDËRTONIN BURGJE E ADOPTUAN,QË JAN NDËSHKUAR 1100 E CA POR KUSH ISHIN?MOS VALLË I KAN SHËRBYER NAZI-FASHIZMIT???PO NË VËNDET E EUROPËS PERNDIMORE A JAN NDËSHKUAR NAZIFASHISTËT E BASHKËPUNTORËT E TIJ?JU LUTEM PO NUK E DINI PO JU THEM QË NË TË GJITHË EUROP. E BOTË JAN NDËSHKUAR POR KA EMË SHUMË SI NË FRANCË QË JAN PUSHKATUAR, PRA VRARË PA GJYQ E NË MES TË E TË PUBLIKUT.PO NUK E BESONI KA DHE FILMA SI FRANCEZ ,ITALIANHUNGAREZ E ETJ.MË E PAKTA KUR DËNOHEN ME GJYQ DHE MOJ Z.PEÇI KA DHE 28000 DJEM,VAJZE TË RËNË QË QUHEN DËSHMORË.PADREJTËSI QË JU SI MEDIA JU RËNDON QË NUK FLISNI PËR ATA YJE .
Përgjigju