Në fillim të vitit 1979, në burgun e Spaçit, Sigurimi i Shtetit kishte instaluar gjithë antenat e tij dhe me të gjithë levat që ata kishin në duar, po ndërtonin në fshehtësi një skenar monstruoz, me të cilin do të eliminonin e do të ridënonin një varg intelektualësh të burgosur aty, që nuk i bindeshin regjimit e madje shkaktonin revoltë përmes qëndrimeve të tyre dhe mesazhet që përcillnin tek të burgosurit e tjerë.
Është quajtur si procesi i Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos, Fatos Lubonjës, etj... Ishin cilësuar si armiq të tërbuar të regjimit, të cilët duheshin eliminuar me çdo kusht. Ishte hartuar një listë me rreth 50 të dënuar, të cilët do të riarrestoheshin e do t'i bënin pjesë të një procesi të paprecedent dhune e torturash. Në finale do të kishte 3 të ekzekutuar: Xhelal Koprencka, Fadil Kokomani, dhe Vangjel Lezho... Pjesë e këtij procesi ishte edhe Ernesto Kraja, i dënuar më parë për agjitacion e propagandë dhe tashmë si pjesëtar i kësaj organizate politike, që sipas Sigurimit të Shtetit ishte krijuar në burg.
Ernesto Kraja ka lënë shumë kujtime në dorëshkrim në familjen e tij, kujtime që e bija Dolores, na i ka vëmë në dispozicion për Dosjen K në Report TV, përmes të cilave zbulohen tortura të paimagjinueshme që ishin kryer në hetuesi mbi të arrestuarit e këtij procesi. Aq të rënda kishin qenë torturat dhe presioni sa Ernesto Kraja, dëshmon se kishte tentuar dy herë të vetëvritej...