Dosja K/Guximtarët e Qafë Barit, Lekë Mirakaj: Dëshmoj revoltën e 22 majit ‘84

14 Qershor 2018, 08:04| Përditesimi: 14 Qershor 2018, 08:51

  • Share

Mëngjesin e 22 majit 1984, në Minierën e piritit në Qafë Bari, dy të dënuar për agjitacion e propagandë u kthyen nga turni i tretë pa mundur të mbushin vagonin me mineral. Ndrek Nikolli dhe Ndue Pisha, dy të dënuar, dolën të rraskapitur nga miniera rreth orës 7.30 të mëngjesit të asaj dite, por vagoni nuk ishte mbushur. Ky fakt, parashikonte ndëshkim të rëndë për ta!

Burgu i Qafë Barit edhe pse kishte vetëm dy vite që ishte hapur, ishte kthyer në një prej kampeve më të tmerrshëme të punës së detyruar të regjimit. 

Në periudhën kur ndodhi revolta e Qafë Barit, në këtë kamp ishin grumbulluar mbi 800 të dënuar të gjithë për agjitacion e propagandë kundër regjimit komunist, tentativë arratisje, “sabotim” në sektorë të ndryshëm dhe të tjerë për aktivitet “spiunazhi” kudër qeverisë së asaj kohe.

Të dënuarit bënin një jetë tepër të vështirë. Sipas dëshmive të ish-të burgosurve që punonin në Spac e që i ksihin kaluar më pas në Qaf Bari, në kampin e ri kushtet dhe puna ishin edhe më të vështira.

Atje kishte vetëm një parullë: O vagon me pirit, o vdekje. Mineral kishte pak dhe norma bëhej me shumë vështirësi.

Atë ditë Ndrek Nikolli dhe Ndue Pisha sapo dolën nga miniera u përballën me sharje e rrahje, të cilat më pas morën formën e përleshjes së përgjakshme….

***

Mëngjesin e 22 majit, ndërsa turni i parë kishte shkuar në punë, në sheshin e vogël para kampit, ish të burgosurit e turnit të dytë e të tretë ishin rreshtuan nga komanda e burgut. Dy të borgosurit që nuk ksihin bërë normën, i kishin nxjerrë përpara, me duar të lidhura.

Policët i qëlluan dy të lidhurit, me shkelma, me kamzhik e me shufër hekuri. Mes të burgosurve kishin nisur të përshpëriteshin parulla kundër rejgimit. Tensioni ndihej në ajër.

Dy të dënuarit rridhnin gjak nga goja dhe në fytyrë ishin nxirë nga të rrahurat.

Në pak minuta të dënaurit shpërthyen në britma duke u hedhur kundër policëve në mbrojtje të Ndrek Nikollit dhe Ndue Pishës…. Mes tyre atë ditë ka qenë edhe Lekë Mirakaj, i transferuar nga Spaçi në Qafë Bari. Ai do të na rrëfejë për arsyet që kishin çuar drejt kësaj revolte dhe tensionin e dinamikën e saj dite…

 

“Në ngjarjen që ndodhi në Qafë-Bari kam qenë aty dhe e kam përjetuar”, thotë Lekë Mirakaj.

“Trajtimi në Qafë-Bari ishte edhe më i keq se sa ai në Spaç. Norma ishte e detyrueshme. Duhej të nxirrje 5 vagonë me mineral, që do të thoshte 10 tonë mineral për çdo njeri. Planet e punës dhe sasia e mineralit që duhej nxjerrë vinin nga Ministria, nga Komiteti i Partisë, por edhe nga Komanda. Secili nga këto institucione caktonte normën e vet. Normat ishin shumë të larta dhe për t’i realizuar, përdorej dhunë mbi të dënuarit. Kështu që u krijua një situatë shumë e tensionuar brenda kampit. Nëse një i dënuar nuk e realizonte normën, pasi kthehej bashkë me brigadën, e merrnin dhe të shoqëruar me një polic e dërgonin përsëri në frontin e punës, në galeri, që të plotësonte normën që kishte mbetur. D.m.th. megjithëse i dënuari kishte punuar për 8 orë, natën, përsëri nuk e linin të flinte por e dërgonin përsëri të punonte. Kjo gjë i kishte acaruar shumë njerëzit. Ndodhte edhe me rojet e burgut. Kishte nga ata që bënin thjesht detyrën, për të marrë rrogën e tyre. Situata brenda burgut ishte e qetë. Njerëzit nuk ziheshin. Qëllonte që ndonjë prej rojeve ishte njeri i keq, nopran, që zbatonte gjoja rregulloren me egërsi, atëherë ndodhnin sherre se njerëzit acaroheshin. Kjo situatë u krijua në Qafë-Bari”.

Revolta e 22 Majit nisi në shkallët dhe sheshin e vogël para kampit. Lekë Mirakaj i kujton edhe detajet e nisjes së konfliktit… 

Atë ditë, Sokol Zefi, djalë nga malësitë e Tropojës, nga Lekbibaj, djalë i fuqishëm, i dënuar 22 vjet, shoqëronte afër telave një djalë tjetër, Ndue Pisha, i cili s’kishte bërë normën dhe donin ta kthenin në galeri. Zefi i kundërshtoi. Ishte e papranueshme t’i kundërshtoje komandës. Ata ndërhynë me forcë. Këta djemtë që ishin të dënuar ishin djem të fortë, nga malësia dhe ishin shokë e miq me njëri-tjetrin. U bënë grup dhe i ndaluan policët që të merrnin shokun e tyre. U krijua një situatë e tensionuar, u përleshën me njëri-tjetrin dhe policët u tërhoqën.

Atëherë filluan bisedimet gjoja për të zgjidhur situatën. Të dënuarit u shprehën që ishin dakord të zbatonin urdhrat e komandës, por ama nuk lejonin që të prekeshin fizikisht. Ra çanga. Na rreshtuan të gjithëve. U bë apeli. Pas apelit na futën në mensë dhe mbyllën derën. Këta djemtë që u konfrontuan e kishin parashikuar se mund të ndodhte diçka dhe u grumbulluan që të gjithë në fund të sallës. Unë i kam njohur të gjitha ata dhe duke qenë se ishim pak a shumë nga e njëjta krahinë, kisha edhe një farë afërsie me ta. Ndërkohë nga dera e vogël e mensës i thërrisnin njerëzit një e nga një. Por bënin një marifet: thërrisnin një spiun dhe pastaj një nga grupi i djemve. Por djemtë ishin marrë vesh me njëri-tjetrin që, nëse do t’i godisnin, do të bërtisnin. Thërritën një djalë nga Durrësi, i cili quhej Sotiraq Gjordeni. Sapo doli nga dera, e goditën. Ai ulëriti dhe në atë kohë shpërtheu i gjithë kampi”.

Në revoltë u hodhën parulla të tilla si: “Poshtë komunizmi”, “Rroftë Perëndimi”, “Poshtë diktatura”, “Duam liri” etj. Sheshi u përgjak. Të burgosurit politikë, reaguan menjëherë. Nuk kishin më çfarë të humbnin. Futeshin çdo ditë 1500-2000 m nëntokë për të nxjerrë pirit. Norma ishte e lartë, material kishte pak. Kushtet e ushqimit e të fjetjes ishin shumë të këqia. Trajtoheshin me përçmim edhe pse ishte kamp me të dënuar politikë ku vuanin qindra të burgosur intelektualë.

Lekë Mirakaj e vijon kështu dëshminë e tij mbi revoltën.

“Të gjithë rojet që ishin brenda në mensë dolën me vrap jashtë. Shpërthyem derën dhe dolëm jashtë. Por, të burgosurit kishin kaluar një eksperiencë të hidhur nga Spaçi. Para 11 vitesh, pikërisht në të njëjtën ditë, më 23-24 maj, kishte ndodhur e njëjta gjë. Kështu që njerëzit u stepën pak. Por sidoqoftë, djemtë, të cilët ishin më të revoltuarit, dolën dhe zaptuan kampin. Rojet ikën.

Atë djalin nga Durrësi, e qëlluan edhe me plumb në shpatull dhe sot, për turpin e kësaj shoqërie demokratike që kemi krijuar, nuk i japin të drejtën e dëmshpërblimit, me pretekstin se ka qenë terrorist. Ndërsa terroristët që e qëlluan brenda në kamp, sot marrin edhe pensione speciale dhe medalje si veteranë”.

Nga momenti që u hap zjarr të dënuarit i shtrënguan rradhët dhe u sulën të egërsuar, dhe kjo ofensivë i zbrapsi policët dhe gardianët…Nga ai moment për disa orë kampi do të ishte në duart e tyre…”

Të burgosurit aty e vunë përpara policinë. Policët e lëshuan, e dorëzuan kampin.  Në një prej dëshmive të tij, Kostandin Gjordeni i plagosur atë ditë në revoltën e Qafë barit thotë:

“Ata hapën zjarr kundër nesh. Mbi të burgosurit e pambrojtur është qëlluar me pushkë, pistoletë e automatik. Unë u qëllova me plumb në shpatull. Pak minuta më pas kam parë sesi aviatori nga Shkodra Aleksandër Sokoli është sharruar me automatik, duke rënë i vdekur në vend, kurse Haxhi Baxhinovskit ia thyen të dy këmbët me qytën e armëve. Revolta zgjati disa orë. Unë mora plumb në shpatullën e majtë. Të nesërmen e përleshjes kampi u dhjetëfishua me roje, ushtarë e policë…”

Revolta e Qaf Barit ngriti në këmbë shumë shpejt të gjithë kupolën e regjimit. Helikopterë, tanke, autoblinda, ushtarë, policë dhe vullnetarë të regjimit komunist nxinë të gjithë zonën. Revolta u shtyp me dhunë. Dhjetëra të burgosur u plagosën nga dhuna dhe armët. Përforcime për kampin erdhën nga Mirdita, Puka, Lezha, Tirana e Shkodra. Regjimi më të vërtetë ishite tronditur nga ajo ngjarje.

Për fundin e revoltësm Lekë Mirakaj kujton: “Pastaj erdhën forcat e ndërhyrjes së shpejtë, reparti 326, zëvendësministri Zylyftar Ramizi dhe një zëvendësministër tjetër. Filluan tratativat me atë grupin e të burgosurve.

Nga eksperienca e Spaçit, njerëzit ishin pak të stepur, sepse e dinin se çfarë mund të ndodhte. Por edhe ata djemtë nuk donin që të sakrifikonin të gjithë kampin dhe vendosën që të dorëzoheshin, por me disa kushte që të dënoheshin për atë që bënë, por jo të keqtrajtoheshin fizikisht. Kur vendosën këta që të dorëzoheshin, Zylyftar Ramizi u bë trim. E mbaj mend si sot. Kishte hipur mbi tarracën e derës dhe e ngriti zërin. Jo vetëm që s’e mbajtën fjalën, por sapo u dorëzua i burgosuri i fundit, filluan t‘i torturonin në mënyrë çnjerëzore. Një infermiere që vinte na mjekonte herë pas here, na tha që aq shumë i kishin torturuar, saqë vetë kryetari i degës largohej kur i torturonin, se nuk mund t’i shihte”.

Pasi Revolta u shtyp në kamp u krijua gjendje terrori. Disiplina u bë më e hekurt dhe dhuna ushtrohej mbi të gjithë të dënuarit politikë pa përjashtim. Dëshmia e Lekë Mirakajt për terronin në kamp pas shtypjes së revoltës sjell shumë detaje mbi aktet e dhunshme:

“Pastaj në kamp filloi terrori. Lanë aty një farë Lekë Ymeri, i cili ishte nga Lekbibaj, malësor demek. Ai ka bërë namin me të burgosurit, se ishte si i plotfuqishëm. Pothuajse ndaj të gjithë të burgosurve u përdor dhuna fizike. Gjenin një pretekst të kotë, çfarëdo që të ishte, që nga vizat e çarçafit, që nga minutat e zgjimit, si e si të dhunonin të burgosurit. Pra, pas asaj ngjarjeje na kanë torturuar. Ajo ishte një ngjarje, që po të donin, ata e kishin evituar, por nuk deshën ta bënin. Arsyen se përse e bënë nuk e di. Por si se ajo ngjarje mund të ishte evituar. Është për të ardhur keq sepse u pushkatuan dy njerëz. Ishte gjithashtu edhe një burrë që quhej Sandër Sokoli. Ishte inxhinier ushtarak që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Kishte qenë drejtor në Uzinën e Armëve në Poliçan. Ishte nipi i Sadik Bekteshit dhe dhëndëri i Enver Halilit, që ishte në atë kohë ministër i Drejtësisë. Sandri kishte dy fëmijë dhe natyrisht që gruaja e ndau, por ai ishte burrë zotëri. Besonte në ideologjinë komuniste sepse kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Sjelljet e regjimit këtu i konsideronte të gabuara. Ishte njeri i ndershëm. Atë e torturuan dhe i thyen shtyllën kurrizore. Pastaj pasi vdiq e varrosën në kodrat aty përreth. Nuk di nëse ia kanë gjetur varrin. Pra, pas asaj ngjarjeje njerëzit në kamp janë torturuar shumë dhe kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë. ..

Pasi mbaroi revolta na ulën të gjithëve në shesh, ndërmjet mensës dhe fjetoreve. Forcat speciale të 326-ës na silleshin rreth e rrotull. Megjithëse ishte ngrohtë se ishte fundi i majit, ata xhupat me pambuk ne i mbanim me vete, të lidhura pas brezit, që po të na çonin në birucë t’i kishim me vete. Na thërrisnin një e nga një. Ata persona që kishin spikatur më tepër në revoltë, i merrnin. Në fund dolën ata që kishin qenë duke punuar me komandën në përpilimin e listave. Dhe kush ishin? Dy njerëzit më ordinerë që ekzistonin në burg. Se regjimi ka përdorur edhe këtë lloj metode. Merrnin të burgosur ordinerë nga burgu i Bulqizës, i dënonin gjoja për agjitacion e propagandë sikur kishin folur në burgun ku ishin, i sillnin në burgon tonë dhe i përdornin si spiunë. Njëri ishte hajdut. E kishte kaluar tërë jetën e tij nëpër burgje. Edhe mburrej për vjedhjet që kishte bërë. Këtë njeri, Sigurimi i Shtetit e kishte si dëshmitar kryesor. Ishte dhe tjetri, një njeri imoral, ordiner. Me këta punonte Sigurimi”, përfundon dëshminë e tij Lekë Mirakaj.

Gjyqi që dënoi më pushkatim dy guximtarët…

Në gjyq u nxorrën 12 të dënuar, të akuzuar për këtë revoltë. Të gjithë u shpallën edhe një herë armiq të regjimit, duke ju shtuar edhe akuzën për aktivitet terrorist. Gjyqi nisi 10 ditë pas revoltës dhe zgjati 3 ditë. Trupi gjykues ishte nga gjykata speciale e Tiranës.  Para gjyqit dolën të burgosurit Sokol Sokoli, Tom Ndoja, Sokol Progri, Haxhi Baxhinovski, Martin Leka, Hysen tabaku, Vllasi Koçi, Laze Shkëmbi, Bajram Vuthi, Ndue Pisha, Lulash Vushgjoka, Kostandin Gjermeni.

Tom Kolë Ndoja dhe Sokol Zef Sokoli u dnëuan me pushkatim. Pjesa tjetër me dënime të rënda.

Deri në vitin 2011 askush nuk dinte asgjë për vendin e ekzekutimit dhe vendvarrimin e dy të rinjve. Por Drejtori i Arkivit të Minsitrisë së brendshme të asaj periudhe Kastriot Dervishi publikoi një varg dokumentesh që zbardhnin misterin e zhdukjes së trupave të dy të pushkatuarve. Vendimi u ekzekutitimti të dy të rinjve ishte zbatuar nga DPB Shkodër në vendin e quajtur antenat në Kuç, më 9.6.1984. Dy ditë më parë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ksihte refuzuar faljen e jetës. Sipas shënimit të datës së ekzekutimit, të dënuarit nuk u qëlluan në kokë si zakonisht, por në gjoks. Kjo sepse pas vrasjes, sytë iu nxorën për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë “për punë shkencore”.

Bashkë me dokumentet u publikuara për dënimin dhe ekzekutimin e dy të dënuarve me vdekje, në vitin 2011 në arkivat e Ministrisë së Brenshme u zbulua edhe skema e vendvarrimit e vitit 1984, përmes së cilës u bë e mundur gjetja e trupave të dy Tom Ndojës e Sokol Sokolit, pas mëse 20 vitesh kërkime të vështira nga familjet e tyre.

Revolta e Qafë Barit ishte një revoltë mbijetese, pasi të burgosurit politikë aty u revoltuan për shkak të kushteve të rënda e normrvale të papërballueshme. Por ajo dëshmoi se shpirti i kryengritjes dhe frymës antikomuniste ishte gjallë edhe pse Shqipëria kishte kaluar plot 40 vjet nën thundrën e regjimit komunist.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ehuuuu: 14/06/2018 09:25

    Nje pyetje kam per kete zoterine, pse nuk i permend te tere ata qe ju torturuan. Kush ishin keta. Kesisoj historish kemi 25 vjet qe degjojme po emrat e torturuasve dhe vrasesve asnjehere nuk permenden. Thuaj ky ky e ai dhe mbaroi puna

    Përgjigju
    • Lek Mirakaj: 28/06/2018 18:15

      E respektoj pyetjen tuaj,po une e kam permebdur njerin nga kryesoret.Leke Ymeri.Ne shum raste I kam permendur me emer e mbiemer kriminelet si Edmond Caja,Beqir Vernozi,Shefki Ternova e te tjere.zJu keni te drejte,duhen demaskuar sherbetoret e krimit

  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?