Dy tonë kokainë iu sekuestrua grupit që mbushi Europën me tonelata droge. Në dosjen e siguruar nga Report Tv, zbardhet një tjetër episod, ndërsa kësaj radhe porositës të kësaj ngarkese janë dy vëllezërit biznesmenë Klevis dhe Artur Hoxhosmani.
Droga ishte porositur nga Ekudori dhe ishte fshehur në kuti bananesh, por biznesmenëve trafikanë nuk u shkoi plani siç duhet, pasi kokaina me vlerë 151 mln euro u kap nga autoritete në Portin e Roterdamit në qershor 2020.
“Ra puna mram nga Ekuadori, 2 ton, Çdo gjo ne rregull sa zbriti ne toke nga anija e mori dogana”, i thotë Artu Hoxhosmani një anëtari të paidentifikuar të grupit gjatë një bisede në SkyECC.
Në një tjetër bisedë, me një tjetër anëtar të grupit, Artur Hoxhosmani e njofton për sekuestron e drogës, duke i dërguar foton e një lajmi të publikuar në media rreth sekuestrimit të ngarkesës prej 2020 kg me lëndë narkotike. Anëtari i grupit ndan dhimbjen me Hoxhosmanin për drogën që iu sekuestrua, ndërsa i thotë se paska qenë lajm i minutës së fundit.
Anëtari i paidentifikuar i grupit: Me ka dhimt ne shpirt mu vlla jo mo ju
Artur Hoxhosmani: Ket e ka te mir Hollanda e qet ne lajme direkt. Shum keq vlla pz shum shum keq po hajt ma. Un kam hallin e vinxhit vlla qe ka ul kutin se ato kan kshu ore presjoni a kupto. Dhe ngarkesa 2 ton a kup ket qaj hall.
Anëtari i paidentifikuar i grupit: Po paska ken lajm i minutës funit vlla.
Më tej SPAK ka dokumentuar edhe përfshirjen e vëllait të tij në trafikun e drogës, përmes bisedave në SkyECC. Është vetë Artur Hoxhosmani që e zbulon të vëllanë Klevis, teksa flet me një anëtar të grupit dhe i thotë se adresën e tij në SkyECC tashmë do ta përdorë Keli, së cilit i referoheshin me pseudonimin “K”, “Keli” ose “blue”.
“Dhe me kapiten u lidhe. Kan kap ate manxeher. Ishte mren ma konfirmoj avokat. Po kam bo me date 19 dhe me date 26. Jam te teli tjetër, po dhe ket mbaje se do e mbaj K”, thotë Artur Hoxhosmani.
Ishte hetimi që SPAK kishte nisur për grupin kriminal që kishte planifikuar atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja që çoi në zbulimin e grupit që mbushi me kokainë gjithë Europën. Emra të njohur të botës së krimit, si Palurent Dervishaj, i penduari Erion Alibej, por edhe Hoxhosmani apo bosi i ‘Cincos’, Ermir Ndreaj, ishin pjesë e grupit me 16 anëtarë në total që trafikuan të paktën 6 ton kokainë, me vlerë tregu 411 milionë Euro.
Komente
