Kronikë

Dosja drejt GJKKO/ Ish vjehrra e Metës e pandehur për pastrim parash! Kryemadhi: E quajtën mamanë pastruese se më ndihmoi mua

29 Korrik, 07:00| Përditesimi: 29 Korrik, 18:35

  • Share

“Ka vendosur kongresi i PS që unë të merrem e pandehur.” Kështu e komentoi Fatime Kryemadhi, ish vjehrra e Ilir Metës dhe nëna e Monika Kryemadhit, marrjen të pandehur këtë të martë nga SPAK për pastrim parash. 79-vjeçarja bëhet kështu e pandehura e pestë e dosjes së ish çiftit Meta-Kryemadhi, pasi akuzohet se i ndihmoi ata të pastronin paratë e korrupsionit duke futur qindra mijëra euro cash në banka.

Akuzën e rëndë ndaj mamasë së saj, e komentoi me ironi edhe vetë Monika Kryemadhi.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale, pastruese e kanë quajtur. Mamaja ime ka blerë shtëpinë e vetë dhe pretendohet se ka blerë shtëpinë me paratë që i kam dhënë unë”, tha ajo për gazetarët pas daljes nga Prokuroria”, tha Kryemadhi.

Ish kryetares së LSI-së tre akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie iu komunikuan që në maj, ndërsa këtë herë në SPAK u thirr për të marrë dosjen e përfundimit të hetimeve. Ajo akuzoi prokurorinë për proces politik, të cilin premtoi se do ta bëjë film, ndërsa nuk harroi të njoftonte edhe për unazën e re në gisht.

Të pandehurit të vetëm që nuk i është komunikuar ende zyrtarisht mbyllja e hetimeve është Ilir Meta, i cili ndodhet prej 9 muajsh në burg, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. SPAK i kishte dërguar letrën, por kryetari i PL thotë se i erdhi me vonesë dhe avokatin e kishte jashtë vendit.

Të hënën e kësaj jave SPAK nisi komunikimin e përfundimit të hetimit, teksa Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, i komunikuan akuzën për pastrim parash Ema Çokut dhe korrupsion pasiv ish-kreut të AKEP, Pirro Xhixho. Tashmë që SPAK ka mbyllur hetimet, avokatët kanë 10 ditë kohë për të paraqitur prapësimet e tyre dhe me pas dosja është gati për tu depozituar në GJKKO.

Kjo çështje përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.

TË PANDEHURIT DHE AKUZAT
Ilir Metakorrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie
Monika Kryemadhi; korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie
Pirro Xhixho; korrupsion pasiv
Ema Çoku; pastrim parash
Fatime Kryemadhi, pastrim parash

 

Ora 14:52
Kryemadhi: Mamanë e quajtën pastruese se më ndihmoi mua! E ëma: Direktivat u dhanë në Kongresin e PS-së!

 

Monika Kryemadhi tha se nënën e saj, Fatime Kryemadhi, SPAK e ka përfshirë si të pandehur në dosje, sepse ka ndihmuar atë për të pastruar veprën penale të fshehjes së pasurisë.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale, pastruese e kanë quajtur. Mamaja ime ka blerë shtëpinë e vetë dhe pretendohet se ka blerë shtëpinë me paratë që i kam dhënë unë”, tha ajo për gazetarët pas daljes nga Prokuroria.

Kurse vetë Fatime Kryemadhi, e cila doli pas të bijës nga godina, foli shkurtimisht duke fajësuar Partinë Socialiste për hetimin ndaj familjes së tyre.

“U dhanë direktivat në Kongresin e PS-së dhe u shpërndanë. U dhanë në Kongres direktivat”, tha ajo shkurtimisht.

Akuza ndaj saj është ‘pastrim i produkteve të veprës penale’.

Në fund Kryemadhi u tregoi gazetarëve teksa fliste lirshëm me ta se kishte qenë pa qejf nga ana shëndetësore edhe pas problemeve që kishte pasur me veshin e mesit. Gjithashtu u pyet edhe për unazën që kishte gjetur.

“Kam pasur probleme me veshin e mesit. Ja mo unaza..., ja tek e kam, me diamant dhe rubin madje”, u përgjigj ajo teksa pyetej nga gazetarët.

 

 

Ora 14:41
Meta e quajti ‘Zegjine’, Kryemadhi: Iliri s’ka internet në burg! E ka bërë fansi i garderobës time dhe vjehrri i tij, se ua njoh racën

 

Monika Kryemadhi u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me një reagim të tij të ditëve më parë, ku e krahasonte me deputeten socialiste të sapozgjedhur në qarkun e Fierit, Zegjine Çaushi.

Ajo tha se mendonte që deklarata nuk ishte bërë nga Meta prej qelisë, sepse ai nuk ka internet në burg, por ia faturoi atë numrit dy të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe vjehrrit të tij, duke i nënkuptuar, e për të cilët tha se “i njeh çfarë race janë’.

“Nuk e di nëse Meta ka internet në burg, por transmetuesi i kësaj është fansi i garderobës time, nëpërmjet vjehrrit të vet, se ai e frymëzon, se ua njoh rracën të gjithëve për fat të mirë. Mua më vjen keq për të gjithë këtë histori që ka ndodhur, këtë situatë, sigurisht kam përgjegjësitë e mia si nënë e fëmijëve të tij dhe bashkëshorte, nuk e shoh të arsyeshme t’i tregoj Metës marrëdhëniet e mia shoqërore. Unë kam qenë e lidhur fort nga ana sentimentale me të, kam qenë korrekte me të për çdo gjë. Kam qenë moralisht dhe shpirtërisht korrekte me Metën”, u shpreh Kryemadhi në përgjigje të epitetit “Zegjine” që i vendosi ish-bashkëshorti.

Ora 14:32
Iu komunikuan akuzat, Kryemadhi pas daljes nga SPAK: Ilir Meta s’ka lidhje, telenovelë që do e bëj film! Nëse dhurata ka kaluar shifrën ligjore, të gjykohem!

1753792455_monikakryemadhi.jpeg

Monika Kryemadhi është njohur sot me akuzat nga SPAK dhe është marrë e pandehur për çështjen e fshehjes së pasurisë. Akuzat ndaj saj lidhen me kartën bankare që hetuesit kanë gjetur dhe shpenzimet që ka bërë deri edhe në SHBA.

Pas daljes nga godina e Prokurorisë së Posaçme, ajo dha edhe një deklaratë për mediat.

“Firmosëm ato fletët që s’jemi dakord! Do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë. Mamaja ime akuzohet se më ka ndihmuar mua, pastruese pra. Akuzohem për fshehje pasurie. Vepër penale nuk ka. LSI ka deklaruar pagesat. Nëse kam kaluar vlerën 5 mln lekë të dhuratës, le të më çojnë në Gjykatë. Të ndahen shpenzimet që kemi bërë për ditëlindjen në SHBA. Kemi ngrënë drekën, janë paguar 1 mijë dolalrë, të pjesëtohen, Monika dhe fëmijët i bie 80 dollarë për njeri. Pastaj klemi shkuar në Disneyland te Universal Studio, bileta 100 dollarë. Kanë qenë dhuratë për ditëlindje, nëse e kalon vlerën sipas ligjit le të më gjykojnë”, tha Kryemadhi pas daljes nga godina.

Ajo i cilësoi të gjitha telenovela me të cilat do bënte film në të ardhmen.

“Të gjitha këto janë telenovela, që për fatin e keq apo të mirë do i bëj filma në të ardhmen”, tha ish-kryetarja e LSI.

Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.

“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta. Unë kam shpenzuar për rininë socialiste, përkundrazi, për Forumin Rinor”, u shpreh ajo, duke bërë krahasime me aktivitetin dekada më parë.

Ora 13:11
VIDEO/ Kryemadhi gjen unazën me diamant përballë SPAK-ut: Do të paguaj avokatin! Mami është 'sniper'! Unë i kam ngjarë babit, ishte llafazan

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur sot në SPAK ku do ti komunikohet mbyllja e hetimeve për dosjen ‘Meta’, në të cilën është marrë e pandehur.

Ndërkohë që po hynte në ambientet e SPAK, Kryemadhi u përfshi në një episod të pazakontë. Ajo tha se kishte gjetur një unazë me diamant, sapo kishte zbritur nga automjeti, përballë institucionit. Ish-deputetja shtoi me ironi se unazën do ta dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme ose do ta përdorë për të paguar avokatin

Teksa mbante unazën në dorë Kryemadhi nuk iu ‘shpëtoi’ as pyetjeve të gazetarëve.

 “Po bëj gati skenarin për filmin e radhës. Brenda 10 ditëve do bëjmë memon. Më kanë thirrur shtatë herë deri tani, nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj unë më me ata, do të flas në gjykatë. Që në momentin që merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do të bëjnë lojën e tyre ne do të bëjmë lojën tonë”, tha Kryemadhi në një prononcim për mediat.

Kryemadhi nuk i kurseu as batutat me gazetarët, ku ndër të tjera theksoi se nëna ishte më 'sniper' se ajo.

“Nuk kam ndryshuar avokat, sepse edhe si dje ishte në një masë sigurie tjetër. Jam e bindur që do të kemi një ekip të mirë, do të bëjmë edhe një risi sa i përket proceseve ligjore. Kam marrë vesh që derisa shkon çështja në gjykatë, unë nuk kam pse shkoj. Ata kanë bërë lojë kungulleshkash.

Mamin tim ma kishit nxjerrë shumë bukur dje. Mami nuk luan në film se është 80-vjeç, por kam ardhur sot që mos ta fusin në skaner. Është më ‘sniper’ se unë ajo. Unë i kam ngjarë babit. Babi im është përjashtuar katër herë nga partia se ishte llafazan si puna ime, i thoshte të gjitha të vërtetat në sy”, shtoi ajo.

Ora 12:49
Mbyllja e hetimeve, Meta: Sot më njoftuan për të shkuar në SPAK, avokati nuk ishte në Shqipëri! Do të paraqitem sapo ai të mundet

1752753008_ilirmeta.jpg

Foto: Ilir Meta

Ditën e sotme SPAK thirri ish-presidentin Ilir Meta për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve, 9 muaj pas arrestimit të tij. Avokati i tij Kujtim Cakrani kërkoi disa ditë kohë, me argumentin se është me pushime, ndërkohë kreu i PL- përmes një postimi në rrjete sociale shprehet se nuk ka pasur ndonjë shkresë zyrtare nga SPAK.

Meta pretendon se ai është njoftuar mëngjesin e sotëm nga gardiani i burgut, teksa thekson se avokati i tij nuk ndodhej në Shqipëri.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Nuk kam patur as ftesë dhe as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian i IEVP “Jordian Misja” më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin te SPAK, pa dhënë asnjë lloj sqarimi.

U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian.

Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur.

Mezi presim gjykimin dhe përballjen, pas 6 vitesh hetimesh, që nga dhjetori 2019, për të çmontuar këtë proces farsë, të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, në mënyrë që i gjithë opinioni vendas dhe ndërkombëtar të mësojë të vërtetat e vetme:

ZERO fakte penale!

ZERO prova penale!

ZERO akte dhe vendime të paligjshme!

ZERO lekë dëm buxhetit të shtetit!

ZERO lekë të përfituara në shkelje të ligjit!

ZERO pasuri të paligjshme!

Ora 10:15
SPAK e thirri për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve, avokati i Metës kërkon disa ditë kohë: Jam me pushime

1748367299_ilirmeta1.jpg

SPAK kishte thirrur sot edhe ish-presidentin Ilir Meta për t’i komunikuar mbylljen e hetimeve, 9 muaj pas arrestimit të tij. Meta pritej që të shkonte sot në SPAK, njëjtë si ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, por avokati i tij, Kujtim Cakrani ka kërkuar disa ditë kohë, me argumentin se është me pushime.

Meta u mor i pandehur më 29 maj dhe iu komunikuan akuzat për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash.

Xh.K/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • iliri: 29/07/2025 14:59

    nuk mund te kete spjegim tjetr a e ka kapacitetin fatimja

    Përgjigju
  • Eri: 29/07/2025 14:54

    Edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin perpjete, tall te pasmet akoma. S'ke faj ti kur te le SPAK te vish verdalle. Tjetren e futen ne burg per nje arke peshk e nje Iphone, ndersa ti e kapur nga te gjitha anet ne korrupsion e mitmarrje vazhdon komedine.

    Përgjigju
  • Grand velipoja europa: 29/07/2025 08:30

    Pyetni deputetin gon qelen e vajzen e tij me belmen per pasurine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Më i votuari i listës së hapur, a mendoni se mandati i takon Adriatik Lapajt?