Detaje të reja janë zbardhur nga dosja e operacionit ‘Ura’ që e disponon Shqiptarja.com ku hidhet dritë mbi veprimtarinë e një grupi kriminal shqiptar që bashkëpunonte ngushtë me krerë lokalë të mafias në jug të Italisë.
Ngjarja e rikonstruktuar nga hetuesit përmes pamjeve filmike, bisedave të përgjuara dhe analizës së targave, ka ndodhur më 28 korrik 2020 në orën 18:00, në një vilë private në zonën e Barit.
Në qendër të episodit ndodhen dy shqiptarë, Nuredin Kiptiu dhe Agron Ganaj, të cilët janë regjistruar duke mbërritur në banesën e dy italianëve Cesare Giliberti dhe Antonio Ronghi të dy nën hetim për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge.
Sipas të dhënave të hetimit, Kiptiu mbërriti me automjetin e tij dhe u afrua te porta kryesore, duke përdorur interfonin për të komunikuar me banorët. Ky veprim bëri të mundur identifikimin e qartë të fytyrës së tij përmes kamerave të sigurisë të vendosura në hyrje. Ndërkohë, pas tij mbërriti një makinë tjetër tip Opel Astra, ku ndodhej Agron Ganaj. Të dy, sapo hynë në pronë, dorëzuan një zarf që më pas iu kalua Gianfranco Giliberti, djali i Cesare Giliberti-t.
Zarfi në fjalë, sipas dosjes së prokurorisë italiane, përmbante 3 kilogramë heroinë, dhe ky fakt është dokumentuar me anë të pamjeve filmike dhe shënimeve të mbajtura nga hetuesit në terren. Zarfi është etiketuar në dosjen hetimore me shifrën “UU”, një kod i përdorur për të lidhur ngjarjet dhe objektet e provës me sekuencat specifike të videos.
Hetimi detajon se ky transaksion është një nga rastet e shumta ku shtetas shqiptarë, me funksione të ndryshme brenda rrjetit, kryejnë dorëzime të drejtpërdrejta të drogës tek bashkëpunëtorët italianë. Përmes analizës së targave të makinave dhe kornizave të videos së kamerave të sigurisë, prokuroria italiane ka bërë të mundur identifikimin pa asnjë mëdyshje të autorëve të përfshirë në këtë ngjarje.
Detaje mbi rolet në grupin e trafikut mbi Nuredin Kiptiun dhe Agron Ganajn
Kiptiun bashkëpunonte me elementë italianë për shpërndarjen e heroinës në zonën e Barit. Transportonte sasi prej 3 kg dhe organizonte takime për dorëzimin e drogës.
Ganaj kryente përpunimin në shtëpinë e Giovanni Montedoro në Noicattaro.
Komente
