Gjykata e Posaçme dhe nënkryetari i saj që mban njëkohësisht detyrën e drejtuesit të institucionit, Erjon Bani, po bën politikë dhe fushatë, pasi pret që PD dhe Sali Berisha të fitojnë zgjedhjet dhe të përfitojë nga kjo.
Ky është edhe arsyeja kryesore e taktikës së zvarritjes pa fund në një rekord që po hyn në muajin e shtatë, të dosjes së aferës “partizani” ndaj Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerëve.
Kështu deklaroi avokati Idajet Beqiri sot në “Studio Live” të Report Tv, i pyetur rreth rastit të pazakontë të zvarritjes së seancës paraprake, ku GJKKO ende nuk ëhstë e aftë që të marrë një vendim, teksa e shtyn me procedurë.
“GJKKO dhe veçanërisht Erjon Bani janë futur në fushatë elektorale, po bën politikë. Sepse mendon se mos përfiton, mos fiton Saliu dhe bëhet kryetar, ndaj edhe po zvarritet kjo çështje pa fund, përtej çdo parashikimi ligjor. GJKKO dhe Bani presin fitoren e Berishës. Kjo është një situatë absurde dhe skandaloze, por Berisha nuk pyet as për ligj shteti dhe as për gjykatë. Fajtori kryesor i shtyrjes së dosjes është vetëm Gjykata. Sali Berisha është shpallur i pandehur, ka më shumë se një vit, ndaj edhe çështja duhet të ishte përfunduar nga Gjykata, jo ta zvarrisi me 7 muaj. Ose ta kthejë, ose të kalojë, këto rrugë janë, jo më shumë se një muaj është afati”, shprehet Beqiri për moderatorin Arbër Hitaj.
Madje ai shkon më tej, pasi ky rast i paprecedent dhe skandaloz duhet të shoqërohet me një kallëzim penal ndaj gjyqtares së dosjes.
“Tani afat ka mbetur vetëm t’i bësh kallëzim penal gjyqtares dhe ta çosh për hetim, pse e shkel ligjin? Ajo nuk ka asnjë justifikim për rastin. Por ka zgjidhje, sepse është avokati kryesisht, e parashikon ligji zgjidhjen. Nuk mund të zvarritet çështja pa fund, sepse ka Kod të Procedurës Penale, ka afate, nuk mund të shtyhet seancë pas seance. Nëse nuk vjen avokati kryesor, ka studio avokatie ai, dërgon avokatin tjetër dhe Gjykata ia kërkon. Por kjo është e qëllimtë”, thekson avokati.
I ftuari tjetër, avokati Fatmir Merkoçi, vuri në dukje se vërtetë rasti është i pazakontë dhe dosja ka thyer çdo limit kohor me zvarritje proceduriale, që i cilësoi brenda kuadrit të një çështjeje, duke u shprehur qartazi se kjo tregon që “GJKKO nuk ka as taban dhe as këllqe për ta marrë vendimin”.
“Nuk mendoj se shtyrja e seancës është për mirë, Gjykata ka menduar që ta shtyjë për pas zgjedhjeve me sa duket. Për të tre rastet ajo bazohet në ligj, por duke marrë një vendim ajo frikësohet edhe për reagimet. Ndaj mendoj se edhe po e shtyn. Nuk e gjykoj unë këtë, por nëse do ishte e bindur, do e kalonte apo do e kthente mbrapsht. Por shtyrja do të thotë se GJKKO nuk ka taban për të marrë vendimin. Bëhet lojë politike nga të dy krahët. Por GJKKo nuk ka këllqe për ta bërë, është e paaftë për të marrë vendimin. Nuk do të bëhet pjesë. Për mua duhet ta kishte marrë vendimin shumë kohë më parë. Zvarritja ka ndikime politike dhe ato janë në të dy krahët. Afati ka mbaruar. Këto çështje shtyhen e zvarriten, me anë të mungesës së avokatëve”, tha ai.
Një tjetër temë diskutimi në studio ishte edhe zgjatja e mandatit të prokurorëve të SPAK. Avokati Beqiri u shpreh në favor, sepse sipas tij është shumë shpejt që misioni i nisur nga Prokuroria e Posaçme të përfundojë, pasi drejtësia për shumë ngjarje të mëdha si Gërdeci apo 21 Janari nuk është bërë ende.
“Në një vend ku nuk merret drejtësi, ai vend është i vdekur. Ndaj edhe njerëzit të mërzitur e braktisuin vendin dhe largohen. Reforma e vitit 2016 mori një formë të mirë, gjyqtarë e prokurorë u hoqën, disa dhanë dorëheqjen se nuk përballonin dot Vettingun, pasi e dinin se ishin të përlyer. U krijua një klimë se po funksiononte drejtësia. SPAK ishte shembulli më i mirë i funksionimit, i mori disa masa si shembull dhe hyri në rrugë, por është shumë rugë për t’u bërë. Sepse korrupsioni ndër vite ishte i madh, vepra të jashtëzakonshme penale, të pazbardhura e të jashtëzakonshme. Që nga 2 prilli në Shkodër për vrasësit direkt apo ekzekutorët, urdhëruesit. Pastaj 26 maji me votën e lirë në 1996 që nuk u hetua, s’u hetuan firmat piramidale, 4mld lekë që iu vodhën shqiptarëve dhe u shkatërrua vendi më 1997, u vranë njerëz, s’u bë drejtësi. Më 14 shtator 1998 grushti i shtetit në mes të Europës, nuk u dënua. Nuk u dënua Gërdeci, Strasburgu tha që të bëhet drejtësi, të gjykohet, me 26 të vrarë e qindra të plagosur, nuk po ndëshkohet. Edhe 21 janari nuk po ndëshkohet, po e shohim edhe vetë. Por edhe privatizimet e miliarda dollarëve industri e karburanteve në vend, ku grabëllohet pasuria e shqiptarëve, kromi, ari, e të tjera, deri në vitin 2016. Janë 5 mld euro industri nafte të vjedhura. Këto krime duhen hetuar. Për këtë u ngrit SPAK, më thoni se çfarë ka hetuar SPAK dhe çfarë është gjykuar?”, u shpreh ai.
Dhë për ta përfunduar mendimin e tij, deklaroi:
“Ndaj jam edhe për zgjatjen e mandatit të SPAK më tej, madje pse jo edhe dy mandate. Sepse edhe ndërkombëtarët e duan, është edhe ndihma më e madhe që i jepet për të vijuar kjo reformë dhe për t’u bërë drejtësi, që të vijojë rruga e nisur”.
Për avokatin Merkoçi, reforma ishte një diktaturë, pasi duhej ndryshuar sistemi dhe jo prokurorët apo gjyqtarët.
“Kjo është diktaturë, diktaturë e shtetit, e kam thënë që kur e votuan me 140 vota në Parlament reformën në drejtësi. Unë kam kërkuar ndryshim sistemi, jo hiq një prokuror e vendos tjetrin. Jo ky duhet të iki se nuk ëhstë joni dhe anasjelltas, ku vendosen ushtarët. Ata që bënë reformën, u bënë edhe vetë pjesë e reformës. Këta krijuan një flluskë sapuni e zallamahi. Ose bëje gjykatë e prokurori me vazhdimësi, ose mos e prek fare. Nëse prokurori i mbaron afati dhe ikën nesër do e çosh diku tjetër, por ky ka gjithë informacionin. Po si mund të bësh lëvizje kështu me ulje-ngritje. Gjykata s’duhet të jetë me afat të përcaktuar”, u shpreh ai.
Komente
