Procesi i dosjes së aferës “Partizani” është më i rëndësishmi dhe më i madhi në Shqipëri për nga vlera juridike e tij, por jo për nga shkalla e krimeve që ka bërë Sali Berisha në karrierën politike.
Kreu i PD-së e ka ngritur karrierën e tij mbi viktima dhe korrupsion dhe nëse SPAK ia del ta çojë me sukses deri në fund këtë dosje voluminoze, atëherë do të shërbejë edhe si standard për të goditur të gjithë politikanët e tjerë që kanë përdorur ligjer për të vjedhur, pasuruar dhe për t’u mbrojtur nga drejtësia.
Kështu u shpreh kreu i “Nisma Thurrje” dhe drejtues i Nisma Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e 11 majit, Endri Shabani, i ftuar sot në “Studio Live” nga moderatori Arbër Hitaj.
Politikani i ri, që nuk ia doli dot të zgjidhej deputet më 11 maj, bëri një analizë të situatës politike dhe jo vetëm; pritshmëritë e koalicionit ku bën pjesë, e ardhmja e tij dhe opozitës, gjendja e PD-së dhe kreut të saj Sali Berisha në përballje me drejtësinë, si dhe betejat e ardhshme elektorale.
“Ky është krimi më i parëndësishëm i Sali Berishës, dosja më e parëndësishme ndër ato që ai ka në karrierën e tij. E kam parë që kur isha ende në kopsht, kur ishte me flokë të zeza, tani është thinjur, e pashë më 1997, e pashë në Gërdec apo me 21 janarin dhe ligjin 7501 të tokave. Berisha ka bërë karrierë mbi viktima dhe afera korrupsioni. Ky është krimi më i parëndësishëm i tij. Por në fakt, ky është edhe gjyqi më i rëndësishëm në Shqipëri, dosje për t’u studiuar, dosje që flet për kapjen e shtetit. SPAK ka punuar shumë mirë me këtë dosje, ka shkuar më tej, ka hyrë të fuqia e pushtetit publik, e vjedhjes me ligj, ku bëhen ligje dhe akte nënligjore që pasurojnë familjet. Nëse kjo dosje ka sukses, shërben edhe për të gjithë ata zyrtarë të tjerë që kanë përdorur pushtetin ligjor për t’u pasuruar vetë, tarafin e tyre dhe për t’u mbrojtur nga procedimi penal”, shprehet Shabani.
Por ai është i bindur se ndërsa nuk ofron më shpresë dhe ndryshim, kreu i PD-së e ka të qartë strategjinë e tij, që jo vetëm të presë “shkurret” brenda partisë dhe të eliminojë ata që mund ta pasojnë, por edhe se si të godasë ata jashtë partisë, forcat e reja, siç bëri edhe gjatë fushatës së fundit.
“Berisha nuk ofron më kurrë shpresë dhe ndryshim, ka 35 vite në politikë dhe vitet e tij më të mira i ka pas shpine. Te PD ai ka prerë çdo shkurre dhe këtë tenton të bëjë edhe me partitë e reja. Edhe në PD nuk ka kandidatë, sepse Berisha ka vrarë çdo shpresë, i ka eliminuar figurat e asaj partie dhe nuk i ka lejuar ata”, tha kreu i “Nisma Thurrje”.
Ai foli edhe për rezultatin deri diku pozitiv në zgjedhje, por që sistemi i gabuar elektoral i 2 forcave të mëdha i goditi që të merrnin më shumë deputetë, në një garë të pabarabartë në Kod Zgjedhor. Ai thotë se Nisma Shqipëria Bëhet nuk është ankuar asnjëherë për vjedhje apo manipulim votash siç bëjnë partitë e tjera.
“Fatkeqësisht kandidati ynë nuk ia doli dot të bëhej dot deputet në Fier dhe të hynte në Parlament, një inxhinier i shkëlqyer, Azmer Duleviç, por do kemi zgjedhjet e ardhshme lokale dhe pas 4 vitesh përsëri të përgjithshme. Kjo është një rrugë për shumë të rinj, që bëhen pjesë e strukturave drejtuese, këshilltarë por këtë hjerë prej së vërteti për atë që ka thënë Basha, “Lufta sapo ka filluar”, por kjo për të rinjtë. Lëvizja Nisma Shqipëria Bëhet nuk është ankuar asnjëherë për vjedhje apo manipulim votash. Edhe në Tiranë nuk patëm pretendime, e kemi thënë edhe në zgjedhjet e 2023, edhe më 2021, ky është rezultati i zgjedhjeve dhe votat tona shtohen vetëm duke parë përpara dhe rezultatin në sy. Ne kemi qenë aty, i kemi ndjekur vetë nga afër, beteja jonë është si t’i shtojmë këto vota, nga 65 mijë t’i shtojmë. Por ka deformim të vullnetit të zgjedhësve sepse fatkeqësisht 65 mijë votat tona janë vetëm një mandat në Parlament, kurse kaq vota në Vlorë për PS u kthyen në 9 mandate. Garë e pabarabartë, e padrejtë, por ky është sistemi. Zgjedhjet e vitit 2029 të bëhen më herët”, theksoi Shabani.
Pengesa kryesore për partitë e reja mbetet Kodi Zgjedhor dhe sistemi elektoral, sepse partitë e reja me votat që kanë marrë duhet të kishin 14 mandate deputetësh dhe jo 4. Ai ia vuri fajin edhe “genit" historik shqiptar, që kurrë nuk bashkohen për një kauzë dhe kërkojnë protagonizëm.
“Ka shumë gjëra që nuk shkojnë, e para sistemi zgjedhor, me dy partitë e mëdha që e kontrollojnë dhe të mbajnë partitë e reja larg. Por ato e kanë bërë sistemin që të deformojnë votat ku në vend të përfaqësohemi si parti të reja me 14 mandate, do përfaqësohemi vetmë me 4, se kështu e kanë bërë sistemin ato. Një faktor tjetër janë financat dhe tjetri fushata mediatike. Kemi betejë edhe me varfërinë, por edhe me injorancën. Edhe ne kemi përgjegjësitë tona. Bashkimi ishte një pikë e dobët, dha dhe këtë rezultat. Në Shqipëri ne nuk kemi kulturë bashkëpunimi, historia e tregon edhe në libra, pra janë nevoja për protagonizëm, shpesh në kurriz të interesit kombëtar dhe nevojave historike, që la shumë të rinj me zë jashtë parlamentit. Po të bashkoheshim do të kishim pasur më shumë sukses, por dështuam në këtë pikë, nuk ia dolëm dot”, vijoi ai.
Shabani e mbështet idenë e Agron Shehajt që partitë opozitare të reja të bashkohen nën një kandidat të vetëm për zgjedhjet lokale të ardhshme, pasi ka sens, por përjashtoi faktin që partitë e reja të mbështesnin kandidatin e PD-së. Por ai shton se në formatin aktual, Nisma do të ketë kandidatët e saj për zgjedhjet lokale.
“Nuk është asnjëherë vonë, sidomos për zgjedhjet lokale, ku o fiton o humbet, ndaj nuk bën sens që forcat e reja të bëjnë propozime për shumë kandidatë. Ndaj zoti Shehaj ka bërë këtë propozimin për një kandidat të përbashkët dhe ka sens. Por jo që partitë e reja të mbështesin kandidatin e PD-së, por që PD të mbështesi kandidatin e partive të reja. Ne do të kemi kandidatët tanë në zgjedhjet lokale. Të kemi më shumë zëra edhe në këshillat e bashkive. Të ketë jo vetëm rotacion politik, por edhe rotacion brezash. Ne kemi dakordësinë për kandidatët tanë në lista. Realizuam marrëveshjen e dorëheqjeve të listave të mbyllura dhe tani është renditja e kandidatëve të listës së hapur dhe ndarja e mandateve sipas saj. Zoti Lapaj është i pari i listës. Ta vazhdojmë betejën brenda dhe jashtë Parlamentit, edhe në këshillat bashkiakë e më tej”, tha Shabani.
Pasi foli për dosjet që ka dërguar në SPAK ndër vite, Shabani kujtoi ato të Sterilizimit dhe inceneratorëve, teksa kritikoi SPAK për dosjen tjetër të fondeve të AZHBR-së, që u janë vjedhur fermerëve dhe u janë dhënë zyrtarëve. Madje ai tha se janë denoncuar edhe 2 oligarkë të njohur, që kanë përfituar toka me 1 euro në bregdet.
“Kemi denoncuar edhe dy oligarkë që kanë përfituar tokë me 1 euro në bregdet. Mos u habisni kur nesër të ketë të pandehur edhe oligarkë”, tha ai.
Shabani komentoi edhe sjelljen paszgjedhore të mazhorancës fituese me shumicë të cilësuar, për herë të parë në historinë politike shqiptare, ku nuk ka as debat dhe as diskutime se çfarë do bëhet në 4 vitet e ardhshme. Por shtoi se do vijojnë t’ia dalin për të bërë opozitë. Ai shtoi se opozita që përfaqëson nuk do djegë goma, por do dërgojë projektligje dhe do denoncojë aferat.
“Jemi më shumë se një muaj pas zgjedhjeve të 11 majit dhe ende nuk e dimë se çfarë do bëjë kjo mazhorancë në 4 vitet e ardhshme pasi ka fituar. Nuk kemi asnjë debat dhe reagim te PS. Ne nuk do djegim goma, por do çojmë projektligje, do i ekspozojmë për shkeljet apo veprimet antikushtetuese. Nuk e dimë nëse do ia dalim, sepse Rama i ka numrat, por Shqipëria po hyn në BE. Për herë të parë kemi një shumicë të cilësuar, ku ligjet mund t’i bëjë vetë, ligjërisht mund ta bëjë Rama, por ne do bëjmë punën tonë si opozitë. Pra opozita duhet të kërkojë të fuqizojë rolin e vetë opozitar në skenën politike që është pesimiste, pra të kërkojë të zgjedhi Avokatin e Popullit dhe institucioneve të tjera të pavarura. Opozita ia ka dalë ta fuqizojë rolin e saj, ne do jemi alternative konstruktive dhe konkurruese”, përfundoi Shabani.
Komente
