Tirane- Në dosjen 500 faqe të SPAK zbulohet edhe mashtrimi me kontratën për blerjen e kompanisë Homeplan“ nga Jamarbër Malltezi e 35 % dhe Xhimi Begeja me 25 %, ndërsa Fatmir Bektashi do t’i mbeteshin 40% të aksioneve.
Kontrata pretendohet se është nënshkruar më 23.01.2014 por u regjistrua në QKB më 21.12.2018. Vetë Argita Malltezi ka pretenduar në shumë emisione televizive se ajo që vlen është data e nënshkrimit tek kontrata e shitjes ndërkohë që regjistrimi në QKB është bërë shumë më vonë pasi nuk ishte e detyrueshme por thjesht një shkelje administrative.
Pikërisht mbi bazën e datës së nënshkrimit të kësaj kontrate Jamarbër Malltezi ka arkëtuar nga Homeplan miliona euro divident sikur ka qenë ortak që nga viti 2014.
Por në fakt SPAK ka zbuluar se kemi të bëjmë me një mashtrim. Dokumenti i kontratës në fakt është shkruar dhe nënshkruar më 21 shtator 2018 edhe pse me një datë 4 vite të mëhershme.
Vendosja e muajit janar 2014 si kohë e realizimit të kësaj shitje (aksioneve), nga tërësia e provave të administruara rezulton se tregon një kohë të rreme‘ shkruan SPAK në dosjen e tij.
Ku bazohet SPAK?
SPAK e bazon akuzën mbi sekuestrimin dhe akt ekspertimin e kompjuterit të gjetur në studion „Pustina“ dhe në bllokun e zi me ngjyrë të zezë të sekuestruar tek kjo Studio me mbishkrimin "2018"
Nga akt ekspertimi i hard drive-it ka rezultuar se kontrata e shitjes së ‚Homeplan‘ i është krijuar dhe printuar pikërisht në datën 21 shtator 2018 , nga studio Pustina, e cila përgatiste kontrata të ndryshme apo akte në funksion të aktivitetit të zhvillimit të ndërtimeve por edhe të shoqërisë Homeplan sh.p.k.
Nga kqyrja e aktit të ekspertimit të hard drive-it të jashtëm të gjendur në studion e Pustina, rezulton i ruajtur dokumenti "Praktika e shitjes së pjesmarrjes” ku gjendet vendimi i ortakut dhe kontrata e shitjes. Ky dokument rezulton të jetë krijuar më datë 21.09.2018 me autor Laura dhe të jetë printuar po më datë 21.09.2018, thuhet në dosjen e SPAK.
Laura Pustina është noterja e familjes, motra e financieres Andia Pustina tashme marrë si pandehur për pastrim parash
Po kështu SPAK thotë se ndër vite janë bërë përpjekje për të justifikuar dhëndrin e Sali Berishës dhe ortakun Xhimi Begeja në vjeljen e përfitimeve por nuk kishin gjetur ende një format të duhur. Dhe në fakt janë gjetur drafte të ndryshme me data të ndryshme të kontratës së shitjes.
Po nga ky ekspertim – shkruhet në dosjen e SPAK -, është gjendur i ruajtur dokumenti me datë krijimi 05.10.2017, datë printimi 06.10.2017 dhe date ruajtje për herë të fundit 23.10.2017 me autor dhe ruajtur për herë të fundit nga përdoruesi "Laura" dokumenti me emërtimin "Kontratë shitje Homeplan". Në këtë dokument në formatin Ëord, gjendet kontratë shitje e datës 20.02.2015 mes shitësit Fatmir Bektashi dhe blerësve Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja për shitjen e kuotave të kapitalit të shoqërisë.
„Pra në ndërthurje të gjithë situatës së sipërcituar, rezulton si edhe janë pasqyruar nëpër dokumenta të ndryshme, se janë bërë përpjekje ndër vite për të justifikuar shtetasit Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja në vjeljen e përfitimeve nga shoqëria Homeplan sh.p.k. por deri në fund të vitit 2018 nuk ishte gjetur forma si do të bëhej ky prezantim‘ evidentohet në dosjen e SPAK
Edhe në shënimet e gjetura në bllokun e zi me ngjyrë të zezë, sekuestruar tek studio Pustina me mbishkrimin "2018" në faqen 20 janar 2018: "250 K Xh.B." dhe paraqitja e një skeme me tre rrathë‘
Po kështu dy muaj më pas në të njëjtën bllok është një tjetër shënim ku kërkohet të gjendet mundësia për largimin e Xhimi Begejës nga kjo marrëveshje dhe më pas ndarja e kuotave të bëhej 50 me 50 mes Malltezit dhe Bektashit
Në të njëjtin bllok konstatohet ndër të tjera shënimi i bërë më datë 02 mars 2018 si vijon:" Homeplan i ri. Të sistemohet bordi i A prej 250 000 lekë. Të shihet mundësia e largimit të Xh. Pas blerjes së kuotave nga A dhe të futet në ....(palexueshëm) A + F. 50+ 50".
Për më tepër, një fakt tjetër bindës që SPAK sjell në vëmendje është fakti se "Fatmir Bektashi ka shitur kuotat në vlerë të papërfillshme krahasuar me fitimet që shoqëria kishte akumuluar deri në vitin 2014 kur edhe pretendohet se janë bërë ortakë shtetasit Malltezi dhe Begeja' evidenton SPAK.
Vetë Xhimi Begeja, ortaku i Malltezit është marrë në pyetje 4 herë nga SPAK nga 2022 deri në shtator 2023 ku ka thënë se nuk e mbante mend datën e saktë dhe kuotat e sakta që ka blerë dhe as nga kush I ka blerë
Në dëshminë e dhënë më 25 shtator 2023 Begeja ka thënë: “Nuk më kujtohet sesa lekë kam futur nga kursimet e mia por ishin gjëra të vogla"
I pyetur në lidhje me faktin se përse nuk rezulton bashkëortak me shoqërinë Homeplan që në fillimet e veta ka deklaruar
“Unë jam bashkë me Jamarbrin investitor të shoqërisë Homeplan pa qene e nevojshme të jemi ortakë të kësaj shoqërie. Në vijim kemi vlerësuar të futemi si bashkëortakë me Fatmir Bektashin në shoqërinë homeplan. Për këtë arsye kam blerë kuota në vitin 2014, nuk e di sa lekë kam blerë dhe nuk e di pse në QKB janë pasqyruar në vitin 2018. Andia Pustina ka qenë kryfinancierja e kësaj pune dhe të tre ne, pra unë, Jamarbri dhe Fatmiri I mbanim kontaktet me njëri tjetrin dhe me Andian”
Më 19 SPAK mori të pandehur Andia Pustinën duke e akuzuar për ‚pastrim parash‘ në dosjen e aferës së privatizimit të ish kompleksit “Partizani’ që u pasua më pas me ndërtimin e 19 kullave nga dhëndri i ish kryeministrit. Si Sali Berisha dhe Jamabër Malltezi akuzohen për korrupsion pasiv. Dhëndri akuzohet dhe për pastrim parash së bashku dhe me ortakun Xhimi Begeja.