DOSJA ‘Plumbi i artë’/ Si kërkuan 4 emrat e njohur të botës së krimit ‘kokën’ e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të Qazim Sejdinit! Në tavolinë 200 mijë euro, i ndoqën lëvizjet

20 Maj 2022, 13:45| Përditesimi: 20 Maj 2022, 15:05

  • Share

 

Nuredin Dumani në dëshminë e tij për SPAK ka rrëfyer detaje për një atentat që do t’i bëhet Sokol Sanxhaktarit, me kërkesë të 4 emrave të njohur të krimit  Vrasja e tij do të bëhej për shkak se ishte i lidhur me Suel Çelën dhe do të paguhet 200 mijë euro.

I penduari i drejtësisë Henrik Hoxhaj ka thënë se ai ka biseduar me Nuredinin në kohën kur ishin tek shtëpia e tij para vrasjes së vëllezërve Haxhia.

“Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi. Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia. Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë. Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin”, ka thënë ai.

Prokuroria në kërkesën e paraqitur arsyeton se: Tërësia e këtyre provave krijon dyshimin se shtetasit Nuredin Dumani, Florenc Çapja, Eljo Bitri, Vis Korçari dhe Bledar Muça (aktualisht i vdekur), kanë konsumuar elementë të veprave penale të  “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal.


Lajmi kryesor:

DOSJA ‘Plumbi i artë’/ Avokati dha 120 mijë euro për të vrarë ish-gruan, 4 emra të njohur të krimit kërkuan 'kokën' e Sokol Sanxhaktarit për 200 mijë euro! Aplikacioni ku bëheshin 'pazaret'


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?