Ka dështuar seanca paraprake për dosjen e SASPAC, me të pandehur ish-drejtorin e kësaj Agjencie Ilir Beqaj.
Avokatët kërkuan të njihen me një pjesë të provave, të cilët pretenduan se nuk janë dhënë gjatë fazës së hetimit për të patur mbrojtje më eficente gjatë shqyrtimit gjyqësor. Një tjetër kërkesë ishte marrja e materialeve të akt-ekspertimit nga zbërthimi i telefonave, USB-ve dhe kompjuterave. Seanca e radhës do të mbahet më 6 maj në orën 10:00.
SPAK mbylli hetimet për këtë dosje në fillim të muajit Prill, dhe dërgoi kërkesën për gjykim ndaj Ilir Beqajt, 8 të pandehurve të tjerë dhe dy shoqërive tragtare lidhur me dosjen e SASPAC.
Ish-kreu i menaxhimit të fondeve të BE njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqaj akuzohet për 5 vepra penale mes të cilave korrupsion pasiv, shkelje e barazisë në tendera, falsifikim dokumentash, mashtrim, mashtrim në bashkëpunim dhe mosdeklarim pasurie në rastin e 50% të kuotave të restorantit “Gzona”, i quajtur ndryshe si “Albanian Food and Hospitality Lab, një apartamenti në Vlorë dhe një makine.
Vetëm për akuzën e korrupsionit që është më e rënda ish zyrtari i lartë rrezikon nga 4 deri në 12 vite burg. Të njëjtat akuza, përveç asaj të fshehjes së pasurisë, rëndojnë edhe ndaj Ermal Kurtulajt, bashkëpunëtor i ngushtë i Beqajt. Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.
Ndaj 7 të akuzuarve të tjerë Marinela Jazoj, Alfred Nikolla, Gazmend Haxhia, Elton Marini, Bjona Ziaj, Bledar Leka e Mira Topçiu, dhe 2 kompanive “Landëays International” dhe “Nine Service Int” sh.p.k rëndojnë akuzat e mashtrimit, falsifikimit, korrupsion aktiv etj.
Për këtë dosje të abuzimeve me fondet në SASPAC, Beqajt ndodhet në burg që prej korrikut 2024 ndërsa ndaj tij vijon paralelisht edhe procesi tjetër për koncesionin e sterilizimit. Në kuadër të kësaj dosjeje, SPAK ka vendosur në sekuestro preventive apartamentin e dyshuar të fshehur nga Beqaj, 3 llogari bankare të të pandehurve me vlerë rreth 200 mijë euro gjithsej, 19.4% e aksioneve të “Gzona” dhe 3 makina.
Komente
