Gjykata e Kukësit

Dosja 'Shën Mëri 2020' në gjykatë me 23 persona të pandehur, 3 janë policë, 5 kokat e grupit kërkojnë lirimin nga burgu

20 Shtator 2020, 18:37| Përditesimi: 20 Shtator 2020, 18:41

  • Share

Plot 23 personat e arrestuar në muajin Maj të këtij viti, gjatë operacionit antidrogë “Shën Mëri 2020”, janë marrë të pandehur dhe dosja penale, kundër tyre është dërguar për gjykim, pranë gjykatës së Kukësit. Çështja penale flet për kultivimin e dhjetëra parcelave me drogë në zonën e Kukësit, dhe se të pandehur janë marrë disa nga organizatorët e kultivimit të drogës dhe efektivë të policisë Kukës, që i lejonin kultivuesit e drogës të mbillnin parcelat me hashash, duke i garantuar mbrojtje nga policia, kur kjo e fundit shkonte në teren për të monitoruar sipërfaqet e tokës.

“Shqiptarja.com” mëson se të pandehurit kryesorë të kësaj çështje janë Kreshnik Murataj, Beqir Murataj, Arben Tuci, vëllai i bashkiakut të Fushë-Arrëzit Fran Tuci, Sali Kovaçi pronar parcele, si dhe disa punëtorë e transportues droge, por dhe tre efektivë të policisë së Kukësit si Arben Kalaja, Ramiz Cena dhe Naim Kadiu.

Akuzat që rëndojnë mbi ta janë “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kultivim të lëndëve narkotike”, “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” dhe “Shpërdorim detyre”. Aktualisht kjo dosje është në fazën e gjykimit në seancë paraprake në Kukës, ku është ngarkuar gjyqtari Sami Ujkashi, për të shqyrtuar pretendimet e palëve. Mëoshet se 5 nga të pandehurit kryesorë, si Durim Vata, Kreshnik Murataj, Bernard Kërdhaku, Arben Tuci dhe një tjetër kanë kërkuar lirimin nga qelia duke pretenduar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë sigurimi.

Por prokuroria e çështjes Rita Gjati, ditën e premte mësohet se ka kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Sami Ujkashi, pasi Ujkashi, ka qenë si person në hetim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pikërisht nga prokurorja Gjati, e cila ka çuar dosjen e kultivuesve të drogës në gjykatë. Në një qytet të vogël si Kukësi, pa dyshim që presioni dhe ndikimi i paligjshëm tek njerëzit e drejtësisë është i madh, ndaj ka shumë gjasa që në ditët në vijim drejtuesit e grupit që kultivonte drogë në zonën malore mes Kukësit dhe Pukës, të lirohen nga burgu.

Pritet që në seancës e radhës të qartësohet nëse gjyqtari Sami Ujkashi, do përjashtohet ose jo nga kjo çështje penale. Hetimi për këtë çështje ka nisur qysh prej vitit 2018 dhe çoi në arrestimin e 23 personave nga zona e Kukësit, Pukës, Krujës dhe Lezhës, të cilët kundrejt shumave të parave që jepnin policëve, dyshohet se arrinin të merrnin garanci prej Ramiz Cenaj, Arben Kalaja dhe Naim Kadiut, që të mbillnin parcela me lëndë narkotike në zona të thella të Pukës dhe Kukësit. Një ndër zonat që trafikantët kishin piketuar dhe mbjellë me fidanë, hashashi ishte dhe “Kodra e Spaçit” në Munellë të Pukës. Mes të pandehurve është dhe Arben Tuci, vëllai i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit.  Arben Tuci, njihet nga policia si kontingjent kriminal në këtë zonë, kryesisht në kultivimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike. Albert ose Arben Tuci rezulton i dënuar me parë me 7 vite burgim për akuzën e “Trafikut të Narkotikëve”, dënim të cilin pasi e ka përfunduar është liruar.

Në këtë dosje Arben Tuci besohet se luan rolin e gjetjes së klientëve për të blerë drogën. Mes personave të tjerë të pandehur janë Kreshnik Murataj, i cili besohet se së bashku me Shkëlqim Skaçin, ka qenë drejtuesi i këtij grupi kultivuesish, por jo financuesi i mbjelljes së hashashit. Në dosjes e prokurorisë thuhet se hetimet janë shtrirë tek disa persona që dyshoheshin si financuesit e këtij aktiviteti kriminal, por gjatë fazës hetimore nuk është arritur të gjenden prova dhe të dhëna për identifikimin e njerëzve financues.

Mes të arrestuarve të tjerë është dhe Shkëlqim Skacaj, Sali Kovaçi, Zamir Myftari, Floriand Myftaraj, Pal Përgjergji, Ramiz Cenaj, Naim Kadiu, Akil Buna nga Kruja, Arben Bejko nga Gjirokastra, Durim Vata, Besart Dreni, Tarzan Veseli, Besnik Coka, Petrit Pashku, Benard Kordhaku, Shpëtim Topuzi, Zejnel Mece, Ardiatik Hoxha dhe Rezart Tahiri. Në përgjimet telefonike është një bisedë, ku Kreshnik Murataj, i cilësuar si koka i grupit të kultivimit të drogës, i kërkon një djali i identifikuar si Ibrahim Vata, t'i gjente një mik për prokuroren Fahrije Vata. Ibrahimi i përgjigjet se "…nuk bëhet këto biseda në telefon…" e ndërsa "…e thërret që t'i shkojë në zyrë sepse është gruaja e Fatmir Gjanës…".

Personat e marë të pandehur nga prokuroria

1.       Kreshnik Murataj          Organizatori kryesor i grupit

2.       Beqir Murataj                Babai i Kreshnik Murataj

3.       Shkëlqim Skaçaj

4.       Sali Kovaçi                    Pronar i disa parcelave me kanabis

5.       Arben Tuci                    Vëllai i bashkiakut të Fushë-Arrëzit Fran Tuçi

6.       Zamir Myftari                Transportues i drogës

7.       Floriand Myftaraj

8.       Pal Pergjergji

9.       Akil Buna                   Punëtor në parcelat e kanabisit

10.     Arben Bejko

11.     Durim Vata                 Pronar i disa parcelave me drogë

12.     Besart Dreni

13.     Tarzan Veseli

14.     Besnik Coka

15.     Petrit Pashku

16.     Benard Kordhaku         

17.     Shpëtim Topuzi

18.     Zejnel Mece

19.     Ardiatik Hoxha

20.     Rezart Tahiri

21.     Arben Kalaja                   Punonjës policie në Tiranë

22.     Ramiz Cena                    Punonjës policie në Kukës

23.     Naim Kadiu                    Oficer i Policisë gjyqësore

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?