Kronikë

Dosja/ Si nisi çështja “inceneratorët”, nga politika te GJKKO! Elbasani vendim të “prerë” me 9 të dënuar, Fieri në rigjykim

16 Prill, 15:56| Përditesimi: 16 Prill, 16:24

  • Share

Çështja e inceneratorëve, e ndarë në 3 dosje kryesore, dhe këto në disa fraksione të tjera, nisi fillimisht si ngjarje politike, pas një komisioni të gjatë hetimor në Kuvend, ndërsa tashmë është në një prej çështjeve më të rëndësishme penale.

E gjithë çështja ka të bëjë me tre kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, të cilat iu dhanë një grupi kompanish të lidhura me njëra-tjetrën.

Inceneratori i Elbasanit

I pari që u vu në shënjestër të hetimeve, ishte inceneratori i Elbasanit i cili u sekuestrua nga prokuroria fundin e vitit 2021, me masa të shumta sigurie, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka, zyrtarë të tjerrë, përfshirë kërkesat për arrest të Stela Gugalles, pronarja e kompanisë “Albtek Energy” si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, apo edhe Mirel Mërtirit. Akuzat ishin të rënda, deri në korrupsion i zyrtarëve të lartë dhe pastrimi i parave. Këta tre të fundit vijojnë të jenë në arrati dhe nuk janë përballur vetë para togave të zeza.

Tashmë çështja e inceneratorit të Elbasanit është ‘vulosur’ sa i përket fatit penal. Për dosjen e hetuar nga prokurori Klodian Braho, tashmë ka një vendim të formës së prerë deri në Apelin e GJKKO.

Për Elbasanin GJKKO e dënoi ish-ministrin Lefter Koka  me 5 vjet e 8 muaj burg për korrupsion, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe i sekuestroi aksionet në kantinën e pijeve në Durrës, në vlerën e korrupsionit të kryer, 3.7 milionë euro. Ish-deputeti Alqi Bllako, mori pafajësi nga shkalla e parë për akuzën e shpërdorimi të detyrës. Biznesmeni Klodian Zoto, u deklarua fajtor dhe u dënua me 10 vite burg. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiri. Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie. Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO dha dënimin me 2 vjet burg dhe anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet. 1.4 vite do të vuajë edhe ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa. Të gjithë të dënuarit përfituan ulje me 1/3 nga gjykimi i shkurtuar.

GJKKO vendosi që kompanitë “Albtek sh.p.k.” dhe “Integrated Energy”, t’u hiqet titulli i subjektit juridik dhe aksionet e tyre ti kalojnë shtetit.  Ky vendim u ankimua si nga SPAK ashtu edhe mbrojtja. Pas shqyrtimit Gjykata e Posaçme e Apelit e ndryshoi vendimin për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka  duke e shpallur fajtor edhe për akuzën e shpërdorimit të detyrës siç kishte kërkuar SPAK dhe rritur me 1 vit burg dënimin.

Apeli i GJKKO  në nëntor 2024, ndryshoi vendimin e 5 tetorit 2023, duke e dënuar përfundimisht ish-ministrin Lefter Koka me 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar në 6 vite e 8 muaj burg. Edhe për Alqi Bllakon “Apeli” i Posaçëm e shpalli fajtor për shpërdorim detyre duke e dënuar me 4 vite burg, akuzë për të cilën shkalla e parë e kishte shpallur të pafajshëm. Për 7 të akuzuarit e tjerë biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, në kërkim, dhe Pëllumb Abeshin, Jonida Zeqon, Bardhyl Çabirin e Serafin Papën nuk pati ndryshim të vendimit duke qëndruar në fuqi ai i shkallës së parë që u dha më 5 Tetor të vitit 2023.

Inceneratori i Fierit

Dosja e inceneratorit të Fierit ishte e dyta në radhë, dhe 19 ishte dhjetori i vitit të kaluar kur Apeli i GJKKO vendosi që Lefter Koka dhe 14 të pandehurit e tjerë për inceneratorin e Fierit do të rikthehen sërish para togave të zeza të GJKKO-së së shkallës së parë. Vendimi i parë, që i dënonte me mbi 40 vite burg u zhbë.

GJKKO e kishte dënuar ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka me 10 vite burg. Alqi Bllako u dënua për shpërdorim detyre me 4 vite. Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit aktiv, por u dënua me 2 vjet për korrupsion pasiv, shtatë vjet për skema mashtruese, dhe tetë vjet për pastrim parash. Pëllumb Abeshi u dënua me 3 vjet e 6 muaj, Erjon Murataj me 3 vite, Loran Dusha 7 vite, Arbër Denizi por me 7 vite, ndërkohë që të gjithë përfituan zbritjen me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Arben Dervishaj dhe Juri Imeraj u shpallën të pafajshëm për të gjitha akuzat ndërsa Arjola Kodra u shpall e pafajshme për korrupsion. Kthimi i çështjes ishte hera e parë që një dosje rikthehet për gjykim në GJKKO, nga shkalla e dytë, ndërsa në shkallë të parë ende nuk ka një datë për rigjykim në shkallë të parë

G.M./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?