Artor Ylli para KPK

Dosja/ Si u shkarkua ndihmësgjyqtari që i dërgoi 56 mijë euro një kinezi

26 Dhjetor 2018, 07:28| Përditesimi: 26 Dhjetor 2018, 07:30

  • Share

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia, në 2 nëntor 2018, ka vendosur me shumicë votash që të shkarkojë nga detyra ndihmësin ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Artor Ylli, me argumentin se nuk justifikon disa transferta bankare. Sipas KPK, subjekti nuk arriti të justifikonte me dokumentacion ligjor shumat 16,000 USD, 30,000 USD dhe 10,000 USD që i ka dërguar  një shtetasi kinez.

“Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë bindshëm se shumat që ai ka transferuara për llogari të shtetasit kinez, z. Zh., kanë burim tregtinë e mallrave ose që detyrimi dhe borxhi ndaj shtetasit Zh. ishte për blerje mallrash, pasi subjekti nuk paraqiti asnjë kontratë apo dokument tjetër që ta vërtetonte këtë. Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e ligjshme nga ai vetë apo, z. N. M., që janë përdorur për krijimin e shumave të transferuara si më poshtë: më datë 14.12.2010, në vlerën 16,000 USD, me përfitues shtetasin Zh.; më datë 13.02.2012, në vlerën prej 30,000 USD, me qëllim shlyerje detyrimi; dhe më datë 02.11.2010, transfertë cash në vlerën 10,000 dollarë, me përfitues shtetasin kinez, z. Zh., me qëllim shlyerje detyrimi.

Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor provues lidhjen dhe shkakun se përse ai duhet ta kryente këtë transfertë në favor të z. N. M apo biznesit të tij familjar duke mos provuar se ai ka qenë asistent pranë avokat N. M dhe ku janë njohur subjekti i rivlerësimit me z. N. M”, thuhet në vendim. Gjatë hetimit të thelluar, KPK thekson se veprimet e subjektit, për transfertat bankare në mënyrë të përsëritur, të pajustifikuara me burime të ligjshme, tregojnë një mungesë të theksuar të përmbushjes së vlerave themelore që duhet të udhëheqin një magjistrat të ardhshëm.

Roland Ilia kundër shkarkimit
Anëtari i trupës gjykues Roland Ilia është shprehur kundër vendimit të dy anëtarëve të tjetër për shkarkimin e subjektit Artor Ylli nga detyra si ndihmës ligjor. “Në analizë të dispozitave dhe fakteve të mësipërme vlerësoj se, përderisa subjekti i rivlerësimit nuk ka pasuri të tij apo nuk ka deklaruar të ardhura që të lidhen me këtë transferta nuk ka se si të ketë detyrimin për të justifikuar burimin e ligjshëm të këtyre vlerave të transferuara, për më tepër kur ato janë kryer në një kohë kur nuk ka qenë subjekt rivlerësimi dhe nuk ka pasur asnjë funksion shtetëror. Si anëtar i trupit gjykues nuk pajtohem me mendimin e shumicës, pasi çmoj se bazuar në provat, faktet dhe rrethanat e dala gjatë hetimit administrativ të kryer, nuk u provua që subjekti i rivlerësimit të ketë kryer veprime të kundërligjshme apo veprime që kanë cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, marrë në konsideratë këtu që, veprimet për të cilat shumica ka disponuar për shkarkimin e tij, janë kryer në një kohë që subjekti nuk ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Sa më sipër, nga rrethanat e faktit dhe të dhënat që kanë mundur të administrohen nga hetimi administrativ, por edhe nga shpjegimet e provat e sjella nga subjekti i rivlerësimit, shpreh bindjen e bazuar në prova dhe ligj se subjekti i rivlerësimit, z. Artor Ylli, nuk ndodhet në asnjë nga rastet e parashikuara nga neni 61, të ligjit nr. 84/2016, titulluar “Shkarkimi nga detyra””, thekon Ilir në mendimin e tij paralel, pasqyruar në vendimin për shkarkimin e Artor Yllit.

Konkluzioni
Anëtari i trupës gjykues Roland Ilia arrin në konkluzionin se Artor Ylli duhet të ishte konfirmuar në detyrë. “Niveli i konstatimeve në lidhje me pasuritë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimin profesional, marrë në tërësinë e tyre, duke marrë në konsideratë dhe qëndrimin e subjektit të rivlerësimit, nuk plotësojnë kriteret dhe shkaqet që përligjin marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Artor Ylli. Në përfundim të gjithë arsyetimit të mësipërm, kam votuar kundër vendimit të marrë nga shumica e trupit gjykues për të shkarkuar subjektin e rivlerësimit, z. Artor Ylli, duke shprehur mendimin tim se subjekti duhet të konfirmohet në detyrë. Për të gjitha argumentet e mësipërm vlerësoj se duhet të gjente zbatim neni 59/1 të ligjit nr. 84/2016 dhe shumica nuk duhet të kishte disponuar shkarkimin nga detyra të këtij subjekti, por konfirmimin e tij në detyrë”, thekson Ilia.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?