Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit e dosjes sterilizimi.
Kështu, ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, biznesmenit të koncensionit të sterilizimit Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, nuk do i llogariten ditët e paraburgimit, në rast se shpallen fajtorë dhe dënohen nga gjykata për akuzën vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shkak për këtë vendim u bë mungesa e ish-ministrit Beqaj dhe avokatit të tij në seancën e parashikuar për këtë të mërkurë, ku do të parashtroheshin kërkesat paraprake të të pandehurve, siç mund të ishin kërkesat për një gjykim të shkurtuar apo me procedurë normale.
Për çështjen e sterilizimit Beqaj po gjykohet në masë arresti shtëpiak, ndërsa në qelinë e paraburgimit në Durrës e mbajnë akuzat për dosjen SASPAC, të vjedhjes së fondeve të BE-së.
Ish-zyrtari i lartë paraqiti një deklaratë në gjyq ku nuk mund të merrte pjese për shkak të gjendjes shëndetësore shoqëruar me një recetë të mjekimeve që po merr në qeli.
Në deklaratën dërguar Gjykatës së posaçme Beqaj kërkoi që seanca mos të zhvillohej pa praninë e tij, ndërsa avokati i caktuar kryesisht kërkoi kohe te njihet me dosjen. Në këto kushte të zvarritjes së procesit prokurori kërkoi shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit, çka u pranua nga gjykata dhe seanca e radhës u la për më 7 maj.
Komente
