Dosje

Dosja ‘Tepër sekrete’ e Sigurimit të Shtetit! Relacioni i Kadri Hazbiut: Tani pas prishjes me Kinën, një i deklasuar në Tiranë, thotë se; po fituam ne, nuk do ketë asnjë mëshirë

19 Gusht 2021, 09:25| Përditesimi: 19 Gusht 2021, 09:32

  • Share

Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi I ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që përkasin një dosje voluminoze me siglën “Tepër secret”, ku ndodhet një korrespodencë në mes krerëve më të lartë të regjimit komunist të asaj kohe, si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj, të cilët me anë të relacioneve të ndryshme dhe raport-informacioneve të përpiluara prej tyre, i bëjnë me dije udhëheqjes së lartë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me situatën e vështirë politike dhe ekonomike që po kalonte vëndi ynë, para dhe pas prishjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake me Republikën Popullore të Kinës. Korespodenca e plotë në mes drejtuesëve kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komiteteve të Partisë dhe atyre Ekzekutive të rretheve, si dhe Degëve të Punëve të Brendshme në qytete të ndryshme, për bisedat e komentet pozitive dhe ato negative që bëheshin nga njërëz të ndryshëm, si intelektualë, punëtorë, ushtarakë dhe fshatarësia kooperativiste, si dhe nga “elementëtë e deklasuar dhe armiq”, lidhur me situatën në të cilën ndodhej vëndi pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë, me Republikën Popullore të Kinës dhe çdo të ndodhte pas kësaj me vëndin e vogël komunist të Ballkanit, që propagandonte se ‘do të ndërtonte socializmin, vetëm me forcat e veta’?!

Në fillimin e vitit 1978, si rezultat i përkeqësimit të marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë komuniste me Republikën Popullore të Kinës, gjë e cila kishte filluar të merrte të çarën e parë që nga fillimi i viteve ’70-të kur Kina Popullore e Mao Ce Dunit me anët të “politikës së ping-pongut” filloj të afrohej me SHBA-ve dhe priti në Pekin sekretarin e Departamentit të Shtetit, Henry Kissinger dhe më pas Presidentin Nikson, duket se Tirana zyrtare “vuri alarmin”. Veç të tjerash, kjo gjë duket qartë edhe nga një numër i madh dokumentesh zyrtare të asaj kohe, ku ndodhen korrespondencat “Tepër secrete” të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministrisë se Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe Komiteteve të Partive e atyre Ekzekutive në rrethe dhe Degëve të Punëve të Brendshme, në të cilat pasyrohet qartë jo vetëm qëndrimi zyrtar i udhëheqjes së lartë të PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, por në përgjithësi edhe ai i shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare, (intelektualë, punëtorë, fshatarësia kooperativiste, ushtarakë, nxënësit e shkollave dhe studentët, komunistë, “elementë të deklasuar dhe armiq”, etj.), ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze, lidhur me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve politike, ekonomike, dhe ushtarake prej saj në 28 korrikun e vitit 1978.

Kështu, ish-aleati më i afërt i Tiranës zyrtare që nga fillimi i viteve ‘60-të, Kina komuniste e Mao Ce Dunit, befas do të shndërrohej në armikun më të madh ideologjik të saj, pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo gjë duket qartë nëpër rreshtat e këtyre dokumenteve që mbajnë siglën “Tepër sekret”, ku vërehet frika e madhe dhe paranoja e thellë që ka mbërthyer regjimin komunist dhe krerët më të lartë të udhëheqjes së saj, që nga: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj., e deri poshtë në bazën e atij pushteti me zyrtarët e pushtetit lokal, të cilët e trasmetonin atë ankth e pasiguri, tek njerëzit e thjeshtë, nxënësit e shkollave, punëtorët, e deri tek fshatarësia kooperativiste.

Këto dokumente që shohin për herë të parë dritën e botimit nga Memorie.al, janë një pasqyrë e qartë e gjendjes dhe e situatës së nderë në të cilën ndodhej asokohe regjimi komunist dhe Tirana zyrtare, sidomos pas “Letrës së hapur”, drejtuar udhëheqjes kineze, që akuzonte atë për “tradhti të lartë ndaj kursit dhe vijës së marksizëm-leninizmit”. Në kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, ku udhëheqja e lartë e regjimit komunist, e ngritur e gjitha në një alarm, ka mobilizuar të gjithë makinerinë shtetërore dhe strukturat e saj, me në krye Sigurimin e Shtetit, për ta mbajtur situatën nën kontroll të plotë. Dhe kryesisht duke survejuar kundërshtarë politik të saj, të cilat i konsideronte si ”element të deklasuar dhe armiq të klasës”, gjë e cila zë një vend kryesor në këto raport-informacione, ku organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe zëvendsave të tij, si Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj., informojnë me detaje udhëheqjen e lartë, kryesisht, Hysni Kapon, (anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i K.Q. të PPSH-së, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së proletariatit’) për gjithçka që fliste dhe komentonte “armiku i klasës”, në çdo rreth të vendit, si dhe komentet pozitive që bëheshin edhe prej tyre.

Kjo gjë dhe të tjera, duken më së miri në këto dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, ku ish ”vëllezërit kinezë”, që asokohe punonin në Shqipëri, si kuadro dhe specialist në vepra të ndryshme industriale nga Jugu në Veri të vendit, si: Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Ferro-kromit në Burrel, Fabrika e Letrës në Lezhë, Baza Ushtarake e Pashalimanit, Uzina e Tankeve dhe Artilerisë në Shish-Tufinë, Uzina e Municioneve Luftarake në Mjekës të Elbasanit, Uzina e Prodhimit të Armëve në Poliçan, etj., tashmë janë kthyer në “agjent, sabotatorë e komplotist” dhe survejohen kudo dhe në çdo hap të tyre. Paisjet, armatimet dhe gjithë teknologjia ushtarake, duke filluar nga tanket, avionët, nëndetëset, silurat, artileria e rëndë, etj., me të cilat Republika Popullore e Kinës prej vitesh kishte furnizuar falas Shqipërinë komuniste, tashmë rezultonin “me defekti të rënda” dhe të sabotuara nga “revizionistët kinezë”.

Një gjë e tillë, pra ajo “tablo sinoptike” që po kalonte regjimi komunist para dhe pas prishjes me Kinën, identik, ishte parë disa herë ndër vite, kur Tirana zyrtare me në krye Enver Hoxhën, vendoste të shkëpuste marrëdhëniet me shtetet që deri në momentin e fundit i kishte pasur “aleatet” më të ngushta të saj, si Anglo-amerikanët, Jugosllavia e Titos e Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe atyre që e pasuan atë, si Hurshovi, Brezhnjevi, etj.

Seria e “miqve-armiq”, nisi me misionet anglo-amerikane, të cilat derisa u dëbuan nga vendi në nëntor të vitit 1946, ishin “çlirimtarë dhe kontribues të vërtetë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ndërsa më pas u kthyen në vendet dhe shtetet më të urryera dhe më të padëshiruara për komunistët shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhte me jugosllavët, të cilët kur u dëbuan nga Shqipëria në vitin 1948-‘49, u konsideruan “revizionistë dhe agjentë të Perëndimit”. Për të vijuar më pas me “vëllezërit sovjetikë të baba Stalinit”, aleatin më të ngushtë të Shqipërisë komuniste të cilët pas vitit 1961, u konsideruan nga Tirana zyrtare, si “revizionistët më të rrezikshëm që kishte njohur bota deri në atë kohë”. Dhe kjo gjë,  do të përsëritej identik edhe me kinezët, gjë e cila u bë publike zyrtarisht, atë fund-korriku të nxehtë të vitit 1978, kur pas “Letrës së Hapur” të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Këshillit të Ministrave të Republika Popullore të Shqipërisë, dërguar qeverisë kineze dhe Partisë Komuniste të Kinës, Kina tërhoqi nga Shqipëria të gjithë specialistët e saj, civilë dhe ushtarakë?!

Raport-informacioni i ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE   Sekret      

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME   Ekzemplar Nr. 3                     

DREJTORIA E PARE                                                          

E përkohshme 10 vjet

Nr. 3786, Prot. Tiranë, më 15/8/1978

Lënda: Mbi komente armiqësore që vazhdojnë të bëhen rreth Letrës së Komitetit Qëndror të PPSH-së e të Qeverisë së RPS të Shqipërisë, drejtuar PK të Kinës dhe Qeverisë Kineze.

SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH

SHOKUT HEKURAN ISAI                  

TIRANE

Krahas atmosferës revolucionare, mobilizimit dhe optimizmit që ka ngjallur në mbarë popullin tonë njohja me Letrën e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe të qeverisë së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, drejtuar Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë së Kinës, mbi qëndrimin burrëror të papërkulur dhe konseguent të PPSH-së në mbrojtje të marksizëm-leninizmit, duke demaskuar botërisht udhëheqjen antimarksiste dhe tradhëtare kineze, ka pasur reagime pozitive edhe nga mjaft persona në ndjekje ose të evidentuar nga organet e Sigurimit të Shtetit për të kaluarën e tyre të keqe dhe të dyshimtë.

Kështu në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Durrës, Lezhë, Peshkopi, Kukës dhe rethte të tjera të vendit, në dhjetra element të tillë, janë detyruar të pranojnë vitalitetin, drejtësinë dhe forcën e pa llogaritshme e argumentuese të Letrës së K.Q. të PPSH-së lidhur me çështjen kineze, si një aspekt tjetër i vijës së drejtë marksiste-leniniste që ka ndjekur Partia e Punës së Shqipërisë me udhëheqësin e dashur të saj, shokun Enver Hoxha.

Disa nga këto reagime p.sh., janë:

Një element armik në ndjekje nga organet e Sigurimit të Shtetit me banim në rrethin e Durrësit thotë; “Jam i detyruar të them se i kam bërë llogaritë gabim atëhere kur kam folur për Kinën, se këta tanët, nuk duan tja dinë për kërcënimet e saj, se këta nuk pyetën për Bashkimin Sovjetik, e jo më për Kinën që nuk e kanë fare në hesap. Thuaj si të duash, por këta janë të fortë”. Ndërsa një person tjetër me banim në rrethin e Lezhës, që gjithashtu ndiqet prej kohësh nga organet tona të Sigurimit, shprehet: “Lëre punën e kinezëve se ata të humbur kanë qenë gjithmonë, ne, sa të kemi partinë dhe udhëheqësin kryesor s’kanë se ç’na bajnë as kinezët dhe as e gjithë bota”.

Në vazhdim, një tjetër person i kategorisë së mësipërme, po në Lezhe, thotë: “Në qoftë se këta janë të zotë me e mbajtë kështu, Shqipëria ka me pas autoritet të madh në botë, që tani rusët po thonë se kanë bërë gabim që kanë prish marrëdhëniet me Shqipërinë, ndërsa italianët ngrenë lart qëndrimin e vendit tonë. Ata e bëjnë këtë punë për të na tërhequr pas vetes, por qëndrimin e tyre e di mirë udhëheqja jonë, prandaj nuk gënjehet kollaj”.

Por qëndrimi brutal i antimarksist dhe armiqësor i udhëheqjes tradhtare kineze për prerjen e të gjitha ndihmave ushtarake e civile ndaj Shqipërisë, ka gjallëruar së tepërmi në të njëjtën kohë edhe elementin armik, i cili po përpiqet me të gjitha format dhe mënyrat për t’ju kundërvënë Letrës së Komitetit Qendror të PPSH-së dhe qeverisë së R.P.S. të Shqipërisë. Në këtë drejtim tërheqin veçanërisht vëmendjen komentet që bëhen në disa ambiente të caktuara armiqësore si janë:

-Elementët e deklasuar që po e shfrytëzojnë këtë situatë për të ngritur moralin e njerëzve të tyre dhe të kategorive të tjera armiqësore, flasin e komentojnë se: “Tani erdhi më në fund çasti i shumëpritur për ndryshimin e situatës politike në Shqipëri, pasi udhëheqja shqiptare, duke mbetur krejtësisht e izoluar dhe e vetme, nuk do të jetë në gjendje që të mbahet”. Këtë armiq, krahas porosive që i japin njeri-tjetrit për kujdesin që duhet të tregojnë në këto momente, shprehin edhe kënaqësinë që po ju vjen më në fund koha që ata të hakmerren”.

Kështu një i deklasuar në Tiranë, thotë: “Kam bindjen e plotë se situata do të ndryshojë, e po e fituam ne, nuk do të ketë asnjë mëshirë për këta”. Një kulak në rrethin e Vlorës, komenton: “Prishja e marrëdhënieve me Kinën dhe prerja e ndihmave prej saj Shqipërisë, do të ketë gjëra të mira për dorën tonë. I madhi i këtyre kishte thënë se: ky është një lajm i hidhur për popullin shqiptar”.

Intelektualët me prejardhje dhe qëndrim armiqësor janë gjallëruar gjithashtu mjaft në këto momente. Ky element dallohet jo vetëm për komentet e mprehta që zhvillon, por ashtu si elementi antiparti dhe disa persona të tjerë të përjashtuar nga Partia, po përpiqen në mënyrë të veçantë që të godasin Partinë, udhëheqjen dhe vijën e drejtë marksiste-leninisite të saj, duke e akuzuar atë si “dogmatike”, “të mplakur” dhe “me tendencë mendjemadhësie”.

Në të njëjtën kohë këta armiq marrin në mbrojtje pikëpamjet liberale dhe thellësisht oportuniste të udhëheqjes kineze. Kështu një shkrimtar në Tiranë thotë: “Le të lulëzojnë 100 lule kush të ketë erë më të mirë, ajo le të quhet lulja më e bukur. Pra le të lulëzojnë 100 rryma arti edhe këtu dhe kush të pëlqehet nga populli, ajo le të quhet më e mire, bota ka ecur shumë përpara, ne jemi dogmatikë dhe diktatorë…edhe Rusia nuk e ka këtë diktaturë që kemi neve”.

Në vazhdim, një tjetër intelektual me qëndrim armiqësor që në mënyrë të hapur përpiqet të justifikojë qëndrimin thellësisht oportunist të udhëheqjes kineze, thotë: “Atë politikë afrimi që bëmë ne me Jugosllavinë dhe me Rumaninë në vitin 1972, atë po bën dhe Kina tani, që për disa interesa është afruar me SHBA-në dhe disa shtete të tjera të Perëndimit. Pra, ç’të keqe ka në këtë mes”?! Në këtë ambiente ka gjithashtu komente të cilat përpiqen të injorojnë realizimet e mëdha, që duke u bazuar fort në parimin e madh marksist-leninist të mbështetjes në forcat e veta, janë arritur gjatë periudhës 30 vjeçare në të gjitha fushat e jetës në Shqipërisë Socialiste.

Kështu p.sh., një element i tillë në Tiranë, shprehet: “Faktet flasin ndryshe, socializmin po e ndërtojmë me ndihmat dhe kreditë që na kanë dhënë jugosllavët, më vonë sovjetikët, e tash së fundi kinezët, atëhere pse thonë se po ndërtojmë socializmin me forcat e veta, udhëheqja shqiptare vazhdimisht ka punuar për nam”.

Një tjetër kategori personash që janë aktivizuar mjaft në këtë situatë e që po zhvillojnë komente të mprehta e nga më të ndryshmet, janë kontigjentët e zbulimeve të huaja në përgjithësi dhe ato të zbulimit jugosllav në veçanti. Këta veç të tjerash, mbrojnë dhe pikëpamjen se gjoja Shqipëria nuk qenka në gjendje të përfundojë objektet e lëna përgjysëm nga kinezët dhe të ndërtojë dhe mbrojë socializmin pa ndihmën e ndonjë fuqie tjetër më të madhe, e për rrjedhim konkludojnë ata, Shqipëria do të detyrohet në të ardhmen të bëjë patjetër lidhje të reja me ndonjë nga shtetet që ‘edhe ka filluar të afrohet’ siç është Japonia, Franca, Gjermania Perëndimore ose Greqia.

Duke gjykuar kështu, një emigrant jugosllav shprehet: “Veprat që u mbetën përgjysëm këta do t’i ndërtojnë se makineritë do t’i marrin nëpërmjet Francës nga Kina, por sigurisht me shpenzime të mëdha, sepse duke ditur se Franca i do për Shqipërinë, Kina do t’ja shes asaj me çmime të larta”. Një element tjetër i kësaj kategorie me banim në Fier, thotë: “Forcimi i marrëdhënie kino-jugosllave, e ka dëmtuar në mënyrë të dyfishtë Shqipërinë, sepse jo vetëm Kina, por edhe Jugosllavia që po lidhet gjithnjë e më shumë me këtë të fundit, e ka kufizuar në mënyrë të ndjeshme tregtinë me Shqipërinë.

Midis Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Partisë Komuniste të Kinës ka unitet të plotë, prandaj pa marrëveshje të më parshme midis këtyre dy palëve, Kina nuk do t’i kishte prerë ndihmat Shqipërisë”. Ndërsa një intelektual në Tiranë thotë: “Po mundohen të afrohen sa më shumë me Greqinë se e kanë hallin që nëpërmjet saj, të lidhen edhe me tregun e përbashkët. Për këtë çështje foli edhe delegacioni ynë tregtar që ishte kohët e fundit në Greqi”.

Një numër i konsiderueshëm komentesh vazhdon të bëhet edhe nga disa punëtorë, fshatarë dhe intelektualë. Këta element, megjithëse nga shtresat tona dhe me prejardhje joarmiqësore, duke qenë të paformuar dhe me nivel të ulët ideologjik, i kanë trembur situatat e krijuara pas prishjes me marrëdhënieve me kinezët dhe për pasojë, në mjaft raste ata shprehin mosbesim dhe pasiguri lidhur me perspektivat e mëtejshme të zhvillimit të vendit tonë, si në fushën ekonomike ashtu dhe në atë të mbrojtjes së vendit. Duke gjykuar si frikacakë, ata japin edhe mendime oportuniste e predikojnë që partia të bëjë lëshime në politikën e saj të jashtme dhe të zbutet qëndrimi ndaj imperializmit dhe revizionizmit.

Kështu një element i tillë nga radhët e inteligjencës në Tiranë shprehet se: “Ç’qe kjo për ne, oh ç’na gjeti në të zezëve, çfarë do bëjmë ne tani pa Kinën”?  Ndërsa një fshatar i moshuar nga rrethi i Tepelenës, thotë: “Nuk i dihet se si do vejë halli i jonë tashti, se këta u prishën me të gjithë dhe tani është koha të na sulmojnë”. Të tjerë element të kësaj kategorie, vazhdojnë: “Nuk duhet të jemi mëndje mëdhenj, se nuk do ta mbajmë të pastër vetëm ne flamurin e marksizëm-leninizmit, prandaj për hir të kapërcimit të vështirësive të mëdha ekonomike që po kalojmë, duhet edhe ne të bëjmë lëshime”.

Në këto ambiente disa element të tjerë mjaft aktivë, që përpiqen që të shtojnë sa më shumë radhët e tyre, tradhtinë kineze e përdorin si një “argument” bindës se gjoja është komunizmi në rënie dhe jo imperializmi. Në këtë drejtim, një kosovar me banim në rrethin e Krujës, komenton: “këta tanët thonë për imperializmin që është në dekadencë, por në fakt ndodh e kundërta. Disa kohë më parë, p.sh., socializmit ju shkëputën 350 milion njerëz, dhe tani pas kthesës së Kinës edhe 900 milion të tjerë, pra del se komunikimi po merr fund dhe po vërtetohet fjala e Titos, që ka thënë se ky sistem është mplakur e duhet zhdukur”. Duke analizuar në tërësi propagandën armiqësore intensive dhe të gjithë anshme që po zhvillohet pas botimit të Letrës se K.Q. të Partisë dhe Qeverisë së RPS të Shqipërisë, lidhur me tradhtinë kineze, si konkluzion ne mund të themi se:

Nga tërësia e elementit të aktivizuar, tonin kësaj propaganda armiqësore vazhdojnë t’ja japin disa kategori kryesore të armiqve të klasës dhe sidomos të elementit antiparti, te deklasuarit, inteligjencën me prejardhje dhe me qëndrim armiqësor si dhe kontigjente e zbulimeve revizionistëve në përgjithësi ato të zbulimit jugosllav ne veçanti. Në këto ambiente kryesisht, organet e Sigurimit të Shtetit, kanë evidentuar edhe mjaft komente, tendenca dhe dëshira terrori, arratisje e mungesë organizimi, në drejtim të së cilës po punohet me kujdes për t’i evidentuar dhe goditur sa më shpejt.

Fakti që persona të veçantë nga radhët tona me prejardhje dhe qëndrim joarmiqësor, hasin mjaft komente të së njëjtës natyre me ato që bën edhe elementi antiparti, veç të tjerash flet edhe për efektet negative të veprimtarisë armiqësore që zhvillojnë këta të fundit, të cilët përpiqen të bëjnë përpunim ideologjik të elementit të lëkundur e të paformuar, me pikësynimin për të krijuara tek ata bindje armiqësore në drejtim të Partisë, udhëheqjes dhe vijës së drejtë marksiste-leniniste të saj. Këtu, kemi mendimin se e kanë burimin edhe mjaft komente të mprehta që qarkullojnë në persona të veçantë nga shtresat tona, të cilët shprehen se: “Udhëheqja e Partisë është dogmatike dhe i gjykon situatat me mëndje madhsi e nervozizëm. Ajo as që don t’ja dijë për vështirësitë ekonomike që rëndojnë mbi popullin, se gjera të tilla nuk i ka provuar kurrë asnjëherë vetë”.

Megjithë atë vlerësimi i përgjishëm është pozitiv dhe në këtë drejtim ka pasur komente si asnjeherë tjetër, fakti se veprimtaria armiqësore në tërësi po intesifikohet dhe ka mjaft paqartësi, kërkon me doemos që organet e Sigurimit të Shtetit, të rrisnin në shkallën më të lartë vigjilencën dhe mobilizimin për të zbuluar dhe goditur në kohë këtë element dhe armikun e klasës, e për të bërë në të njëjtën kohë më kujdes e drejt, diferencimin e elementit të gabuar./Memorie.al

 MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME

              (Kadri Hazbiu)

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?