DOSJET/ Dëshmitë e dënimet, si përgjoheshin 2 mijë të burgosurit e Spaçit! 50 vjet nga Revolta, ekspertët e Autoritetit: Qeveria e Enver Hoxhës fitoi prej tyre 2500 kg ar

4 Maj 2023, 16:53| Përditesimi: 4 Maj 2023, 18:04

  • Share

Pranë garnizonit “Skënderbej”, Autoriteti i Dosjeve kujtoi sot “50 vjet nga Revolta e Spaçit”. Nuri Stepa është një nga 2 mijë ish-të burgosurit.  I dënuar me 13 vjet burg, me vendimin për grupin e tretë të pjesëmarrësve në revoltën e Spaçin ai kujton vuajtjet e asaj kohe...

“Për 3 ditë ne bëmë atë që duhet të kishte bërë gjithë Shqipëria, por ata u hakmorrën keq, 4 të pushkatuar e afro 70 të dënuar... Na torturonin derisa na linin pa ndjenja”, thotë Stepa.

Ndërsa Ajkana, e bija e ish-të burgosurit Ylli Alibali, sot punonjëse e institucionit që rreket të zbardhë krimet e diktaturës, flet për përjetimet ndërsa familjarët e tyre ishin pas hekurave...

“Babanë, xhaxhallarët i dënuan pa kuptuar pse, ishin të gjithë me arsim të lartë”, shprehet Alibali.

Dënimet rrëfejnë ish-të persekutuarit nuk kishin asnjë motiv të shëndoshë, e kryesisht kishin në shënjestër njerëz me potencial intelektual a ekonomik.

“Tim eti në hetuesi i thanë që ta kishin bërë dosjen gati si për të të çuar ambasador, por ne ta qepëm kostumin”, tregon më tej ajo.

Nga dëshmitë, procesverbalet e vendimet, në një mini ekspozitor të vendosur në hollin e Autoritetit, specialistja Irma Bataj tregon përmes dosjes së posaçme ç’ndodhi me pjesëmarrësit e Revoltës së Spaçit, që ‘minonin’ Pushtetin e Popullit’...

“Pati katër të pushkatuar me vdekje, ndërsa të burgosurit e tjerë u dënuan me mbi 25 vjet burg” , shprehet Alibali.

Ndërsa Dosja e Objektit të Rëndësisë së Veçantë përmban dy fashikuj, të përpiluar nga punëtori operativ Gjergj Zefi. Nga Skënder Daja te Gjet Kadeli e Qemal Demiri, revolta e burgu i Spaçit la pas njollën e kuqe të gjakut e turpit me 4 të pushkatuar e 66 të dënuar. Dosjet individuale rrëfejnë përndjekjen për ish të burgosurit. Dosjet përmbajnë ‘nofka’ të informatorëve, emra të punëtorëve operativ, të gjykatësve... deri më sot asnjë prej tyre i dënuar.

Por, cila ishte pesha e këtij sistemi drejtësie e Gjykatës së Lartë të kohës, që mori këto vendime makabre. Sufaj e sheh problemin që në rrënjën e ‘mbjelljes’ së saj, kur Enver Hoxha shkriu sistemin e drejtësisë që ishte në 1944-ën. Eksperti Gjergj Marku, tregon se Autoriteti është përpjekur të zbardhë edhe përfitimin ekonomik që pati shteti komunist, prej punës së detyruar të ish të burgosurve...

“Përfitimi shkon deri në 2500 kg florinj”, shprehet ai.

Gjysmë shekulli larg ngjarjes mbetet thirrja e përbashkët për eksplorimin më të thellë të ngjarjeve të asaj kohe...

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?