Ilir Meta dhe Sali Berisha

Dosjet e ish-Sigurimit, Partia Demokratike dhe e vërteta!

22 Tetor 2022, 13:29| Përditesimi: 22 Tetor 2022, 14:00

  • Share

Për të rinjtë e lindur dhe rritur në demokraci, diskutimi i dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, është një temë që nuk ngjall shumë reagim, thjeshtë një tallje, por shoqërohet me një batutë, ja spiuni, spiunët. Edhe ata që kanë një memorie më të mirë apo kanë vuajtur si pasojë e diktaturës, janë lodhur nga debate dhe diskutimi për dosjet, do të hapen apo jo! Ironia më e madhe me këtë shtresë padyshim është që shumë nga ata që i kanë spiunuar apo më keq, persekutuar e torturuar, i kanë parë në poste publike në të paktën 30 vite pluralizëm! E pavarësisht kësaj ata e kanë ruajtur veten, asnjë incident nuk ka ndodhur, qoftë dhe një i vogël, por vetëm protesta për hapjen e dosjeve dhe ligj për t’u dëmshpërblyer për vitet e burgut. Nëse ka patur një pakt mes sigurimit të shtetit dhe politikës, është pikërisht ky, lodheni opinionin deri në harresë. E megjithatë e vërteta e ka gjetur rrugën e saj edhe pse jo plotësisht, emrat e bashkëpunëtorëve dhe persekutorëve kanë dalë dhe shumë dihen.

Në këtë situatë pas 30 vitesh jemi për vetëm një arsye, roli demoniak që ka luajtur Partia Demokratike dhe zoti Berisha me qëllim jo vetëm mos hapjen e dosjeve në 1992, por edhe përdorimin për tu konsoliduar në pushtet. Faktet janë aty e vërteta ulëret, pavarësisht se retorika politike e zotit Berisha kundër regjimit komunist ishte ndër më të egrat, në realitet masat ndaj ish-sigurimit, nuk reflektonin retorikën. Masat ishin pothuajse zero, i vetmi vend në ish-bllokun komunist që nuk i mori asnjëherë seriozisht më dosjet e ish-sigurimit të shtetit, madje edhe i promovoi. Është e habitshme se si në këtë pjesë një pjesë e madhe e deputetëve të PD, vijojnë ta quajnë qëndrim të denjë. Por çudirat me qëndrimet e politikanëve në vendin tonë në fakt nuk janë fare të tilla, madje janë kthyer në normalitet. Ish-sigurimsat dhe bashkëpunëtorët fatkeqësisht, ishin dhe janë kudo, në media, në politikë, në gjyqësor, në art, në sport e kudo. Janë një kastë që bllokojnë çdo të ri në sferat e tyre të influencës. Pra diskutimi më të kaluarën është i qartë, politika i përdori demokratët për shantazh, socialistet për komoditet, e megjithatë shkuara nuk kthehet më por e ardhmja mund të ndryshohet!

Të gjendur në faj dhe në sikletin e tre dekadave përballë historisë një grup deputetësh i partisë Demokratike  votuan në favor të nismës për rivlerësimin e atyre politikanëve që kanë marrë një certifikatë pastërtie nga ish komisionet e ngritura ndër vite. Grupi tjetër me zotin Berisha nuk e votuan, një gabim i madh për mendimin tim! Partia Demokratike dhe deputetët e saj nuk e kanë luksin në asnjë moment për ti thënë jo, asnjë nisme që lidhet me zbardhjen e të kaluarës së errët të regjimit komunist. Dhe përsëri ata e bënë, nuk votuan, madje e sulmuan nismën! Të paqartë si gjithmonë në argumentet e tyre për të justifikuar qëndrimin.

Në korridoret e PD, flitet se kjo u bë për të mbrojtur Ilir Metajn, kreun e Partisë së Lirisë, pra përsëri pazar, përsëri kompromis, përsëri negociata e për çfarë? Për të mbrojtur një person. E njëjta skemë e përdorur në 30 vjet, në dëm të ish të përndjekurve politik. Partia që i përdor prej 30 vitesh zgjodhi përsëri t’i shesë.

Por, tani që loja me dosjet u rihap dhe duket se po kthehet në një provë serioze për të djathtën prandaj duhet t’i shkohet deri në fund, të gjithë bashkëpunëtorët e ish-sigurimit duhet të ikin nga politika dhe nga çdo post publik, boll është boll. Amendamentet e reja për largimin e tyre janë një sfidë, e cila nuk do të vendosë drejtësi përballë të kaluarës, por do të sjellë një moral për këdo që e voton. Përgjegjësia nuk është vetëm të opozita por edhe të mazhoranca për ti  votuar amendamentet e ligjit për dekriminalizimin, dhe mos ta përdor vetëm ndaj një kundërshtari politik. Deri në atë moment, ka tre kënde të largëta, Partinë Demokratike, dosjet e ish sigurimit dhe të vërtetën! 

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Aliu: 22/10/2022 14:44

    Spiunet i rekrutonte sigurimi; sigurimi i raportonte qeverise dhe partise dhe kur e donte puna "qepte" dosjet e armiqeve me gjithe prokurori e gjykate e i degdiste ne burg. Partia kisjte nje sekretar te "pare", diktatori mediokerr, injorant dhe i lig Hoxha, dhe asistohej nga nje polibyro! Tani sekretarin e pare e kemi nga pasardhesit e polibyrose, ndersa gjithe "kuadrin" nga pasardhesit e sigurimit, policise, prokurorise, gjykates pra administrates komuniste. A nuk na spjegon te "verteten" si e qysh i behet?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?