Përvjetorët e lindjes e të vdekjes së disa ndër figurat më të njohura shqiptare si Mujo Ulqinaku, Isa Boletini, Aqif pashë Elbasani e Lef Nosi, janë disa nga tematikat që do të kenë në thelb botimet e reja nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Drejtori i Arkivave Ardit Bido u bëri thirrje studiuesve e ekspertëve që të bëhen pjesë e botimeve për vitin që vjen, ku nuk mungojnë risitë.
“Risia e këtij viti është publikimi i një udhërrëfyesi arkivor, që do të ketë për qëllim orientimin e studiuesve në procesin e kërkimit online, në platformën e Sallës së Studimit apo në Këndet Arkivore të çelura në dhjetëra qytete në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Greqi dhe në jug të Italisë.” Për secilën prej këtyre gjinive të botimeve, të interesuarit duhet t’i drejtohen adresës botime.arkiva.gov.al, për të depozituar kërkesën e tyre për pjesëmarrje dhe abstraktet e punimeve të propozuara.”, - thotë drejtuesi i DPA-së, Ardit Bido.
Po ashtu, në materialet të mundshme për botim përfshihen përmbledhjet e dokumenteve për një periudhë, çështje apo personalitet historik; punimet monografike të lidhura me historikun e arkivave, sfidat dhe problematikat e tyre në Shqipëri e më gjerë; botimet e dokumenteve në gjuhë të rralla (osmanisht, greqisht, latinisht etj); botimet e akteve ligjore dhe nënligjore për punën me dokumentet arkivore; inventarët, katalogët dhe treguesit e punës kërkimore në arkiva. Bido sqaron se çdo punim i paraqitur nuk duhet të kapërcejë kufirin prej 400.000 shkronjash dhe shenjash, ose të 10 fletëve tipografike. Thirrja për pjesëmarrje do të qëndrojë e hapur deri më datën 5 prill 2025.
Në vitin që vjen shënohet 130-vjetori i lindjes së Mujo Ulqinakut; 110-vjetori i themelimit të Komisisë Letrare të Shkodrës; 110-vjetori i vdekjes së Isa Boletinit; 100-vjetori i vdekjes së Aqif Pashë Elbasanit dhe 80-vjetori i vdekjes së Lef Nosit.
Komente
