Foto nga prezantimi i draftit të Kodit të ri Penal

Sociale

Draft Kodi i ri Penal, ‘Safe Journalists’: Dobëson rolin mbikëqyrës të medias dhe dëmton rëndë transparencën në një shtet ligjor funksional

1 Gusht, 17:33| Përditesimi: 1 Gusht, 17:45

  • Share

Organizatat e gazetarëve, përfshirë edhe rrjetin ndërkombëtar “Safe Journalists” nënvizojnë se miratimi i draft Kodit të ri Penal në formën që u prezantua, do të dobësonte rolin mbikëqyrës të medias dhe do të dëmtonte rëndë transparencën në një shtet ligjor funksional. Sipas tyre mosnjohja e gazetarëve si një kategori e mbrojtur posaçërisht përkeqëson më tej rreziqet që lidhen me detyrat e tyre profesionale, duke rritur potencialisht efektin frikësues mbi raportimin e pavarur.

Deklarata e plotë: 

Ne, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, partnerë të Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias  (MFRR) dhe organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me ndryshimet e propozuara për Kodin Penal. Disa dispozita të draftit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë, konkretisht nenet 865 (Shpifja), 863 (Fyerja) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), paraqesin kërcënime të drejtpërdrejta për lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe të drejtën themelore të lirisë së shprehjes.

Ndërsa vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet dhe të përgatisim një vlerësim të detajuar ligjor, bazuar në analizën tonë fillestare të Draft-Kodit Penal të publikuar shqetësimet tona kryesore janë si më poshtë:

Neni 865 (Shpifja) rrit ndjeshëm dënimet, veçanërisht kur informacioni shpërndahet nëpërmjet kanaleve mediatike ose platformave online, si dhe ndaj mbajtësve të funksioneve publike. Heqja e elementit të dijenisë se informacioni i shpërndarë është i rremë sjell paqartësi dhe lejon interpretim shpërpjestimor, duke rritur kështu rreziqet për gazetarët, sinjalizuesit, rojëtarët publik dhe mediat. Klauzolat e formuluara gjerësisht mund të çojnë në ndjekjen penale të gazetarëve dhe të kenë një efekt frenues në raportimin investigativ dhe diskursin publik. Ndryshimet nuk arrijnë ta dekriminalizojnë plotësisht shpifjen siç kërkohet nga shoqëria civile, komuniteti i medias dhe siç parashikohet në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës të Shqipërisë nën dritën e procesit të anëtarësimit në BE.

Neni 863 (Fyerja) për fyerjet e rënda prezanton kritere të paqarta si “shqetësimi i opinionit publik” dhe “zakonet e mira”, duke mos pasur përkufizime të qarta dhe duke lënë mundësi për interpretim subjektiv dhe zbatim selektiv. Sanksionet e propozuara, duke përfshirë mundësinë e burgimit, janë shpërpjestimor dhe bien ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), e cila, ndër të tjera, nënvizon nivele më të larta të kritikës së lejueshme për figurat publike dhe zyrtarët shtetërorë.

Neni 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës) është veçanërisht shqetësues pasi ndalon gjerësisht bërjen apo publikimin e komenteve mbi procedurat gjyqësore, duke ndërhyrë kështu drejtpërdrejt në rolin thelbësor mbikëqyrës të medias dhe duke minuar transparencën. Formulimi është tepër i përgjithshëm, duke lënë hapësirë që autoritetet ta keqpërdorin atë dhe të shtypin mbikëqyrjen gazetareske dhe diskursin publik, gjë që është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh procedurat gjyqësore në vazhdim ndaj figurave të shquara politike. Dënimi është gjithashtu shpërpjestimor. Prandaj, një dispozitë e tillë bie ndesh me Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së, të cilat theksojnë të drejtën e publikut për t’u informuar rreth çështjeve gjyqësore.

Neni 852 (Shkelja e Lirisë së Mendimit dhe Shprehjes) njeh pozitivisht të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e medias, por i mungojnë përkufizime të qarta të termave si “mohim ose kufizim i pajustifikuar”, duke kufizuar potencialisht efektivitetin e tij si një mekanizëm mbrojtës.

Mosnjohja e gazetarëve si një kategori e mbrojtur posaçërisht përkeqëson më tej rreziqet që lidhen me detyrat e tyre profesionale, duke rritur potencialisht efektin frikësues mbi raportimin e pavarur.

Thirrje që institucionet të veprojnë në përputhje me standardet evropiane

Ne theksojmë se dispozitat e propozuara janë të papajtueshme me standardet bazë evropiane, veçanërisht:

Neni 10 i KEDNJ-së, i cili mbron lirinë e shprehjes, duke përfshirë lirinë për të marrë dhe për të dhënë informacion pa ndërhyrjen e autoriteteve publike.

Rekomandimi i Këshillit të Evropës Rec(2003)13, i cili pohon të drejtën e publikut për t’u informuar rreth procedurave gjyqësore dhe të drejtën e medias për të raportuar lirisht mbi veprimtarinë gjyqësore.

Rezoluta 1577 (2007) e Këshillit të Evropës e cila bën thirrje për dekriminalizimin e shpifjes.

Jurisprudenca e GJEDNJ-së, që pohon të drejtën për të diskutuar dhe komentuar publikisht mbi çështjet gjyqësore përpara vendimit përfundimtar të gjykatës.

Rekomandime:

Duke pasur parasysh sa më sipër, u bëjmë thirrje urgjente Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Ministrave dhe aktorëve të përfshirë në procesin e miratimit të Kodit të ri Penal që të:

Të rishikohen në thelb nenet 865, 863 dhe 536 për t’i përafruar plotësisht standardet e Këshillit të Europës dhe me praktikat më të mira evropiane.

Të sigurohet qartësi dhe specifikim në formulimin e dispozitave penale, duke shmangur kështu paqartësinë dhe mundësinë e zbatimit selektiv.

Të dekriminalizohet shpifja dhe fyerja, duke i trajtuar ato nëpërmjet masave civile proporcionale në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe rekomandimet e BE-së, dhe siç parashikohet në Udhërrëfyesin për Shtetin e së Drejtës dhe siç kërkohet nga shoqëria civile dhe komuniteti i medias.

Të mbrohen në mënyrë të qartë gazetarët, punonjësit e medias, sinjalizuesit dhe rojëtarët publik nga dënimet shpërpjestimore dhe përgjegjësia penale për rolet e tyre legjitime mbikëqyrëse dhe raportuese.

Të ketë angazhime në konsultime kuptimplota me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e lirisë së medias për të siguruar që ndryshimet ligjore fuqizojnë në vend që të minojnë lirinë e shprehjes dhe qeverisjen demokratike. Është me rendësi të specifikohet qartë afati i konsultimit dhe të sqarohen metodat për mbledhjen e komenteve dhe sugjerimeve, veçanërisht duke pasur parasysh që drafti i Kodit ende nuk është publikuar në Platformën Elektronike për Konsultim Publik.

Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të mbështetur institucionet shqiptare në përmirësimin e legjislacionit që lidhet me lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes, duke theksuar se mbrojtja e fortë për gazetarinë dhe lirinë e fjalës janë thelbësore për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe rrugën e integrimit në BE.

Nënshkruar

Rrjeti SafeJournalists

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës

Asociacioni i  Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Partnerët e Nismës për Reagim të Shpejtë për Lirinë e Medias (Media Freedom Rapid Response – MFRR):

Observatori Ballkanik Kaukaz Transevropian (OBCT)

Shtypi i Lirë Pa Kufizime (FPU)

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)

Rrjeti për Raportimin e Diversitetit (Reporting Diversity Network)

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri:

Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)

Gratë Shqiptare në Audiovizual (AWA – Albanian Women in Audiovisual)

Instituti Shqiptar i Medias (AMI)

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)

Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM – Albanian Media Council)

Citizens Channel (CC)

Amfora.al

Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative – Shqipëri (BIRN Albania)

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)

Faktoje.al

Qendra Shqiptare MediaLook

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë (UGSH)

Mbrojtësit e të Drejtave Civile (Civil Rights Defenders – Albania)

Qëndresa Qytetare (QQ – Civic Resistance)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH – Albanian Helsinki Committee)

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (Partners Albania for Change and Development)

Qendra Res Publika

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Deri në 3 vite burg për braktisjen e kafshëve, si e vlerësoni?