Ndotja e ajrit dhe mjedisit, drafti i ri rrit gjobat me 30%! Të gjitha masat që parashikohen për bizneset

23 Shkurt, 16:00| Përditesimi: 23 Shkurt, 17:20

  • Share

Të gjitha bizneset që shkaktojnë ndotje mjedisore dhe të ajrit do të përballen me gjoba 30% më të larta se deri më tani.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik dy projektligje me synim uljen e ndotjes, duke rritur gjobat me 30% bazuar edhe në rezultatet e këshillimit Kombëtar, ku qytetarët kërkuan ndëshkim më të rëndë për ndotësit mjedisit dhe zaptuesit e hapësirave publike.

Në Projektligjin “Për Mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis”, ndryshohet neni 20 që ka të bëjë me kundërvajtjet administrative, me qëllim rritjen e vlerës së gjobës për të gjitha bizneset që nuk respektojnë lejet mjedisore. Në ligjin aktual variojnë nga 300 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, kurse në projektligj propozohet që gjoba të variojë nga 390 mijë lekë deri në 2.6 milionë lekë (të reja).

Gjoba nga 1.3 milionë deri në 2.6 milionë lekë (të reja) propozohen edhe për subjektet që prodhojnë, importojnë ose tregtojnë, lëndë djegëse në kundërshtim me kërkesat e ligjit, ndëshkohet aktualisht nga 1 deri në 2 milionë lekë.

Po ashtu rriten me 30% gjobat për mosrespektimi i masave për sigurimin e informacionit mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 gjatë marketingut të automjeteve të reja, si dhe për operatorët që nuk përmbushin kërkesat për pakësimin e rrjedhjeve dhe shkarkimeve të përbërësve organik të avullueshëm.

E njëjta masë është propozuar edhe në projektligjin “Për Mbrojtjen e Mjedisit”. Nëse aktualisht gjobat vazhdojnë nga 300 mijë lekë deri në 2 milionë lekë, propozohet që vlera e gjobave sipas shkeljeve të rritet në 390 mijë lekë deri në 2.6 milionë lekë.

Po ashtu që gjitha kompanitë që prodhojnë, blejnë, shesin substanca ozonholluese, jo në përputhje me ligjin apo ato subjekte që nuk respektojnë kërkesat për ndalimin e prodhimit, të importit, hedhjes në treg dhe të përdorimit, për reduktimin e shkarkimeve, minimizimin dhe eliminimin e ndotësve organikë të qëndrueshëm. Apo shkarkimi i erërave të pakëndshme nga veprimtaritë e reja dhe ekzistuese.

Në relacionet e projektligjeve thuhet se synimi kryesor është ulja e ndotjes së ajrit dhe mjedisit për shkak të rrezikut të madh që ka për shëndetin e njeriut.

“Ashpërsimi i masës së gjobës si një masë me impakt të drejtpërdrejtë në veprimtarinë ekonomike të subjekteve apo ekonominë/buxhetin e individëve do të ndikojë në ndërgjegjësimin e tyre për të shmangur kryerjen e veprimeve të cilat ndotin mjedisin dhe hapësirat publike”, thuhet në relacionin për projektligjin e mbrojtjes së cilësisë së ajrit në mjedis.

Nga ky ashpërsim i gjobave thotë ministria brenda vitit 2024, synohet të ulet me 40% e nivelit të ndotjes në zonat urbane.

Ndërsa në projektligjin e dytë për mbrojtjen e mjedisit thuhet se: “veprimtaritë ekonomike, veçanërisht ato industriale janë faktori kryesor i ndotjes së mjedisit, duke cenuar cilësinë e ujërave nëntokësore/ cilësia e ajrit, çka sjell impakt negativ në cilësinë e tokës dhe që shkakton degradimin e mjedisit, në rast se nuk veprohet në mënyrë të kontrolluar”.

Shkaqet kryesore të nivelit të lartë të ndotjes thotë ministria janë: mungesa e ndërgjegjësimit në nivelin e duhur për veprimet që përmbajnë shkelje administrative të parashikuara nga ligji dhe moszbatimi i tyre.

Ashpërsimi i gjobave përveçse synon të ndërgjegjësoj bizneset për të mbrojtur mjedisin, nga ana tjetër do të rrisë edhe të ardhurat në buxhet në rast shkeljesh.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Plaku: 23/02/2024 22:15

    Po edhe oxhakët e Kateve të para , që djegin dru...,orat pa orar duhen gjobitur!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?