TIRANË – Drafti i ri i Kodit Penal, i hedhur për konsultim publik, ka nxitur debate për disa prej neneve, një prej tyre edhe neni Neni 235, “Përdhosja e Republikës dhe simboleve të saj”.
Çfarë parashikon neni?
Në pikën 1 të tij, përdhosja e Himnit Kombëtar, flamurit apo stemës së Republikës, kur këto janë të ekspozuara në institucione shtetërore, konsiderohet kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 6 muaj. Më tej, në pikën 2, drafti i hedhur për konsultim publik e zgjeron ndëshkimin edhe për përdhosjen e Presidentit të Republikës, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, sistemit gjyqësor, Forcave të Armatosura dhe Dëshmorëve të Atdheut, me burgim deri në 3 vjet.
Pika më e ashpër mbetet ajo që ndëshkon "përdhosjen publike të Kombit Shqiptar", e cila parashikohet me burgim nga 1 deri në 4 vjet. Po kaq i rëndë është edhe dënimi për çdo akt përdhosës të kryer gjatë festave publike apo ceremonive zyrtare, ku dënimi shkon deri në 4 vjet burg.
Lutfi Dervishi: Si neni famëkeq i propagandës në diktaturë
Është pikërisht pika 2 e këtij neni të hedhur për konsultim publik që ka nxitur reagime në opinionin publik. Është gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi, i cili e krahasuar me nenin famëkeq të propagandës së kohës së komunizmit. "Neni 55 i (agjitacion - propagandës) se kohës së komunizmit ishte më i qartë", shkruan Dervishi duke theksuar se neni 235 është i rrezikshëm për lirinë e shprehjes, duke shtuar se çdo meme rrezikon të të fusë në burg.
“Në një shtet demokratik, Presidenti, Kryeministri, Kuvendi apo gjykatat nuk janë objekte kulti, por shërbëtorë publikë që kritikohen, edhe ashpër, pa u përlyer me kode penale. Termi "përdhosje" është aq "llastik" , sa çdo meme, karikaturë apo status në Facebook mund të bëhet pretekst për burg. Neni 55 i (agjitacion - propagandës) se kohës së komunizmit ishte më i qartë”, shkruan Dervishi.
Dervishi shkon edhe më tej, duke thënë se neni 55 i agjitacion-propagandës në diktaturë ishte më i qartë dhe me ironi shkruan se nëse ky ndryshim miratohet, atëherë çdo shqiptar ka të drejtë të kërkojë strehim politik.
Ai sjell në vëmendje edhe shembuj nga Europa: në Belgjikë, përdhosja publike e Mbretit dënohej me burg nga 6 muaj deri në 3 vjet, por në vitin 2021 Gjykata Kushtetuese belge e shfuqizoi atë nen si të papajtueshëm me lirinë e shprehjes, shkruan Dervishi. Po kështu, Dervishi shkruan se Gjykata Kushtetuese e Holandës kishte marrë të njëjtin vendim që në vitin 2018, duke e konsideruar të papranueshme penalizimin për fyerje të institucioneve.
“Në Belgjikë vetëm përdhosja publike Mbretit dënohet me burg 6 muaj deri 3 vjet. Në 2021 Gjykata kushtetuese belge e abrogoi këtë nen si “të kundërt me lirinë e shprehjes” Të njëjtën gjë ka bërë Gjykata kushtetuese hollandeze që më 2018. Nëse ky nen miratohet, të gjithë shqiptarët kanë të drejtë ligjore të kërkojnë strehim politik”, shkruan Dervishi.
Neni 235
Përdhosja e Republikës dhe simboleve të saj
1. Përdhosja e Himnit Kombëtar, flamurit apo stemës së Republikës të ekspozuara në institucionet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj ose, jo më pak se sa dy dënime plotësuese kur çmohet se arrihet qëllimi i dënimit penal nëpërmjet tyre.
2. Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri në tre vjet.
3. Përdhosja publikisht e Kombit Shqiptar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
4. Nëse përdhosja sipas paragrafëve më sipër, kryhet gjatë një feste publike ose ceremonie zyrtare, dënohet me burgim deri në katër vjet.
5. Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë.
Neni 235 nga drafti për Kodin e ri Penal
Komente

Ne U.S nuk duhet t'a perdhosesh flamurin si flamur,paradoksi qendron qe mund te perdoret si print per bikini e mbathje! Sa per presidentin,kam pare nje here fytyren e Bush Jr.stamposur ne rrolle letre higjenike,me keq se kaq nuk e ka pesuar as Trump me te gjithe karikaturimet pa fund te tij e me te fundit qe e kane quajtur Taco (Trump always chicken out) qe eshte perdorur dhe nga mediat.Te gjithe mbrohen nga amendamenti i I i Kushtetutes.Ne mos gaboj dhe Shqiperia e mbron me Kushtetute te drejten e shprehjes e mendimit.I bie qe neni 235 i propozuar i KP te bjere ne kundershtim me te drejten e lirise se fjales e mendimit e shprehjes se tyre qe ratifikon Kushtetuta.
PërgjigjuTurp turp turp! Normal, kur njerëzit janë kaq dele, normal që do të ndodhë
PërgjigjuHarruat ministrat dhe deputetet, kryetaret e bashkive dhe drejtorat, investitoret strategjike dhe fituesit e paracaktuar te tenderave. Burg perjete kush i shan!
Përgjigju