Politikë

Drafti i Kodit të ri penal, PL: Neni 210 tradhti kombëtare e Edi Ramës, i hap rrugën shitjes së territoreve të Shqipërisë

30 Korrik, 17:37| Përditesimi: 30 Korrik, 18:12

  • Share

Partia e Lirisë vijon të marrë në analizë draftin e Kodit të Ri Penal. Tedi Blushi tha se ndryshimet në nenin për “Dorëzimin e Territorit” janë tradhti kombëtare e Edi Ramës pasi zbusin ndëshkimin penal duke i hapur rrugë cenimit të sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. 

Deklarata e plotë: 

'Me indinjatë të thellë dhe shqetësim patriotik e kombëtar, Partia e Lirisë dënon me ashpërsinë më të madhe ndryshimet e rrezikshme antikombëtare të propozuara në draftin e ri të Kodit Penal, për të zbutur ndëshkimin penal ndaj aktit më të rëndë dhe më të pafalshëm kundër kombit shqiptar, dorëzimin e territorit të Republikës së Shqipërisë. Akti i paprecedentë i zbutjes së dënimit për dorëzimin e territorit të Shqipërisë, i propozuar nga vetë Kryeministri Edi Rama, përfaqëson një tentativë të qartë antikombëtare për të amnistuar tradhtinë ndaj Atdheut dhe për të krijuar një precedent të rrezikshëm që cënon rëndë sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Ndërkohë që Kodi aktual Penal dënon dorëzimin e territorit me jo më pak se 15 vjet burg ose burgim të përjetshëm, drafti i ri parashikon, në mënyrë të turpshme, që në mungesë të një qëllimi “të posaçëm” dhe “kur dorëzimi nuk varet nga detyrime ligjore”, kjo vepër të dënohet me vetëm 5 deri në 15 vjet burg!  Ky nen thellësisht antikombëtar është një ftesë e hapur për tradhtarët dhe një përpjekje e orkestruar për të dekriminalizuar aktet më të rënda që mund të kryhen kundër Republikës së Shqipërisë.

Draft vjen nga i njëjti Kryeministër që ka vënë në jetë axhendën antikombëtare të shpopullimit, që ka promovuar idenë famëkeqe të “korrigjimit të kufijve” të Kosovës, që e shpalli Veriun e Kosovës, tokë të askujt dhe që ka hyrë në marrëveshje të fshehta e okulte me Greqinë për çështjen e detit, duke refuzuar të publikojë kushtet e negociatave, dhe duke anashkaluar institucionet e shtetit shqiptar. Edi Rama, ky Esad Pashë i ri, nuk ka legjitimitetin moral, politik dhe historik të prekë nenet e Kodit Penal që mbrojnë kufijtë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë për t’i hapur derën e amnistisë atyre që i shërbejnë interesave të armiqve të kombit shqiptar.

Shqipëria nuk ka nevojë për alibi ligjore që i hapin rrugë pazareve me tokën e shqiptarëve të larë me gjakun e mijëra dëshmorëve, por për ligje të qarta, të rrepta dhe pa ekuivok ndaj çdo forme të dorëzimit, faljes apo tregtimit të territorit kombëtar. Zbutja e këtij neni është një tentativë për të legalizuar një krim kundër kombit dhe një precedent i rrezikshëm që minon themelet e shtetësisë.

Kodi i ri Penal nuk është asgjë tjetër veçse një alibi për të nxjerrë në shitje territorin e Republikës së Shqipërisë. Asnjë centimetër tokë i Republikës së Shqipërisë nuk është i negociueshëm.  Askush që e dorëzon, përkohësisht apo përgjithmonë, nuk mund të trajtohet ndryshe veçse si tradhtar i kombit. I bëjmë thirrje çdo shqiptari të ndershëm dhe patriot, të ngrihet fuqishëm kundër këtij sulmi ndaj vetë ekzistencës tonë si shtet. 

Të gjithë ata që heshtin sot, bëhen bashkëfajtorë në një projekt të zi antikombëtar, që ka për synim tjetërsimin e Shqipërisë. Kufijtë nuk janë çështje partie. Janë vija të kuqe gjaku. Dhe askush, askush, as Edi Rama, as një shumicë e dalë nga zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, as ndonjë komision i errët parlamentar, nuk ka të drejtë t’i shesë, t’i falë apo t’i dorëzojë. Kush guxon të prekë kufijtë e Shqipërisë, do të mbajë mbi shpinë peshën e historisë, mallkimin e kombit dhe përgjegjësinë penale që nuk do të amnistohet kurrë.

Tradhtarët e Atdheut nuk do të mbrohen dot as pas neneve të reja të Kodit Penal, as pas blindave të pushtetit, as pas marrëveshjeve të errëta nëpër tavolina të huaja. Kush guxon të prekë sovranitetin dhe integritetin territorial të Shqipërisë, nëpërmjet neneve dhe ligjeve antikombëtare, hap varrin e vet politik.  Gjakun i Dëshmorëve të Atdheut nuk mund të bëhet ujë nga një regjim sa kriminal, aq edhe antikombëtar.

S.B/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 31/07/2025 04:51

    Dorezimi/shitja i territorit shqiptar duhet denuar vetem me burgim te perjetshem,asgje me pak.Me sa duket, Rama po kerkon te mbrohet per marreveshjen me Italine,shtetin bektashi e Sazanin.Reanna Smith e /Daily Express/thote se ishulli u ble per 1 bilion $ nga Kushner e Trump.

    Përgjigju
    • LIZ: 31/07/2025 10:24

      PO PSE CFARE ESHTE BERE DERI TANI A NUK PO I JAPIN TE GJITHEN, NE PO NA LARGOJNE KY ESHTE DOREZIM PA KUSHTE MJERE SHIPERIA E SHKRETE DHE EMRI CDO TI THUHET ME

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?