TIRANË- Draftin që Partia Socialiste propozoi ditën e sotme në Këshillin Politik për ndryshimet kushtetuese, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi e ka quajtur përpjekje për të mbyllur sërish listat. Sipas numrit dy të selisë blu Rama nuk ka merakun e votës së qytetarëve por ndryshimin e rregullave të lojës. Ai thekson se dy janë kërkesat e opozitës së bashkuar: Listë e hapur 100 % dhe kërkesë zyrtare për OSBE-ODIHR nëse mund të ndryshohen rregullat për formulën e koalicioneve dhe shpërndarjen e mandateve 6 muaj përpara zgjedhjeve.
"Edi Rama mashtroi shqiptarët për listat e hapura
Edhe kësaj here u provua se Edi Rama “tjetër thotë dhe tjetër bën”. Sot doli zbuluar para çdo shqiptari! Nuk ka merakun e votës së qytetarëve, se nuk e ka patur që prej 22 viteve në politikë. Propozimi zyrtar i PS është: Listë e mbyllur 100 %, por ndryshim i rregullave për formulën e koalicioneve dhe shpërndarjen e mandateve. PD dhe Opozita e Bashkuar e ka paralajmëruar këtë që nga dita e parë!
Qëndrimi i PD dhe Opozitës së Bashkuar është i qartë: Listë e hapur 100 % dhe kërkesë zyrtare për OSBE-ODIHR nëse mund të ndryshohen rregullat për formulën e koalicioneve dhe shpërndarjen e mandateve 6 muaj përpara zgjedhjeve. Edi Rama nuk mund të fshihet më pas propagandës! Hilet nuk e ndihmojnë, por e demaskojnë edhe kësaj here si një mashtues në panikun e humbjes", shkruan Bardhi.