Bushka: Drafti i PS për hapjen e listave, praktikë ndërkombëtare! Patozi: Ai propozim është një poshtërsi politike dhe juridike

22 Shtator 2020, 22:40| Përditesimi: 22 Shtator 2020, 23:16

  • Share

Drafti i PS i hap apo i mbyll listat ishte diskutimi në të cilën u fokusua mbrëmjen e sotme emisioni "Repolitix", ku përplasjet dhe argumentet ishin të forta mes të ftuarve. Deputetja e PS, Klotilda Bushka, e cila është pjesë e grupit të punës për ndryshimet në kodin zgjedhor, sqaroi pse drafti i propozuar nga mazhoranca i hap listat. Ajo tha se partia vërtet vendos kandidatët, por secili prej tyre ka popullaritetin e vet dhe qytetarët do të vendosin votën te secili që ata dëshirojnë. Në lidhje me renditje e kandidatëve në listë nga partia politike, për Bushkën është praktikë ndërkombëtare që ndiqet kudo. Bushka sqaroi se kandidatët që duhet të kalojnë pragun e votave për të dalë mbi kandidatët e vendosur në listë nga partia duhet të kalojnë një numër të caktuar votash që llogaritet nga numri i votave që ka marrë partia pjesëtuar për mandatet e fituar në një qark të caktuar. Bushka sqaroi se kandidatë renditen në listë nga partitë politike, pasi ata përfitojnë edhe nga emri, vlera dhe historia e asaj partie që ka në popull.

"Kemi zgjedhur sistem të ngjashëm më atë danez dhe si çështja e pragut kombëtar dhe ajo e pragut të listës së kandidatëve apo e herësit ku një kandidat duhet të marrë një numër të caktuar votash që të kalojë mbi pragun e kandidatëve që janë vendosur në listë nga partia janë çështje praktike ndërkombëtare të njohura. Propozuesit për kandidat janë partitë politike dhe zgjedhësit. Partia politike do të jap një ofertë  ku duhet zgjedhur partia politike dhe kandidati. Në tërësinë e votave që merr partia pjesëtuar me numrin e mandateve për atë qark del një numër që ne e quajmë herësi. Ky numër kur kalohet nga një kandidat kalon pragun për të prishur listën e bërë nga partia. Kjo është bërë pasi një kandidat vërtetë do të marrë votat e veta, por do të marrë edhe vlerën  nga partia politike që përfaqëson dhe kjo do të pasqyrohet edhe me emrat e partisë në listë, prandaj është kjo renditje. Ka kandidatë që e thyejnë atë listë pasi kanë popullaritetin dhe vlerën e tyre në publik. Propozimi ynë i ka listat e hapura. listat u hapën  si kërkesë e opozitës në parlament, u përqafua nga mazhoranca dhe u mbështet nga populli", tha Bushka.

Por përtej këtij shpjegimi dhe bazimi në praktikant ndërkombëtare, për Astrit Patozin e Bindjes Demokratike, drafti i PS është një poshtërsi juridike dhe politike. Ai tha se ky draft jo që nuk i hap listat por i bën edhe më të mbyllura nga sa ishin në 2008. Për Patozin sipas draftit të PS-së listat janë  hermetikisht të mbyllura, pasi praktikisht është e pamundur që një kandidat të kalojë pragun e votave për të zëvendësuar kandidatët e vendosur në krye nga partia, edhe sikur këto të fundit të marrin zero vota. Patozi tha se beson se drafti i PS do të pësojë ndryshime, por i trembet heshtje së opozitës jashtëparlamentare për këtë çështje.

"Drafti i Rudina Hajdarit nuk është lexuar nga askush dhe opozita jashtëparlamentare dhe mazhoranca po hesht, ndërsa drafti i PS është një poshtërsi politike dhe juridike. Drafti i PS është një hap pas me ndryshimet e 2008 dhe është më keq se lista e mbyllur e 2008. Nëse unë vendos kryqin dhe nuk ka asnjë vlerë pse më lodh kot dhe me jep mundësinë për të vendosur dy kryqe në votën time një për partinë dhe një për kandidatin. më lerë më një kryq për partinë siç jemi dhe sot. Unë besoj se ky draft nuk do miratohet kështu siç është. Lista është hermetikisht e mbyllur. Ky është një skandal por ka ende kohë që diçka të riparohet. Nuk besoj se do të ketë shumë ndryshime pasi nuk ka asnjë reagim dhe më shqetëson kjo heshtja e opozitës jashtëparlamentare. Praktikisht lista është e mbyllur se ai që është i pari edhe zero vota të marrë është fitues pasi është praktikisht e pamundur për kandidatët e tjerë të kalojnë  sipër tyre me votat e marra. Ajo që ata kanë shkruar është kundër 30 korrikut në rrafshin kushtetues, ndërsa në rrafshin moral është një poshtërsi dhe një pabesi ndaj publikut. Publiku do lista të hapura, por jo kështu, por këto thonë i hapim në siç duam ne", tha Patozi

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?