Autoritetet e qeverisë shqiptare do të ndryshojnë kushtet e lejeve të qëndrimit për shtetasit e huaj, që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Shqipëri për periudha të gjata.
Më konkretisht mësohet se shtetasit nga vendet e BE-së dhe SHBA-së duhet të jetojnë apo punojnë në vendit tonë për të paktën 5 vite, për t’u bërë shtetas të përhershëm të vendit tonë. Gjithashtu u garantohen edhe siguri ligjore ndaj punonjësve të huaj me ndëshkimin deri me 50 fish të gjobës ndaj bizneseve që abuzojnë, por edhe garanci e lehtësira ndaj investitorëve të huaj që vijnë në Shqipëri.
Pas lejes së parë 3 mujore të qëndrimit, nëse gjejnë punë të rregullt dhe plotësojnë kriteret, s'ka më nevojë për leje të re, por duhet të regjistrohen.
Projektligji hidhet për konsultim, propozohen ndryshime nenesh dhe pikash
Ky projektligj tashmë është hedhur për konsultim publik. Por në ndryshimet e reja parashikohen dhe përjashtime, si në raste pensionesh apo aksidentesh.
Bëhet fjalë për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr.79/2021 “për të huajt”. Në relacionin e tij theksohet:
“Projektakti synon të përmirësojë fushën e të drejtave të migrantëve dhe anëtarëve të tyre të familjes, refugjatëve dhe azilkërkuesve, si dhe të mbrojtjes sociale (akses në programe dhe shërbime integrimi), ofrimit më të mirë të informacionit, procedurave të lehtësuara dhe forcimit institucional të ofrimit të shërbimeve për migrantët”.
Kurse në Nenin 15, me ndryshimet përkatëse parashikohen edhe përshkrimet si më poshtë për nenet 33 dhe 33/1 të çështjes së shtetasve të huaj:
“Mbi të drejtën e shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të familjeve të tyre për të lëvizur dhe banuar lirisht brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.
Pjesë nga relacioni për draftin e ri
Më poshtë bëhet edhe përshkrimi kur përfitohet një shtetësi, leje e përhershme qëndrimi apo dokumenti shqiptar i identifikimit. Kurse në Nenin 46 parashikohen edhe kriteret për lejet e studentëve dhe nxënësve të huaj, por edhe për kërkimet shkencore.
Pasaportat, lejet, shtetësia dhe të tjera, kur përfitohen
Një person i huaj nga vendet e Bashkimit Evropian, zona Shengen apo SHBA, që janë në prag të pensionit dhe kanë kontribuuar për të paktën 12 muaj në vendin tonë, mund të pajisen me lejen e përhershme.
Lehtësim do të ketë edhe në rastet kur një person që ka punuar për 2 vite, shpall paaftësinë për të punuar. Në këto raste përfshihen aksidentet në punë apo një sëmundje që mund t’i ketë ardhur për shkak të profesionit. Kushte për leje qëndrimi do të ketë dhe për studentët e huaj.
Ata do të mund të lëvizin në vendin tonë për një vit, ndërsa do t’i lejohet dhe e drejta e punësimit duke respektuar limitin maksimal të 15 orëve në javë.
Studentët e huaj, gjithashtu, do të mund të zgjasin afatin e tyre të qëndrimit në Shqipëri, deri në përfundimin e shkollës.
Përkrahje edhe për të huajt apo investitorët që vijnë për të punuar në tregun shqiptar
Të huajt jo vetëm nga shtetet e BE-së por edhe nga vende të treta, janë kthyer në ‘shpresë’ për tregun e punës vendas.
Qeveria ka vendosur të rishikoj ligjin për të huajt duke lehtësuar aplikimin për vizë, që synohet të bëhet në një periudhë kohore më të shkurtër edhe më të shpejtë. Aplikimi për vizë nga i huaj do të bëhet vetëm online në sistemin elektronik të vizave 90 ditë përpara datës së planifikuar për të ardhur në Republikën e Shqipërisë. Deri tani aplikimi bëhej pranë selive diplomatike, gjë që me ndryshimet do të fuksionojë vetëm online.
Projektligji i ri për shtetasit e huaj, i hedhur për konsultim
Kurse për shtetasit e vendet e BE-së, qëndrimi në Shqipëri do të jetë pa vizë e pa kufizime.
Në ndryshimet e propozuara thuhet se:
“Shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian kanë të drejtën e qëndrimit në territorin e RSH, pa leje qëndrimi apo leje unike, për periudha qëndrimi më të gjata se tre muaj, nëse ata: janë punëmarrës ose persona të vetëpunësuar, kanë burime të mjaftueshme për veten dhe anëtarët e familjes së tyre që të mos bëhen barrë për sistemin e ndihmës sociale, gjatë periudhës së qëndrimit të tyre dhe kanë policë të sigurimit shëndetësor në RSH ose janë regjistruar me qëllimin kryesor të ndjekjes së një kursi studimi, duke përfshirë trajnimin profesional dhe janë të pajisur me policë të sigurimit shëndetësor”.
Pa kufizime në vend do mund të qëndrojnë edhe ata persona që nuk janë shtetas të BE, por janë anëtarë të familjes me shtetas të BE-së. Ata do të pajisen me “Kartë-qëndrimi i një anëtari të familjes së një shtetasi të BE-së’, që do të ketë afat 5 vjeçar.
Shtetasit e BE-së pas 5 vitesh në Shqipëri mund të gëzojnë të drejtën e qëndrimit të përhershëm, kur kanë qenë punëmarrës ose të vetëpunësuar dhe mbushin moshën për pension pleqërie, por të kenë të paktën 12 muaj pa shkëputje dhe të ketë banuar 3 vite në Shqipëri.
“Punëmarrësit ose personat e vetëpunësuar që kanë banuar vazhdimisht në RSH për më shumë se dy vjet dhe pushojnë së punuari, për shkak të paaftësisë së përhershme për të punuar. Nëse kjo paaftësi është rezultat i një aksidenti në punë ose i një sëmundjeje profesionale që i jep të drejtën personit të interesuar për një përfitim të pagueshëm plotësisht ose pjesërisht nga një institucion në RSH, nuk do të vendoset asnjë kusht për sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit; (c) punëmarrësit ose personat e vetëpunësuar, të cilët, pas tre vjetësh punësimi dhe qëndrimi të vazhdueshëm në RSH, punojnë si të punësuar ose të vetëpunësuar në një shtet të BE-së, duke ruajtur vendbanimin e tyre në RSH, në të cilin ata kthehen, si rregull, çdo ditë ose të paktën një herë në javë. Për qëllimet e të drejtës për të drejtat e përmendura në pikat (a) dhe (b), periudhat e punësimit të kaluara në Shtetin e BE-së, në të cilin punon personi në fjalë do të konsiderohen se janë shpenzuar në RSH”.
Po ashtu në projektligj propozohet që Ministria e Brendshme ka kompetencë edhe të lidhë marrëveshje për bashkëpunim bilateral me shtete të ndryshme.
Pjesë nga projektligji i ri
Gjoba 50-fishi i pagës bizneseve që shkelin ligjin me punonjësit e huaj
Shtetasit e BE-së do punojnë në Shqipëri edhe pa leje qëndrimi. E veçanta është që në ndryshimet e propozuara përfshihen edhe ndëshkimet ndaj bizneseve shqiptare që abuzojnë me punëtorët e huaj. Gjobë sa 50-fishi i pagës minimale për bizneset që shkelin rregullat e punësimit me të huajt.
Ndryshimet parashikojnë edhe marrjen e punonjësve shtëpiakë. Të cilët do pajisen me leje unike, por punëdhënësi i tyre duhet të jetë i regjistruar në Tatime.
“Leja unike si punonjës shtëpie për një shtetas të huaj jepet në rast se shtetasi i huaj plotëson kriteret për qëndrimin e përkohshëm, kriteret e posaçme, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Punëdhënësi duhet të jetë i regjistruar në organet tatimore”, thuhet në draft.
Ndryshimet e projektligjit për studentët, nxënësit dhe studiuesit shkencorë të huaj
Përkrahje edhe për investitorët e huaj, por me një kusht
Po ashtu do të ketë leje qëndrimi edhe për investitorët, me kushtin që të punësojnë për çdo një të huaj 5 shqiptarë.
“I huaji pajiset me leje qëndrimi si investitor me një afat kohor dyvjeçar kur bën një investim. Raporti i të punësuarve në aktivitetin ekonomik të jetë për çdo të huaj pesë shtetas shqiptarë dhe ky raport të ruhet edhe në bordin drejtues. Dhe paga e tyre të jetë të paktën sa mesatarja e pagës së paguar në Republikën e Shqipërisë”, theksohet në draftin e propozuar.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)