Jo vetëm çdo institucion shtetëror apo publik, por edhe në çdo përfaqësim ndërkombëtar si dhe çdo subjekt privat do të jetë i detyruar të respektojë barazinë gjinore në strukturat vendimmarrëse.
Me draftin e ri ligjor të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i hedhur për konsultim publik, përfaqësimi i grave duhet të jetë në masën 30 deri në 50 për qind në strukturat apo pozicionet drejtuese, ndryshe do të ketë sanksione pasi do të konsiderohet diskriminim gjinor.
Në projektligjin, i cili nëse do të miratohen zëvendëson të vjetrin e miratuar që në vitin 2008, thuhet se objekti i zbatimit të tij do të jenë të gjitha institucionet vendimmarrëse të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe në administratën publike qendrore dhe vendore, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe entet publike. Subjektet private janë gjithashtu të detyruara të respektojnë norma, që vjen si risi absolute.
Mosrespektimi i dispozitave të këtij ligji do të dënohet me gjobë, e cila varion nga 600 deri në 2000 euro, në varësi të rastit dhe nëse subjekti është person fizik apo juridik. Në krahasim me ligjin e kaluar ka dyfishim të gjobës.
Për të mbikëqyrur zbatimin e këtyre politikave, rikompozohet Këshilli Kombëtar për Barazinë Gjinore. Sipas ligjit të ri do të përbëhet nga zv/ministra nga çdo ministri, një komisioner për mbrojtjen nga diskriminimi, avokati i popullit, një përfaqësues nga INSTAT dhe AMA dhe 5 përfaqësues nga organizata jofitimprurëse. Mandati i anëtarëve do të jetë 4 vjeçar, me të drejtë riemërimi.
Çdo institucion publik, përfshirë Kuvendin dhe bashkitë me mbi 100 mijë banorë, do të ketë një nëpunës të posaçëm për barazinë gjinore, që do të garantojë se ligji nuk mbetet në letër, por zbatohet në praktikë.
INSTAT, në bashkëpunim me institucionet publike dhe private, do të mbledhë dhe analizojë të dhëna gjinore në fusha si punësimi, arsimi, bujqësia dhe zhvillimi rural, për të identifikuar boshllëqet dhe për të matur progresin.
Shkollat dhe institucionet arsimore do të kenë për detyrë të promovojnë barazinë gjinore dhe të luftojnë stereotipet. Ndërkohë, mediat do të ndalohen të transmetojnë përmbajtje diskriminuese ose seksiste dhe do të kërkohet përdorimi i gjuhës së ndjeshme gjinore në çdo komunikim publik. Ligji shtrin ndikimin e tij edhe në planifikimin urban dhe transportin, duke kërkuar akses të barabartë për të dyja gjinitë në shërbimet publike.
Konsultimet për këtë projektligj janë mbyllur, pas rishikimit nga ministria e shëndetësisë dhe mbrojtës sociale, pritet të kalojë në qeveri dhe të depozitohet në Kuvend.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente

Budalliku i rradhes. Ekipet sportive per meshkuj, (si futbolli) do te detyrohen te kene 50% gra si drejtuese? Kush is shpik keto gjera si ne Komunizm>
PërgjigjuKudo qe ka gra ne poste drejtuese vetem lemsh behet, cdo njeri mund ta shohe vet dhe nuk eshte pune seksizmi.
Përgjigju