Pas krizës së inflacionit të vitit 2022, efektet e së cilës ende vijojnë, qeveria ka ndërhyrë në ligjin e rezervave shtetërore. Në draftin e hedhur në konsultim publik nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se përdorimi i rezervës do të aktivizohet edhe në kushtet e çrregullimit të tregut, që vjen si rezultat i rritjes së inflacionit, dhe për të përballuar nevojat e tregut vendas këshilli i Ministrave vendos furnizimin apo plotësimin e nevojave me mall rezervë shteti.
“Çrregullimi i tregut” do të thotë prishja e theksuar e ekuilibrave të tregut për shkak të rritjes së inflacionit, ku për përballimin e nevojave të tregut vendas me vendim të Këshillit të Ministrave apo akt tjetër nënligjor vendoset furnizimi apo plotësimi i nevojave me mall rezervë shteti”, thuhet në pikën 15 të nenit 4 të projektligjit të ri.
Kjo lëvizje e qeverisë vjen 2 vite pasi vendi u përball me inflacion të lartë dhe me vështirësi për të siguruar mall nga jashtë siç ishte rasti i energjisë elektrike ku përtej faktit që çmimet arritën deri 1000 euro megavati ishte vështirë të sigurohej edhe sasia e domosdoshme për furnizim. E njëjta gjë ndodhi edhe me karburantin edhe produktet e shportës, që solli edhe ngritjen e bordeve të transparencës për monitorimin e çmimeve.
Vetëm si pasojë e vështirësive për furnizim me produkte ushqimore, kryesisht vaj grurë dhe produkte të tjera të shportës qeveria miratoi në vitin 2022 një garanci sovrane për importuesit që të rrisnin rezervat e tyre, me qëllim që të mos ndërpritej furnizimi.
Një tjetër pikë që ndryshon, ka të bëjë edhe me krijimin e rezervës, ku nuk do të pranohen mallra me datë skadence të afërt deri në 6 muaj.
“Rezerva materiale e shtetit nuk merr në dorëzim mallra: të skaduara apo me afat përdorimi jo më pak se 6 muaj para afatit të skadimit; pa vlerë përdorimi për rezervën materiale të shtetit”, thuhet në nenin 12 të projektligjit.
Gjithe ato rezerva qe kishte komunizmi i shkaterruan ne 97 dhe talleshin me ate kurse tani kujtohen qe ato ishin te domosdoshme
Përgjigju