Drama e Metës dhe Bashës: Ka opozitarë në rrugë, por jo opozitë në sistem

4 Mars 2020, 18:31| Përditesimi: 4 Mars 2020, 18:32

  • Share

Manifestimi i presidentit Meta si thelb dhe gjithë ambalazhi i saj opozitar si formë, duhet të jetë një moment reflektimi jo për atë që ndodhi, por për atë sesi duhet të kuptojnë palët se çfarë po ndodh dhe projektimin e asaj që pritet të ndodhë. E marta në muzg, në krye të herës, dëshmoi dramën e madhe të së djathtës së mbetur rrugëve: ka shumë opozitarë, por opozita formale është në koma!

Manifestimi presidencial ishte seria e filmit që duhet të shohin të gjithë: Rama ka krijuar shumë kundërshtarë, por ende nuk ka një front kundër tij, ka shumë pakënaqësi ndaj kryeministrit, por pakkush është i kënaqur me aktet e opozitës, ka shumë mohim të së sotmes së Ramës, por ende asnjë pohim të së nesërmes së Bashës. Dhe mbi të gjitha, kryesisht për shkak të mungesës së vizionit dhe frymëzimit të munguar, opozita e sotme gjendet në një situatë absurde: fiton shumë shpesh beteja të vogla e të mëdha, por luftën finale ka shumë shanse ta fitojë sërish Rama. Po në të njëjtën mënyrë siç Edi Rama bëri i vetëm kundër të gjitha basteve që viheshin për kokën e tij dhe kundër të gjithëve që e kishin identifikuar si kundërshtarin e vetëm për t’u mundur në 2017-ën. Ashtu siç e llogariste Ilir Meta në rradhë të parë, që i ishte bashkëngjitur me zemër të thyer në 2013-ën dhe nuk i bënte zemra të ndahej me të deri në minutën e fundit të mandatit. Ndërsa Lulzim Basha, që pothuaj deri në minutën e fundit të fushatës së 2017-ës, nuk kishte ndarë mendjen nëse donte të ishte kryeministër i vendit apo një nga ministrat e Ramës, nuk e dinte nëse Meta ishte aleati për të bashkëqeverisur apo i treti i bezdisur që duhej asgjesuar.

Në çdo rrethanë, kjo trojkë njerëzish të pushtetshëm, me Doktorin në një kënd dhe Monikën gjithkund, ka tentuar të bëjë lojën e saj. Secili nga ata individë ka humbur kur ka qenë i pasinqertë dhe paranojak dhe ka fituar kur ka luajtur ndershëm e me letra të hapura.

Të martën Presidenti Ilir Meta rishpiku vetveten; ai nxorri në Bulevard talentin e tij për të luajtur në hapësira të ngushta dhe energjinë dhe vullnetin personal për të qenë më i fortë nën presion, për të qenë i fuqishëm dhe fitimtar kur ka të gjitha rrethanat kundër dhe aftësinë e madhe për të humbur lehtësisht dhe për t’u rrëzuar kur ka gjithçka në favor. Profesionist në zejen e vështirë të politikës përballë një larushie diletantësh, Meta dëshmoi se vakuumi në demokraci nuk është natyral dhe se në mënyrë natyrale ai tenton të mbushet me prurje të reja.

Nuk ka shumë rëndësi çfarë do të ndodhë deri në afatin ultimativ që Meta la deri në 15 mars. Atëherë komisioni për reformën zgjedhore ende do të jetë duke punuar dhe do të kërkojë minimalisht edhe ndonjë muaj tjetër zgjatje të mandatit. Po brenda këtij segmeti kohe, paralajmërimet në anglisht për stabilitet dhe shmangie të çdo tentative për të prishur rendin kushtetues, nuk do të lenë askënd në gjumë dhe pavarësisht betimeve, parlamenti si institucion, mund të flejë i qetë, sa kohë që legjitimiteti i tij nuk cënohet as nga dekrete shpërndarjeje dhe as nga dëmtimi i mureve.

Kjo do të jetë kohë e mjaftë për t’u kuptuar natyra e vërtetë të marrëdhënieve tripolare mes presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, që është totalisht ndryshe nga sa duket në vështrimin e naivëve. Më shumë se njëherë Meta e ka ndjerë se, sado acide të jetë gjuha mes Ramës dhe Bashës, ata janë mjaltërisht afër në interesa. Kryeministri dhe kryetari i opozitës janë njëlloj të dëshiruar për të mbajtur në këmbë sistemin zgjedhor që i mban ata të dy në skajet e një politike ngushtësisht partizane. Që e sheh LSI-në si të tretin e tepërt në një raport dashuri-urrejtjeje mes PS-së e PD-së. Meta di se edhe nëse i vetëm nuk e mund dot Ramën, është në gjendje t’ja helmojë në çdo rast festën, njëlloj siç di se edhe pse nuk mund të fitojë vetëm, mund të jetë garanti i humbjes së Bashës në çdo rast.

Lulzim Basha është armiku i natyral i Metës. Ndarja e pushtetit të mundshëm nesër është shumë më e lehtë sesa aksioni i sotëm, i përbashkët opozitar. Në këtë kuptim, manifestimi i të martës, i tha qytetarit Lulzim, se kryetari i PD-së Basha, në të gjitha rastet, duhet të llogarisë ish-partinë e presidentit. Dhe se i duhet të marrë një pozicion sa më shpejt, gjë që për një politikan të llojit të tij, që as të shtrëngon dhe as të lëshon, është një mundim sipëror. Pavendosmëria, pishmani, vrapi mbas gurit të budallait, mungesa e sinqeritetit dhe e sakrificës dhe mbi të gjitha, shmangia nga rregullat normale të lojës, janë të gjitha së bashku, një gjë më e keqe se martesa me shkesi e zotit Basha me partinë e tij. Por për ironi të fatit, kjo martesë pa dashuri, për momentin, është më e mirë se çdo divorc me ish-partinë e Doktorit.

Të martën Ilir Meta dha një provë tjetër të karakterit të tij kontraves. Ai dëshmoi se fal, por nuk harron, se është i fortë në luftë, por i dobët në paqe, se beson pa doganë, por dyshon edhe tek kravata e tij, se llogarit fantazmat, por nuk sheh të gjallët përreth. Dhe për më keq, si të gjithë liderët ballkanas, Meta dashuron pa mëdyshje servilët që e tradhëtojnë çdo herë kur bie në fatkeqësi dhe është mosbesues ekstrem ndaj miqve që i rrinë larg në sukses.

Opozita bipolare e Metës dhe e Bashës, që me të gjitha gjasat, duhet ta bëjë Ramën të mendojë më seriozisht për Tiranën kur fluturon nëpër botë si kreu i rradhës së OSBE-së, nuk ka shumë kohë deri vitin tjetër. Ajo duhet të llogarisë jo më shumë se humorin dhe vullnetin politik të katër-pesë individëve në Tiranë, që janë vende-vende peng interesash jo politike dhe ndoshta edhe shndërrimin në shënjeshtër të një axhende politike nga drejtësia e re. Sepse kësaj here me opozitën mund të të ndodhë si në ruletën e famshme ruse: kush humb, nuk ka kohë as të ndjejë keqardhje për veten! 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?