MUNICH - Një tifoz i Bayern Munich pësoi arrest kardiak në stadiumin "Allianz" të mërkurën në mbrëmje dhe nuk mundi të mbijetojë, paçka ndihmës së menjëhershme dhe dërgimit në spital.
Bayern Munich fitoi 1-0 kundër Benficës në raundin e katërt të Champions League dhe vetëm tre minuta pas fillimit të sfidës tifozi u ndje keq dhe u shemb në tokë.
Mediet bëjnë me dije se ndihma e parë u ofrua në mënyrë të shpejtë dhe tifozi u transportua me urgjencë në spital, por pa mundur të mbijetojë duke ndërruar jetë rrugës.
“Gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Benficas së Lisbonës, fitorja 1-0 e FC Bayern u la në hije nga një arsye e trishtuese”, ka thënë Bayern Munich në një deklaratë për shtyp të shpërndarë në rrjetet sociale.
Sipas informacioneve të medias gjermane Bild, tifozi raportohet se ka pësuar një atak në zemër në fillim të ndeshjes. Shërbimet e urgjencës u përpoqën ta rikthenin në jetë për rreth 30 minuta në stadium, të fshehur nga pëlhurat e hapura mes tifozëve. Fatkeqësisht, burri ndërroi jetë teksa po transportohej për në spital.
"Është e vështirë të flasësh për futbollin tani. Pas ndeshjes, ne nuk festuam siç bënim zakonisht. Sigurisht, lojtarët u vendosën në dijeni vetëm pas ndeshjes. Ne gjithmonë shpresojmë që fansat tanë dhe të gjithë fansat, të shkojnë në shtëpi të sigurt. Fatkeqësisht, nuk ishte kështu sot.
Gjatë gjithë ndeshjes, ultrasit zgjodhën të mos mbështesin skuadrën e tyre në respekt të situatës. Tribuna jugore u përmbajt nga mbështetja e ekipit të tyre si zakonisht dhe klubi gjithashtu zvogëloi mbulimin e tij mediatik gjatë kësaj ndeshje,” shpjegoi Bayern Munich.