Ish kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford e konsideroi shqetësuese gjendjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Ai tha se shumë prej investitorëve të huaj, kishin zgjedhur të shisnin aksionet e tyre dhe më pas të investonin në Vietnam apo në vende të tjera ku shihnin më shumë interes.
I ftuar në studion e Report TV me gazetarin Arbër Hitaj, Crawford këshilloi që qeveria angleze të shihte mundësinë e krijimit të një fondi investimesh në Shqipëri për të bërë të mundur që të rinjtë shqiptarë të mos largohen drejt Britanisë së Madhe.
“Kam parë disa investitorë amerikanë që po largohen, duke shitur aksionet e tyre tek partnerët e vendit. Nuk është një gjë anormale, por as pozitive. Fondet e investimeve krijohen për një afat të shkurtër. Nëse ata janë krijuar para 10 vitesh, do të thotë se janë gati të shesin asetet e tyre dhe të riinvestojnë. Por shqetëimi im është që ata kanë shitur asetet e tyre dhe i kanë transferuar paratë në Vietnam apo vende të tjera. Pra nuk kanë investuar sërish në Shqipëri. Ky është një shqetësim, ndonëse është një mundësi për anglezët, do thoja më mirë mos të japin 5 apo 10 milionë në Kukës por të bëjnë një investim, siç kanë bërë Fondet amerikane, deri në 30 milionë dhe ky investim u është kthyer mbrapsht. Anglezët nëse duan të bëjnë diçka pozitive, më mirë të krijojnë një fond investimesh këtu”- tha Crawford.
Sa i përket politikave të qeverisë, për nxitjen e investimeve të huaja në vend, Drawnford ta se duhej bërë më shumë për të tërhequr investitorët e huaj të cilët kur bëhet fjalë për të investuar në rajonin e Ballkanit, shohin gjithmonë Serbinë dhe Kroacinë si vende favorite.
“Unë besoj se ka një histori të dobët në tërheqjen e investitorëve të huaj. Ne patëm organizuar një takim me invesitorë të huaj dhe asnjë prej qeverisë shqiptare nuk ishin aty. U detyrova unë që të bëja prezantimin. Disa prej investitorëve nuk mendojnë fare për Shqipërinë. Kur mendojnë për Ballkanin, mendojnë së pari Serbinë dhe Kroacinë. Deri tani nuk kam parë shumë investim nga Amerika. Na duhet fond tjetër të vijë dhe të investojë”- u shpreh ish kreu i Dhomës Shqiptaro-Amerikane.
Crawford tha se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar se viti 2023 do të jetë një vit më i vështirë në aspektin ekonomik për Shqipërinë.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli tha se në Shqipëri më së shumti kishte pasur riinvestime nga investitorët aktualë dhe jo investime të reja. Ai tha se investimet dhe riinvestimet e huaja në vend, kishin kapur shifrat më të larta të 22 viteve të fundit.
“Gjykoj se janë shifra më të larta të 22 viteve të fundit. Viti më i ulët ka qenë 2020 për shkak të pandemisë. Ne kemi riinvestime më së shumti, kompanitë me kapital të huaj kanë zgjeruar kapitalin e tyre”- u shpreh Çoçoli.