Drejt artizanëve të fundit në Përmet e Këlcyrë! Samarbërës dhe kallajxhi, zanatet që po zhduken (VIDEO)

29 Prill 2023, 10:43| Përditesimi: 29 Prill 2023, 13:22

  • Share

Faik Myrto dhe Llambi Elmazi janë ndër artizanët e fundit të Përmetit dhe Këlcyrës. Njëri samarbërës e tjetri kallajxhi.

Faiku 75 vjeçar në punishten e tij të vogël tregon hap pas hapi realizimin e një samari, mjetet e punës që përdor dhe çmimin që paguajnë bashkëfshatarët e tij.

Nëse të rinjtë e qytetit nuk e dinë çfarë është një samar, ata në fshat refuzojnë ta mësojnë, madje edhe vetë djemtë e Faikut, sipas të cilit shumë shpejt ky zanat do të zhduket plotësisht.

82 vjeçari nga Këlcyra, ka mundur ta trashëgojë te i biri, por deri këtu. Nipërit e shohin si zanat që të bën pis e të pa rehatshëm. Për Llambi Elmazin, cikli i punës së tij tashmë është mbyllur. Megjithatë sa ka ende energji, vazhdon të kallajisë kazanë rakie kryesisht.

Ai rrëfen fillimet e këtij zanati dhe peripecitë që ka përjetuar së bashku me bashkëshorten në kohën e komunizmit kur fshehtas, realizonte kazanë të rinj e më pas të dy bashkë i ngarkonin mbi kurriz e bënin kilometra të tëra në këmbë për t’i shitur larg syrit të “sigurimsave” të shtetit në Gjirokastër.

Dy rrëfime jete nga dy personazhe shumë të veçantë që tregojnë se teknologjia moderne ka konkurruar punimet e dorës por nuk ka arritur t’i zhbëjë plotësisht falë pasionit të këtyre artizanëve, ndoshta të fundit në zanatet e tyre.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?