Një 54-vjeçar me iniciale Sh.B. nga Lazarati i Gjirokastrës është marrë nën hetim në gjendje të lirë pasi tentoi të udhëtonte drejt Greqisë përmes doganës së Kakavijës me një shumë parash rreth 50 mijë Euro cash.
Shumën e parave, 48.400 euro, 54-vjeçari nuk i kishte deklaruar sipas ligjit.
Për këtë arsye, paratë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa vetë 54-vjeçari po hetohet në gjendje të lirë.
Njoftimi i Policisë Gjirokastër:
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit Sh. B., ku u gjetën 48 400 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin Sh. B., 54 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Komente
