Konklava për të zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut do të fillojë të mërkurën e 7 majit. Këtë e konfirmoi Vatikani nëpërmjet drejtorit të Zyrës së Shtypit të selisë së Shenjtë.
Vendimi u mor gjatë kongregacionit të përgjithshme të kardinalëve në përfundim të mbledhjes së thirrur këtë të hënë 28 prill. Sipas përcaktimeve në kushtetutën apostolike Konklava duhet të nis me përfundimin e 9 ditëve të zisë për Papën e ndarë nga jeta, të cilat përmbyllen këtë të dielë.
Konklava mund të kishte filluar të hënën ose të martën thotë Corriere, por Asamblesë së kardinalëve iu deshën dy ditë shtesë "para së gjithash për arsye logjistike", sipas arsyetimeve që një kardinal ka dhënë, pasi zgjedhësit nuk kanë qenë kurrë kaq shumë.
Të paktën në letër deri më tani janë 135 për momentin me dy dorëheqje të shpallura për arsye shëndetësore. Stafit do ti duhet kohë për t'i vendosur të gjithë në Casa Santa Marta, hotelin e Vatikanit ku do të qëndrojnë të izoluar.
Pasi të vendosin të qëndrojnë në izolim ata do ta zhvillojnë procesin zgjedhor në Kapelën Sistine. Ajo u mbyll gjithashtu këtë të hënë sipas kërkesës së kolegjit të kardinalëve. Nga sot Kisha e famshme e shekullit të 16 nuk do të presë më turistë deri në zgjedhjen e Papës së ri pasi ajo do t'iu nënshtrohet përgatitjeve për konklavën që duhet të jenë sa të sakta po aq edhe diskrete.
Konklava zhvillohet me rregulla mjaft strikte të cilat datojnë shekuj më parë me procesin e parë që është zhvilluar në shekullin e 13. Kardinalët do të zhvillojnë dy procese votimi në ditë duke filluar nga 7 Maji.
Ata do të propozojnë me fleta dhe zgjedhje të fshehta emrin e tyre të preferuar deri në evidentimin e dy emrave më të pëlqyer. Këtu nis faza e balotazhit dhe afrimi i fundit. Gjatë çdo votimi që rezulton i pasuksesshëm, një komision që mbikqyr procesin djeg fletët e votimit. Ky është momenti i tymit të famshëm, nga i cili besimtarët dhe publiku i jashtëm kuptojnë nëse ka një zgjedhje ose jo. Tymi i zi nënkupton se Papa nuk është zgjedhur ende ndërsa me daljen e tymit të bardhë, besimtarët njoftohen se Papa i ri i Romës është zgjedhur.
Kardinalët do të zhvillojnë të paktën dy procese votimi gjatë ditës, një në mesditë dhe një në mbrëmje rreth orës 19. Papa i ardhshëm do të jetë i 267 në historinë e Kishës katolike Romane.
Komente
