Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Berat do të ketë shumë shpejt një ambient të ri për punonjësit e kësaj drejtorie, por edhe qytetarët të cilët paraqiten pranë saj për të marrë shërbimet. Punimet për ndërtimin e godinës së re janë në fazën finale dhe këto ambiente të reja do të vihen në funksion brenda një kohe të shkurtër.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, ndoqën nga afër punimet e realizuara deri më tani për ndërtimin e godinës së re të DRSHTRR Berat.
Godina aktuale, tha Gonxhja, pamundësonte funksionimin normal dhe brenda standardeve të kësaj drejtorie, ndërsa me ndërtimin e godinës së re ambientet garantojnë kushte shumë më të mira si për punonjësit ashtu edhe për qytetarët.
“Jemi në një nga qarqet që mbledh 5 bashki dhe që kryen rreth 90 mijë shërbime në vit. Kemi një numër të madh mjetesh. Ishim në kushte shumë të vështira në qarkun e Beratit. Tashmë kalojmë nga një situate e së shkuarës në një nga qendrat që mund të themi me plot gojën besoj është më e mira në nivel rajonal”, theksoi Gonxhja.
Ministrja Belinda Balluku tha se investimi për ndërtimin e godinës së re të DRSHTRR Berat ishte më se i nevojshëm për shkak të fluksit të punës që kjo drejtori përballon, e cila renditet e nënta në rang vendi, dhe e treta në rajonin e jugut pas Vlorës dhe Fierit, sa i takon numrit të shërbimeve që kryhen gjatë një viti kalendarik.
“Duke e mbyllur ciklin e gjithë rikonstruksionit apo të ndërtimit të disa prej këtyre godinave, ne kalojmë pastaj në një fazë të dytë. Sigurisht është një fazë e rëndësishme dhe që presim padyshim edhe ajo të ketë të gjithë vëmendjen e duhur që është pjesa e dixhitalizimit. E kemi nisur prej kohësh përsa i përket pjesës së dhënies së provimeve për marrjen e lejes së drejtimit, sigurisht edhe arkiva edhe gjithçka tjetër. Është synimi ynë që të dixhitalizojmë çdo hap dhe çdo proces të këtij institucioni kudo që ndodhet në mënyrë rajonale”, nënvizoi Balluku.
Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Berat ofron shërbim për qytetarët e pesë bashkive të këtij qarku. Në këtë qark janë të regjistruar rreth 39 mijë drejtues mjetesh dhe 29 mijë mjete.