Albana Koçiu

Sociale
Shëndeti

Rikonstruksioni i spitalit të Kavajës, Koçiu: Investim që sjell standarde të reja shërbimi për mbi 100 mijë banorë

6 Gusht, 17:04| Përditesimi: 6 Gusht, 17:08

  • Share

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, Njësia Kavajë, Silvana Bala inspektoi nga afër detajet e fundit të punimeve për rikonstruksionin e spitalit në Kavajë, një investim që ka mundësuar rehabilitimin tërësor të ambienteve duke sjell standarde të reja shërbimi për mbi 100 mijë banorë të Kavajës, Rrogozhinës dhe zonave përreth.

Gjatë vizitës në ambientet e rinovuara, ministrja Koçiu theksoi që punimet në ambientet e brendshme dhe të jashtme të spitalit janë drejt përfundimit ku qytetarët do marrin shërbime shëndetësore në kushte dhe ambiente modern.

 “Jemi në përfundim të punimeve të spitalit të Kavajës, që ka për afro një vit që është binjakëzuar me spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe shërben jo vetëm për banorët e Bashkisë së Kavajës dhe Bashkisë së Rrogozhinës, Ndërkohë është edhe një strukturë shumë e rëndësishme shëndetësore për të gjithë pushuesit që vijnë e pushojnë në vijën bregdetare nga Golemi në Spille”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u ndal tek përmirësimi i hapësirave që ka përfshirë ky investim ku është bërë i mundur edhe rinovimi tërësor i dy pavioneve, të Maternitetit dhe Pediatrisë.

“Është një strukturë shumë e rëndësishme shëndetësore që i kushtuam një rikonstruksion dhe rehabilitim të plotë të katër kateve, duke krijuar hidroizolimin e tarracës, rifreskimin dhe rishikimin edhe mënyrën se si organizoheshin pavioni i Maternitetit dhe i Pediatrisë, por ndërkohë edhe nyjet hidrosanitare dhe të gjithë problematikat që kjo infrastrukturë kishte, me qëllim kryesor për ta kthyer në shërbim funksional sa më të plotë për të gjithë qytetarët”, u shpreh mininstrja e Shëndetësisë.

Ajo vlerësoi punën e mjekëve për të ofruar shërbime shëndetësore për qytetarët afër vendbanimit, një prej prioriteteve kryesore të MSHMS-së.

Gjithashtu, Koçiu vuri theksin te Urgjenca, një ndër shërbimet e rëndësishme në Spitalin e Kavajës, veçanërisht gjatë sezonit veror.

 “Urgjenca është pikë nevralgjike ne Spitalin e Kavajës për aq kohë sa pret jo vetëm qytetarët e Kavajës dhe Rrogozhinës, afro 100 000 banorë të të dy bashkive, por i shërben edhe të gjithë pushuesve që vijnë e pushojnë në bregdetin e Golemit deri në Spille. Kjo është arsyeja që duam të forcojmë edhe spitalin, jo vetëm infrastrukturën që tashmë e kemi në përfundim, por edhe shërbimin shëndetësor me mjekë që të jenë sa më afër banorëve”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu tha se një ndër shërbimet e rëndësishme në spitalin e Kavajës është edhe Kabineti i Fizioterapisë, një shërbim për të cilin po punohet për ta shtrirë edhe në të gjitha spitalet rajonale dhe forcuar si shërbim edhe në qendrat shëndetësore.

“Besoj se tani me rikonstruksionin e godinës si dhe me dy pavione që janë kthyer me kushte bashkëkohore, Materniteti dhe Pediatria, por patjetër edhe shërbimi i urgjencës që në fakt i ka të gjitha kushtet për të bërë triazhin ashtu siç duhet, e kthejnë dhe e shndërrojnë këtë strukturë spitalore të domosdoshme, nevralgjike, sigurisht duke konsideruar edhe mbështetjen që japin mjekët e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi””, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha i quajti vrasje shtetërore pa dashje ato të 21 janarit, ju si i konsideroni?