Kancelarja gjermane Angela Merkel duket se do ta humbasë hapjen e samitit të G20 në Argjentinë, pasi avioni i saj qeveritar ka bërë më datë 29 nëntor një ulje të paplanifikuar në anën veriperëndimore të Gjermanisë, Koln Bonn.
Avioni “Airbus A340” , sipas deklaratave të bëra nga kapiteni i saj, u ul në Koln Bonn për shkak të “keqfunksionimit të sistemeve elektronike”. Sikurse transmeton Reuters, Merkel iu është shprehur për çështjen në fjalë gazetarëve se bëhej fjalë për “një mosfunksionim serioz” që u shfaq pas një ore fluturim. "Për fat të mirë, kishim një ekuipazh të shkëlqyer dhe pilotin më me përvojë në misionet e posaçme ajrore", ka vijuar më tej ajo.
Po sipas kësaj mediaje, Angela Merkel dhe delegacioni i saj fillimisht mbetën të bllokuar në bordin e avionit, të quajtur "Konrad Adenauer", pasi mekanikët inspektuan frenat dhe disa motorë zjarri. Pasi incidenti iu informua ministres të Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, kjo e fundit raportohet se u përpoq për orë të tëra për të realizuar udhëtimin e Merkelit me një avion alternativ.
Merkel dhe ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz do ta rifillojnë udhëtimin e tyre për në Buenos Aires këtë të premte, por koha që do t’iu marrë udhëtimi duket se do t’i detyrojë ata që të mbërrijnë pasi udhëheqësit botërorë të fillojnë diskutimet e tyre.